Në faqen zyrtare të kryeministrisë gjendet i plotë dhe ende i pa sfiduar nga mediat dhe analistët fjalimi i plotë i Ramës “diskutimi publik me pensionistët” me qëllim informimin që do të vijojë në të gjitha qytetet e vendit. Ai cilësohet si angazhim i qeverisë për çështjen e pensioneve, për të adresuar një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, në këtë aspekt, por në media është servirur si plan ekonomik para zgjedhor dhe propaganda e mirëfilltë për rreth 850 mijë persona që do t’i drejtohen kutive të votimit në vitin 2025. Indeksimi i pensioneve me 4.1%, është rritja me një kokërr vezë ose me një filxhan kafeje që shpesh pensionistët e shprehin me indinjatë dhe e shohin si një mungesë dinjiteti për atë që bën qeveria.
Historia e vezës për t’u bërë pulë nga njohuritë ekonomike të stafit të Ramës është të kuptuarit se vetëm për përfitim politik Rilindja Socialiste çuditërisht i bën lëmoshat në fund të vitit ku muajt paraprirës nuk reflektohen me shumën e përfitimit. Përkundrazi në raportet e asambleve mburrja politike për pensionet shprehet si rritje gjithë vjetore.
Filxhani i kafesë është dhe më i trishtë dhe kjo vjen nga një ngjarje e vërtetë kur disa zonja që kanë punuar në arsim provuan rritjen me indeksin 4.1 me pensionin mujor paraardhës, ditë e cila në Tiranë u pushtua nga një mot me reshje prej tre orësh. Të detyruara për t’u mbrojtur nga shiu në strehën e një kafeneje ato ishin të detyruara ta shpenzonin bonusin aty për aty, pa menduar për ndonjë taksi apo autobus linje pasi gjithçka është një shpenzim që shtrëngon ushqimet, ilaçet, faturat e energjisë dhe ujit me racion e kursim përmbi taksat e tjera që rëndojnë moshën e tretë që më së shumti janë prindër të vetëm me fëmijët të larguar në emigracion.
Këtë panoramë Rama, elita e Rilindjes Socialiste dhe qeveria nuk e harrojnë, por e përdorin pikërisht për zgjedhjet. Nuk do të ndalemi këtu në shifrat e lodhshme krahasuese të kryeministrit përpara një grupi pensionistësh që nuk harroi dhe t’i bënte humor të hidhur duke i kujtuar kohën e pasigurisë që ndërtuan skemat piramidale në vitet ’90, ku si moral opozita e tanishme është arkitektja dhe përgjegjësja e gropës.
Rama sot ka zbuluar gropën 1 miliardë (nga taksat dhe sigurimet shëndetsore), vetë ka 11 vite që drejton me korrupsion ekonominë dhe e kërkon votën kur pohon se kërkon kohë dhe durim nga pensionistët me një kufi të shtyrë edhe për 6 vite të tjerë nga kjo situatë e sotme. Ja se si shprehet pas gjithë asaj propagande premtimi elektoral:“Unë e kam thënë gjithmonë, pensionet janë ai guri i fundit i këtij muri për Shqipërinë 2030, por ama e kam thënë kohë më parë: do të na duhet kohë. Do na duhet kohë!”
Tragjike me këtë moshë që ka me dhjetra vite pune mbi supe në qytet dhe fshat.
E mjerueshme!
Pensioni guri i fundit i këtij muri për Shqipërinë 2030?!
Pse nuk e thua realisht kryeministër, pas 6 vitesh një gur varri, sepse të përcillesh me dinjitet nga kjo jetë të duhen para të kursyera për funeralin. Para të cilat nuk i kursen dot asnjë pensionist shqiptar sepse nuk i del të ushqehet dhe të kujdeset për shëndetin.
Media dhe ATSH dhanë programin elektoral dhe premtimet e Ramës për rreth 850 mijë pensionistë. Asnjë nuk merr kurajën ta sfidojë për të vërtetat.
21 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)