Në këtë tubim shkencor e ditunor të rëndësishëm, duke falënderuar organizatorët dhe dr.Mujë Buçpapajn, ish-studentin tim, që më ftoi të jem edhe unë sot midis jush, po ritheksoj disa prej vlerësimeve meritore që i kam shprehur edhe më parë, në shkrimet e mia dhe në kumtesën time “Martin Camaj-figurë e shquar e albanologjisë dhe e letërsisë shqiptare”në konferencën shkencore të Universiteti të Shkodrës, po edhe në artikuj e pjesë të librave të mi. të dialektologjisë dhe të etnografisë së të folurit.
Të pranishmit e nderuar në këtë tubim, po edhe masa e gjerë e studjuesve dhe e shkollarëve shqiptarë e më gjerë, Martin Camajn e përkujtojmë me nderim e vlerësime të larta meritore për atë çfarë bëri e la mbi dhe (e për këtë dheun tonë të vuajtur e të pleksur me mall e lot), pavarësisht se qe i shtrënguar të rronte për pjesën më të madhe të jetës në Itali e në Gjermani dhe, as mbas viteve ’90, ndonëse liria tashmë kishte ardhur, ai nuk e pa kurrëmë Shqipërinë dhe do t’i mbyllte sytë larg Temalit të vet, në Gjermaninë e madhe, ku të tilla (të mëdha e të të vyera) qenë edhe bëmat e ndihmesat që kreu ai si studiues e si profesor në Universitetin e Mynihut. Diku në poezinë e tij, Camaj thotë në mënyrë metaforike se ndërsa kishte lindur në një vend të varfër e ku, kur vdiste dikush, bëheshin drekë të mëdha “me ngi të unshmit e thneglat e lamit”, ai u nda së gjallësh “në një vend të ngimë”, në Gjermaninë e pasur, ku në drekët mortore japin “vetëm kafe të hidhëta”.
Martin Camajn e përkujtojmë sot si studjues dhe si poet e shkrimtar të përmasave të mëdha, si profesor të disa universiteteve me emër të madh, si Universiteti i Romës “La sapienza”, ku ai qe edhe “krahu i djathtë” i Ernset Koliqit në Institutin e Albanologjisë e bashkë me të cilin drejtoi edhe revistën e mirënjohur “Shejzat” (Le Pleiadi); në Mynih e gjetiu në universitete gjermane, ku themeloi qendrën albanologjike dhe katedrën e shqipes e përgatiti atje një çetë studjuesish, ish-studentë të tij, sot albanologë të mirënjohur si Walter Breu, Armin Hetzer, Elvira Glaser, Gabirele Birken -Silverman etj., të cilët kanë hulumtuar me kujdes e zell në lëmin e filologjisë e të albanistikës arbëreshe e shqiptare, duke ecur me nderim e mirënjohje në hullitë e mjeshtrit e mësuesit të tyre, prof. Martin Camajt.
Martin Camaj jetoi e punoi kryesisht në dhe të huaj, sepse vetëm vitet e fëminisë e të rinisë i kaloi në vendlindjen e tij, në Shqipëri, porse ai kudo që u gjend diti të mbahej fuqishëm në rrënjët shqiptare dhe pohoi aq fisnikërisht, kudo e kurdoherë, se i përkiste një visi të vogël, por të shtrenjtë për të : malësisë shqiptare, Dukagjinit malor e Shkodrës sonë, të dalluar ndër shekuj për bijtë e saj të mëdhenj që ka nxjerrë e që e kanë nderuar dhe e nderojnë në botën e jashtme.Lindi në Temal dhe mësimet e para i mori në Kolegjin Saverian të Shkodrës, në atë qendër të shquar të kulturës shqiptare,prej nga kishin dalë edhe më parë breza veprimtarësh e atdhetarësh, që i dolën zot shqiptarisë. “Camaj – siç e ka theksuar me të drejtë studiuesi arbëresh F.Altimari, – ishte eksponenti i fundit i asaj tradite të lashtë e të lavdishme kulturore shkodrane”.
