Prokuroria e Korçës, në vijimësi të hetimeve lidhur me rastin e 42 vjeçarit Egli Proga, i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, ka zbardhur një detaj të ri për këtë ngjarje.
Sipas organit të akuzës, ka pasur ndërhyrje në kamerën e brendshme të lokalit ku dhe nisi konflikti midis viktimës dhe autorit.
“Per momentin konkluduam qe ka nderhyrje ne kameren e brendshme te lokalit.”, shprehet Prokuroria e Korçës.
Këtu tashmë nisin dhe dyshimet për deklaratën e pronarit të lokalit ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë, i cili me vendimin e marrë nga Gjykata e Korçës në 12 tetor ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Voltan Shulku është shprehur për uniformat blu se kamerat e sigurisë së lokalit të tij nuk kanë regjistruar asgjë dhe se ai nuk e ka parë asnjë moment të përplasjes fizikes mes viktimës dhe autorit Denis Meçe.
Shulku ka pretenduar se Egli Proga ka qenë në gjendje të dehur dhe se kur ka ndodhur sherri mes 42 vjeçarit dhe 29 vjeçarit, ai ka qenë pas banakut.
“Pak më vonë kam dëgjuar disa persona që kanë folur me zë të lartë dhe kërkonin ujë. Kam parë se shtetasi Egli ishte shtrirë në tokë dhe aty ishin mbledhur shumë persona të tjerë. E kam ngritur duke e kapur nga trupi, por ai nuk reagonte megjithëse i kam nxjerr gjuhën jashtë”, ka rrëfyer Voltan Shkulaku.
Ai është shprehur se viktima kishte gjak në fytyrë dhe se në bisedën e fundit që kanë bërë bashkë, Egli i kishte thënë që “jam i mërzitur, do ta mbyll lokalin fare”.
Dëshmia e pronarit: Egli ka ardhur në lokal 10 minuta para ngjarjes. Sapo ka hyrë në lokal ka porositur një birrë dhe është ulur në tavolinën time dhe të shokut tim. Në atë moment i kam dhënë birrën dhe më pas jam ngritur dhe po pastroja në banak. Shpjegoj se Egli kishte konsumuar alkool te lokali i tij, rreth 50 metra më tutje larg timit. Në kohën që unë jam ngritur për të pastruar ai është ngritur dhe ka shkuar në tualetin e lokalit. Nuk jam shumë i sigurt, që sapo ka dalë nga tualeti është ulur në tavolinë apo ka dalë jashtë. Pak më vonë kam dëgjuar disa persona që kanë folur me zë të lartë dhe kërkonin ujë. Unë jam hutuar në atë moment dhe kur kam dalë jashtë nuk kam nxjerrë ujë, por një nga rruga ka sjellë një bidon. Kam parë se shtetasi Egli ishte shtrirë në tokë dhe aty ishin mbledhur shumë persona të tjerë. E kam ngritur duke e kapur nga trupi, por ai nuk reagonte megjithëse i kam nxjerr gjuhën jashtë.
Ai në atë moment nxirrte vetëm shkumë nga goja. Aty ka ardhur ambulanca që e ka marrë dhe e ka çuar në spital, ndërsa unë kam vazhduar te lokali. Kur kam hyrë në tualet kam vënë re se ai kishte nxjerrë aty pasi kishte të vjella. Kam bërë pastrimin e tualetit dhe te lokalit dhe kam bërë mbylljen e lokalit. Isha aty kur ka ardhur policia. Ai ishte vetëm kur ka ardhur te lokali im. Ska bërë asnjë lloj debati apo konflikti. Ka ndenjur shumë pak kohë, pasi gjysmën e birrës ka pirë dhe është ngritur dhe ka shkuar në tualet. Ai nuk është zënë me njeri aty. Aq pak sa ndenja unë me të ai ishte mërzitur dhe më ka thënë se ;do ta mbyll lokalin fare. Nuk kam folur me asnjë nga personat aty pasi më ka zënë gjaku se ai ishte me gjak në fytyrë. Unë ia kam fshirë me kartopeceta dhe nuk kam komunikuar me asnjë deri sa erdhi policia që na ka shoqëruar në komisariat. Kamera që kam unë te lokali, e kam kontrolluar dhe nuk regjistronte fare, por vetëm sa sheh në moment dhe asgjë më tepër.
Vendimi i gjykatës për dëshmitarët
Sakaq, ditën e sotme, Gjykata e Korçës ka marrë vendimin për të rikthyer në burg 3 dëshmitarët lidhur me vdekjen e 42 vjeçarit Egli Proga, ngjarje kjo e ndodhur më 10 gusht 2024 në qytetin e Pogradecit.
Tre dëshmitarët, Leonidha Guçe, 47 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Voltan Shulku, 40 vjeç, deri më sot ndodheshin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por kjo tashmë ndryshon pasi Gjykata e Korçës caktoi ndaj tyre “arrest me burg”.
Këta të tre kanë deklaruar se nuk e kanë parë ngjarjen e ndodhur por vetëm kanë shkuar pranë viktimës pasi kanë dëgjuar të bërtitura.
Por Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës shprehet se këta të tre kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe nuk kanë kallëzuar krimin, duke penguar kështu në zbulimin e së vërtetës.
Egli Proga dyshohet të jetë vrarë nga shtetasi Denis Meçe. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka pasur si qëllim vrasjen e 42 vjeçarit, pasi sipas tij ka tentuar të goodasë viktimën por nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë pasi proga ka rënë në tokë.
Pas kësaj Meçe deklaroi se është larguar i çorjentuar.
Nga ana tjetër, ekspertiza mjeko-ligjore, përshkruan se tek viktima janë konstatuar fillimisht dëmtime në ballë, hundë, vesh faqe dhe supin e djathtë.
Këto dëmtime, shkruhen të jenë shkaktuar nga mjet të fortë mprehës, apo dhe goditja me grushte.
“Hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor” rezulton të jetë arsyeja e vdekjes së 42 vjeçarit.
Gjithashtu, në akt ekspertizën cilësohet se në mostrën e gjakut të viktimës u zbulua prania e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/L.
Kjo akt ekspertizë ka rrëzuar deklaratën e bërë nga Meçe se nuk e ka dhunuar.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka lehtësuar akuzën për Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, gjë që ngjalli reagime të ashpra nga opinioni publik, po kështu përplasje mes organeve Policia e Shtetit – Prokuroria e Korçës – Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës. Për këtë lehtësim të akuzës, familjarët e viktimës kërkuan ndryshimin e prokurores së çështjes, e cila ishte Vasjana Postoli. Kjo kërkesë u pranua nga Drejtuesi i Prokurorisë së Korçës.gsh