Pasi e godet ritmikisht opozitën brenda vendit, pra kërkon izolimin dhe asgjësimin e kundërshtarëve politik për zgjedhjet e vitit 2025, makineria e elitës së Rilindjes Socialiste po i ka kap të tre koristë e autostradës zgjedhore. Nga KQZ deri në ditën e zgjedhjeve dhe pa frikën e ndonjë humbje drejtimi në timon, Rama po e mbështet strategjinë vjeljes me çdo kusht të votës në tre drejtime; 1- Pensionistët, 2- Administrata dhe 3- Diaspora.
Në këtë mënyrë me tabelën e largët “BE-2030” që tani po bën çka mos marrjen e mandatit të katërt, kur mazhoranca të sigurojë vendosjen e një regjimi të plotë autokratik parti-shtet pyetja shtrohet se a do ta ketë po kaq të konfirmuar Shqipëria pas një viti qëndrimin e sotëm të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen?
Shprehjen në një ditë si 23 Tetori, 2024 e cila do të mbetet mbetet historike pas provës së saj. Madje urojmë ta përsërisë shprehjen:“I dashur Edi! Ju dhe ekipi juaj keni bërë një punë të shkëlqyer për axhendën e reformave. Tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit”…
Qeverisja duhet të na e provojë!
Me projekte, me transparencë dhe me drejtësi ku njerëzit janë të barabartë përpara ligjit. Dhe sigurisht pa korrupsion dhe pa media të manipuluar deri në propagandë të pushtetit.
Pra përpara se t’i besojmë paratë Ramës dhe qeverisë së tij duhet menduar seriozisht Evropë.
Si kurrë ndonjëherë si sot shqiptarët janë përballë një situate arrogance të pushtetit. Janë goditur institucionet politike të opozitës, po dënohen me mospjesëmarrje në jetën parlamentare pluraliste përfaqësuesit e zgjedhur nga populli, media po përdoret për propagandë dhe njëkohësisht vendi ka zgjedhjet përpara!
64 milion euro në dy muajt e ardhshëm dhe 920 milionë të tjera për planin i rritjes në tre fushat e përmendura si (a) Shqipëria pjesë e zonës unike të pagesave në euro, (b) tranzicioni drejt energjisë së pastër (c) Kampusi i Kolegjit Evropian, të rinj që do studiojnë të drejtën evropiane dhe integrimin evropian. Këto renditen si tre dëshira që shqiptarët do t’i prekin një ditë për të përmirësuar jetën e tyre, por kemi pa zgjidhur prej korrupsionit qeveritar të tjera shumë më të rëndësishme më urgjente si varfëria, arsimi dhe shëndetësia, shpopullimi i vendit që do të ishin këshillat e shëndetshme për demokracinë dhe të mirëpritura prej shqiptarëve nga institucionet e Evropës.
Situata e brendshme ka përparësi pasi gjithshka që u përmend më lart bëhet drejtë dhe si duhet kur shqiptarët të kenë garancinë e një procesi zgjedhor lirë dhe të ndershëm e për pasojë votën e mbrojtur.
Pensionistët, fizikisht të lodhur protestojnë përpara kryeministrisë me zyrat bosh sepse Rama ka zgjedhur për t’i folur atyre nga Lezha duke vazhduar turin e “diskutimit publik me pensionistët”. Nuk ka nevojë për mbikëqyrje policore pasi fuqia e protestës matet nga madhësia e rrogës. 100% rritje për deputetët dhe 4.1% për pensionistët, pra të tkurrur 25 herë. Nga sa ata shprehen ka pensionistë me të ardhura mujore në vlerë 130 mijë lekë dhe në çdo fushatë zgjedhore që vjen premtimet e tyre “mbahen” nga politika sikurse dhe raporti i lekut të ri me të vjetrin. Pra hyjnë me rritjen e premtimit të ri dhe dalin me vlerësimin e lekut të vjetër. Janë rreth 550 mijë shtetas me moshë nga gra 61 vjeç /gra dhe 65 vjeç/burra deri në 100 vjeç sipas Censit të fundit, që e ushtrojnë votën, por që janë potencial sa i kanosjes po aq edhe i joshjes nga propaganda e politikës për shkak të nivelit të varfërisë dhe të ardhura të pakta.
Por ndryshe deri në ditën e zgjedhjeve Rama po premton rritje në rrogën e administratës. Një vend pune është projektuar deri në 900-euro dhe numri i punonjësve të administratës fryhet vazhdimisht jo për merita, por për lidhje dhe njohje familjare dhe politike dhe ky numër është mbi 181 mijë. Kjo është tendenca e ndikimit në administratë e cila përbën një drejtim të dytë ku Rilindja Socialiste beson dhe mbështetet fort dhe orekset për ta tejkaluar deri në frikësim për votën në punonjësit e administratës ku çështja është ngritur si një detyrë partiake. Çdo punonjës duhet të sigurojë deri në 10 lidhje dhe njohje dhe emra shtetasish që jetojnë jashtë atdheut.
Pa e mbyllur shumën aritmetike nga përllogaritjet e votës që mazhoranca në pushtet do të vjelë për zgjedhjet e ardhshme, pra 550 mijë të moshuar plus 180 mijë punonjës administrate me potencial shumëfishimi lidhjesh dhe njohjesh jashtë atdheut, Rilindja Socialiste me gjithë rienergjizimin e 50 mijë anëtarëve të rinj e ka projektuar tashmë numrin e 1 milion votave në favor të saj.
Ndaj ajo që bën sot diferencën janë bashkimi i opozitës në qoftë se duan ta ndryshojnë regjimin dhe vota e diasporës me pjesëmarrje për herë të parë.
Diaspora. Vota e saj mbetet prova.
Shqiptarët emigrantë dhe ata që gëzojnë dyshtetësinë kanë qenë dhe mbeten mbështetës për zhvillimin e një sistemi demokratik ku vepron ligji i barabartë për të gjithë, fjala dhe besimi i lirë, liria e lëvizjes dhe ekonomia e tregut të lirë. Miliona shqiptarë i ushtrojë këto të drejta dhe liri dhe i kanë rritur standardet e tyre disa herë më shumë se premtimet e partive politike të tranzicionit. Në kulmin e kësaj situate t’i kërkosh votën diasporës pa i garantuar integritetin e votës, krijuar infrastrukturën më transparente dhe më rezultative në procesin zgjedhor, ky është thelbi që ndan shtetin e interesuar për shtetasit emigrantë nga politika e korruptuar.
Diaspora e ka mbështetur dhe sakrifikon për ndryshimin e duhur dhe për zhvillimin e Shqipërisë. Ajo nuk mund të pajtohet me përmasat e sotme të korrupsionit dhe rrezikun e vendosjes së një regjimi parti-shtet, që do të ishte zhgënjim dhe po ashtu goditja më e rëndë ndaj demokracisë në Shqipëri që pas rrëzimit të diktaturës vitet 1990-1991.
23Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)