Në vitin 1946, kur u mbyllën Kolegji Saverian dhe të gjitha shkollat fetare në Shqipëri, Martini u detyrua t’i ndërpriste studimet dhe më 1949 la atdheun, u arratis në Jugosllavi, ku menjëherë u regjistrua në Universitetin e Beogradit.Atje studioi sllavistikë dhe u njoh me poezinë popullore ballkanike. Pikërisht në atë kohë shhkroi edhe vjershat e para dhe nisi t’i botjë ato në Prishtinë .Më 1950 doli përmbledhja e tij e parë me vjersha, e cila do të kishte ndikim të mirë në formimin e brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë. Më 1956 Martin Camaj shkon në Itali dhe regjistrohet në Universitetin e Romës “La sapienza” në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë, ku, më 1960, mbron tezën e laurës me një temë rreth “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në vitet që studioi në Romë ai ndoqi ligjeratat e Giuseppe Ungaretit dhe ra në kontakt me hermetizimin, rrymë letrare që pati një farë ndikimi në krijimtarinë letrare të mëpastajme të Martinit. Gjithashtu, asokohe, u njoh me kulturën dhe me letërsinë e arbëreshëve të Italisë e me disa nga përfaqësuesit e tyre në zë, si Antonio Guxeta (Guzzetta), Françesko Solano, Xhuzepe Gradilone etj. me të cilët lidhi miqësi dhe bashkëpunoi ngusht e për kohë të gjatë. Në Romë Martini jetoi dhe veproi për një kohë të gjatë, bashkëpunoi me shkrimtarin e njohur Ernest Koliqi dhe me revistën e tij “Shejzat”, duke u bërë, më vonë, edhe kryeredaktor i saj. Për disa vjet në Romë Camaj punoi si ligjërues (lektor) i gjuhës shqipe në katedrën që drejtonte Koliqi dhe nisi, kështu, karrierën e tij të shklëqyeshme letrare si poet e si romancier, po edhe u bë i njohur si studiues i problemeve letrare dhe i dialekteve të shqipes, sidomos të arbëreshevë et Italisë. Në vitin 1965 Camaj u transferua në Gjermani, ku do të vazhdonte edhe më me fryt karrierën e tij akademike në fushën e albanologjisë, duke u emëruar, në fillim, docent e më 1971 profesor titullar i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut.
Në Gjermani, Camaj gjeti një mjedis të përshtatshëm për studime dhe ku, qysh para se të mbërrinte ai atje, kishte pasur edhe një kah të mbarë studimesh të dialektologëve gjermanë me theks e prirje të veçanta ndaj të folmeve të diaspoirës arbëreshe të Italisë. Mund të përmendim se, në vargun e romanistëve, për interesimin që tregoi për të folmet arbëreshe të Italisë, vend të veçantë zë gjuhëtari gjerman Gerhard Rolfs (Rohlfs) (1892-1986). Fusha e përhershme e studimeve të tij, siç dihet, kanë qenë gjuhët romane, por ai, në këtë kuadër, kur studioi dialektet dhe onomastikën e Italisë Jugore, u ndesh edhe me mjediset aloglote të arbëreshëve dhe jo vetëm nuk u kaloi anash, por u dha vend të mirë në veprat e tija. Përmendim se, Rolfsi, si anketues dhe realizues i pikave të Italisë Jugore dhe të Sicilisë për “Atlasin gjuhësor dhe etnografik të Italisë dhe të Zvicrës Jugore” (që u botua midis viteve 1928 dhe 1940 nga Jakob Judi e Karl Jabergu), midis tetëdhjetë pikave të anketuara futi edhe një ngulim arbëresh e pikërisht Firmozën (Acquaformosa) që figuron në hartat e AIS me numrin 751.
Mbi të dhënat e mbledhura nga Rolfsi në Firmozë, një tjetër dialektolog gjerman, Rypresht Ror (Ruprecht Rohr) përpunoi një studim doktorati me titullin Firmoza, një ngulim arbëresh në Veri të Kalabrisë, Pika 751 në AIS (Acquaformosa eine albanische Kolonie in Nord Kalabrien, Der Punkt 751 auf dem Sprach- und Sachatlas Italiens und Sudschweiz), që e mbrojti më 1954-n në Universitetin e Lirë të Berlinit. Më pas, Rori e zgjeroi edhe më tej kërkimin e tij rreth së folmes arbëreshe të Firmozës, duke u përqendruar më fort në sistemin morfologjik të saj, po edhe në një varg dukurish të tjera të sintaksës e të leksikut. Ai jep, gjithashtu, shqyrtime interesante e të hapëta me karakter sociolinguistik dhe historiko-kulturor, si dhe përsiatje rreth arbërishtes si gjuhë në kontakt e nën ndikimin e italishtes.
Fryt i kësaj vëmendjeje të posaçme që Rori u jepte të folmeve arbëreshe në Italinë e Jugut e në Sicili ka qenë edhe vijimi i kërkimeve në ato mjedise nga prof.Martin Camaj dhe nga nxënës të Rohrit e të tij, si Gabriele Birken-Silverman, e cila me shumë përkushtim po merret me studimin e dialektologjik e sociolinguistik të së folmes arbëreshe të Piana deli Albanezit e të Kuntisës. Gjithashtu, këto vitet e fundit, me shumë interes po kërkojnë nëpër të folmet arbëreshe të Italisë disa studiues të rinj gjermanë, ish- nxënës të Martin Camajt, si Valter Broi (Breu) dhe Elvira Glaser.
