Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.
Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.
Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.
Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.
Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.
Radoiçiq dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.
O’Brien: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë është rruga përpara
O’Brien ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë një vendim dhe se për këtë arsye lindin, me raste, mospajtimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për televizionin lokal, Kanal 10, O’Brien ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë tregun e përbashkët rajonal, dhe mundësitë tjera që ka përpara, për t’u zhvilluar sa më shumë në të mirë të qytetarëve.
Sipas tij, rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë, drejt integrimeve evropiane, është vetëm duke zbatuar Marrëveshjen Bazë, të arritur mes vendeve vitin e kaluar.
I pyetur nëse vendet do të sanksionohen nga SHBA-ja për moszbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se sanksioni kryesor për to është që humbin mundësi të mëdha për qytetarët e tyre nga moszbatimi.
Në linjë me zbatim të Marrëveshjes Bazë, O’Brien ka thënë se është edhe çështja e dërgimit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Zyrtari amerikan ka thënë se qytetarëve duhet t’iu sqarohet se Asociacioni është vetëm një platformë që komunat të shkëmbejnë përvoja, që në Evropë ekzistojnë rreth 400 asociacione të tilla, dhe që në rastin e Kosovës nuk nënkupton një nivel të ri të qeverisjes.
Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.
Lidhur me sulmin në Banjskë, O’Brien ka thënë pret që Radoiçiq të ndihet penalisht, dhe që SHBA-ja vëren se Serbia ka ndërmarre veprime për të parandaluar akte të dhunës, në periudhën pas sulmit.
Një ditë më parë, në Beograd O’Brien është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtij takimi, lideri serb ka thënë se takimi me zyrtarin amerikan është fokusuar në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”. REL