Dy fëmijët më të mëdhenj të kryeministrit të ndjerë italian Silvio Berluskoni thuhet se po takohen me këshilltarë për të diskutuar mënyrat për të rikthyer në pushtet partinë politike të babait të tyre dhe për të sfiduar partinë qeverisëse të kryeministres Giorgia Meloni, Vëllezërit e Italisë, raportoi Bloomberg të martën.
Silvio Berluskoni ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 86-vjeçare. Ai ishte kryeministri më jetëgjatë i Italisë së pasluftës, duke qeverisur vendin për pjesën më të madhe të viteve 1990 dhe 2000 në krye të partisë Forza Italia, të cilën ai e themeloi në vitin 1994.
Sipas Bloomberg, që nga fundi i korrikut, fëmijët e Berluskonit, Marina dhe Pier Silvio, janë takuar me strategun politik të babait të tyre, Gianni Letta dhe ish-presidentin e Parlamentit Europian, i cili tani është ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Berluskonët thuhet se kanë ndarë ide për ekonominë, perandorinë e tyre të biznesit, si dhe të ardhmen e partisë Forza Italia.
Marina, 58 vjeçe, aktualisht drejton kompaninë Holding të familjes Berluskoni, Fininvest SpA, ndërsa vëllai i saj Pier Silvio, 55 vjeç, është në krye të konglomeratit mediatik MediaForEurope, i njohur më parë si Mediaset.
Gazeta pretendon se klani Berluskoni ka synuar të largohet nga bota e korporatave dhe të rinovojë radhët e vjetra të Forza Italias dhe ta çojë atë në pikën ku mund të sfidojë partinë Vëllezërit e Italisë, partnerin e koalicionit të tyre.
Fëmijët e kryeministrit të ndjerë thuhet gjithashtu se janë përpjekur të ndikojnë në politikën e qeverisë, me sa duket duke u përpjekur të parandalojnë vendosjen e taksave të reja mbi fitimet bankare, sipas Bloomberg.
“Berluskonët po përgatiten”, tha për Bloomberg Giovanni Orsina, kreu i departamentit të politikës në Universitetin LUISS në Romë. Ai sugjeroi që një nga fëmijët e Berluskonit madje mund të “marrë kontrollin” nëse Meloni kalon “në modalitetin e krizës” dhe krijon një vakuum pushteti.
Raporti i Bloomberg vjen pasi partia e Melonit ka pasur mosmarrëveshje me disa nga aleatët e saj politikë, si edhe me shërbimet e inteligjencës së vendit, ndërsa Roma ka qenë gjithashtu në përplasje me Brukselin për politikën buxhetore.
Sipas Bloomberg, besohet se klani Berluskoni synon ta shfrytëzojë këtë mundësi për t’u rikthyer në pushtet dhe tashmë po “mobilizohet në prapaskenë”, duke ushtruar edhe më shumë presion mbi ekipin e Melonit. / Bloomberg – Syri.net