Martin Camaj për të folmet arbëreshe të Italisë
Në kuadrin e ndihmesave dhe punës për njohjen, studimin dhe vlerësimin e të folmeve arbëreshe të Italisë nga ana e studiuesve gjermanë, meritë të veçantë ka edhe Martin Camaj (1925-1992), i cili nuk qe gjerman, por jetoi dhe punoi për shumë vjet në Gjermani dhe ku, prej vitit 1965 deri në vitin 1990 drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Mynhenit. Martin Camaj, një nga albanologët më të shquar të fundshekullit tonë, para se të shkonte në Gjermani si profesor e titullar i katedrës, kishte marrë një formim të gjerë filologjik e gjuhësor në Universitetin e Romës, në fillim si nxënës e pastaj si asistent i Ernest Koliqit pranë katedrës së gjuhës e të letërsisë shqipe. I përket pikërisht asaj periudhe “romane” të tij njohja e parë me mjediset dhe të folmet e diasporës arbëreshe të Italisë. Pasi u transferua në Mynhen, për rreth tridhjetë vjet, Camaj pjesën kryesore të kërkimeve të tija ua kushtoi pikërisht gjuhës, folklorit dhe letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kështu, që nga fillimi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’80, ai kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Këto studime dialektologjike të Camajt, të mbështetura në metodologjinë gjuhësore strukturale sipas modelit të gjuhësisë funksionale të A. Martinesë etj. përbënin një ndryshim rrënjësor në kërkimet dialektologjike në trevat arbëreshe e përgjithësisht në dialektologjinë shqiptare. Mund të përmendim këtu studimin për të folmen e Greçit “La parlata albanese di Greci” (1971), që është monografia e parë e plotë e një të folmeje arbëreshedhe që u ndoq pastaj me një numër përshkrimesh të tjera dialektologjike. Ai ka botuar, gjithashtu, një numër të madh artikujsh e ndihmesash rreth dukurive të veçanta të të folmeve arbëreshe të Italisë, si p. sh. rreth dygjuhësisë italo-arbëreshe, rreth tipologjisë së arbërishtes, mbi disa mbeturi të së folmes arbëreshe të Villa Badesës, si dhe rreth plurilinguizmit ndër arbëreshët e Amerikës.
Prof. Martin Camaj e mbajti postin shefit të katedës së shqipes në Universitetin e Mynihut për njëzet vjet radhazi, deri më 1990-91, kur doli në pension. Rasti e kërkon të theksojmë se, për hir të veprimtarisë së tij të zhvilluar në atë qendër, si dhe nga emri i mirë e reputacioni i gjerë që kishte Martin Camaj në Gjermani, u arrit që në Universitetin e Mynihut albanologjia të bëhej një “Fachstudium” dhe është i vetmi universitet i Evropës Perëndimore që lëshon tituj pasuniversitarë “Magister-artium” dhe “Doctor philosophie”. Ky, sigurisht, është nder i madh dhe krenari për kombin e popullin shqiptar, nga gjiri i të cilit kanë dalë pinjoj të tillë të shquar. Mjerisht, ai nderoi Shqipërinë dhe shqiptarët me veprat që u blatoi e me një jetë të tërë vepruese e të përkushtuar ndaj gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, kurse atij, sa qe gjallë, në Shqipëri studiuesve dhe shkollarëve nuk iu lejohej as t’ia lexonin veprat, as t’ia përmendnin emrin në radhën e shkrimtarëve dhe studiuesve.Pa dyshim, një qëndrim i tillë ka qenë dhe mbetet një njollë e zezë e një turp për historinë e Shqipërisë, në faqe e zezë që urojmë të mos përsëritet kurrëmë me asnjë krijues a studiues, po edhe që duhet rikuperuar me aq sa është e mundshme në kohën tonë. Kurrë nuk është vonë për t’ua vënë në vend nderin që u takon bijve më të shquar të kombit shqiptar. Pa dyshim, një prej atyre bijve të shquar është edhe prof. Martin Camaj, poet, shkrimtar, dramaturg dhe albanolog i dallaur shqiptar, që punoi e jetoi kryesisht në dhe të huaj, porse ai, me zemrën e tij të pavdirë, qe kurdoherë në Shqipëri e në çdo vis të saj.
