Imazhe të reja janë publikuar nga rasti i Egli Progës, 42 vjeçarit i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe në datën 10 gusht 2024.
Siç shihet dhe në foton e mëposhtme, Proga po mbahej nga 3 burra për ta futur në autoambulancë teksa është pa ndjenja.
Në vendin e ngjarjes, e njohur si “Agjencia” për banorët e Pogradecit, shihen disa forca të uniformave blu dhe shumë qytetarë të cilët në pamje të parë duken të shqetësuar.
Nga fotoja duket se të pranishmit kanë tentuar të përmendin 42 vjeçarin me një shishe ujë, për t’i dhënë kështu ndihmën e shpejtë për shkak të plagëve.
Sakaq, ditën e sotme, Gjykata e Korçës ka marrë vendimin për të rikthyer në burg 3 dëshmitarët lidhur me vdekjen e 42 vjeçarit Egli Proga, ngjarje kjo e ndodhur më 10 gusht 2024 në qytetin e Pogradecit.
Tre dëshmitarët, Leonidha Guçe, 47 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Voltan Shulku, 40 vjeç, deri sot ndodheshin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por kjo tashmë ndryshon pasi Gjykata e Korçës caktoi ndaj tyre “arrest me burg”.
Këta të tre kanë deklaruar se nuk e kanë parë ngjarjen e ndodhur por vetëm kanë shkuar pranë viktimës pasi kanë dëgjuar të bërtitura.
Por Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës shprehet se këta të tre kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe nuk kanë kallëzuar krimin, duke penguar kështu në zbulimin e së vërtetës.
Egli Proga dyshohet të jetë vrarë nga shtetasi Denis Meçe. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka pasur si qëllim vrasjen e 42 vjeçarit, pasi sipas tij ka tentuar të goodasë viktimën por nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë pasi proga ka rënë në tokë.
Pas kësaj Meçe deklaroi se është larguar i çorjentuar.
Nga ana tjetër, ekspertiza mjeko-ligjore, përshkruan se tek viktima janë konstatuar fillimisht dëmtime në ballë, hundë, vesh faqe dhe supin e djathtë.
Këto dëmtime, shkruhen të jenë shkaktuar nga mjet të fortë mprehës, apo dhe goditja me grushte.
“Hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor” rezulton të jetë arsyeja e vdekjes së 42 vjeçarit.
Gjithashtu, në akt ekspertizën cilësohet se në mostrën e gjakut të viktimës u zbulua prania e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/L.
Kjo akt ekspertizë ka rrëzuar deklaratën e bërë nga Meçe se nuk e ka dhunuar.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka lehtësuar akuzën për Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, gjë që ngjalli reagime të ashpra nga opinioni publik, po kështu përplasje mes organeve Policia e Shtetit – Prokuroria e Korçës – Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës.gsh