Ky bir i maleve tona, i gjatë e i pashëm si pak të tjerë, qe edhe i pajisur me zell për studim e talent për shkrimtari dhe, mbi të gjitha, me vullnetin e shpirtin e papërkulshëm e me zemër liridashëse, kishte një personalitet vetanak ku takohen dy përmasat njerëzore për të cilat fliste shpesh studjuesi i madh rumun Mirçea Eliade: “dimensionin diellor, që synon në njohjen shkencore, dhe dimensionin hënor, që synon krijimin artistik”. Është fakt që, shkenca dhe letërsia, apo sipas përfytyrimit eladian: dielli e hëna, shkrihen në zotimin intelektual të kësaj figure të shquar të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili gjakoi në një impenjim të drejtuar në mënyrë konvergjente mbi hulumtimin e një kulture mijëravjeçare, që për shumë shekuj kishte rrojtur vetëm si traditë gojore, e pashkruar dhe që Camaj i qaset, nga një anë, me kërkimet e tij gjuhësore mbi tekstet e vjetra të shqipes e mbi të folmet arkaike të diasporës arbëreshe dhe, nga ana tjetër, me shfrimin e ndjeshmërisë së tij moderne në krijimtarinë letrare si poet e prozator. Pra, në saje të dy palë dhuntive: shkencore e letrare, Martin Camaj do të lëvronte në drejtime të ndryshme, por me një bosht e taban të përbashkët mbarëshqiptar: në albanologji e në fushën e letërsisë dhe, për të dyja fushat, jep vepra të mëdha e që për hir të tyre ai u njoh dhe mbeti si figurë e shquar në botën e qytetëruar evropiane ku jetoi dhe qe, për shumë kohë, si një dëshmitar e pohues i vlerave dhe i historisë së popullit shqiptar, pavarësisht se (për një paradoks që ndodhi vetëm nën diktaturën komuniste të kohës) emri dhe veprat e tij konsideroheshin krejt të ndaluara në Shqipëri deri në periudhën e shndërrimeve demokratike. Kjo gjë, sigurisht, e hidhëronte dhe e brengoste krijuesin e shquar, por nuk e ligshtonte e nuk rreshti për asnjë çast nga puna e tij e palodhur për t’ia bërë të njohur botës së qytetëruar të mirat dhe virtytet e Shqipërisë së lashtë. Ai shkruan për vlerat e pavdira të kulturës së popullit shqiptar, që ishte mbërthyer në “rrathë gjaku” nga pushtuesit e huaj në të kaluarën e nga diktatura e kuqe në gjysmën e dytë të shek.XX,por që, prapëseprapë, ishte popull vital e që meritonte tjetër të ardhme, tjetër hapësirë kulturore, tjetër hapësirë jetike.
Kështu, autori ynë merr pjesë në të tashmen historike të kombit shqiptar, por tashmë edhe në një përmasë të kohës më komplekse në të cilën kujtimi i së shkuarës dhe projeksioni i së ardhmes shkrihen në një ideim të vetëm dhe vërtetë original, siç e gjejmë në vjershat dhe sidomos në romanet e tij “Rrathët”, “Karpa’, “Diella” etj.
Gjatë gjithë viteve të karrierës së tij akademike, si docent e profesor i gjuhës shqipe në universitete të ndryshme të Evropës, si dhe me veprën e tij letrare, Martin Camaj ka përfaqësuar një pikë referimi të sigurtë për të gjithë studiuesit e huaj që merren me albanologji dhe për intelektualët e diasporës.
Martin Camaj nuk la trashëgimtarë, as djalë as vajzë, porse ai na ka lënë veprën e tij në shumë vëllime: në poezi, në prozë dhe studimet shkencore rreth gjuhës e dialekteve arbëreshe e më gjerë, një përmendore e artë dhe vertet e shndritshme, për hir të së cilës, emri dhe lavdia e tij do të jenë përherë të gjalla në zemrat e mendjet e breznive të sotme e të atyre që do të vijnë.
U lumtë organizatorëve që na mblodhën sot për ta përkujtuar e për të shprehur vlerësimet meritore për këtë burrë të madh të letrave shqipe, që jetoi e punoi në dhe të huaj, në Itali e në Gjermani,por që jo vetëm nuk u shpërshqiptarizua, por, përkundrazi, aty ku rrojti ai krijoi një “shtëpi të vetën”, një shtëpi shkencore, një qendër, katedër e më vonë edhe institute të studimeve shqiptare; ai, për ta thënë malësorçe ”si çmoskush tjetër”, me sa shkroi e ligjëroi ndër vite, mendjen e zemrën i pati te Shqipëria e te shqiptarët, ashtu si e tha edhe në fjalët e tij të mbrame: “Unë jam i jueji e ju jeni të mitë”.
Me tubimin e sotëm, me sa thamë këtu, po edhe me sa kemi shprehur edhe më parë vlerësimet e nderimin që i takojnë një burri të shquar si Ai, qoftë edhe me vonesë, ia kemi shpluhuruar sadopak përmendoren e artë që i takon në lëmin e albanologjisë dhe të letërissë shqiptare. Po e mbyll, duke parafrazuar pikërisht atë thënien e tij të bukur: Martin Camaj ishte dhe mbetet i yni, se edhe ne, qoftë edhe kur nuk e kemi munduar as t’ia përmendnim emrin, kemi qenë gjithmonë të tijtë.
Tiranë, 10 tetor 2024