LAJMI:
Çmimi letrar për poezinë, “Camaiore – Francescco Belluomini”, që jepet ndër vite në Itali, është i njohur dhe i rëndësishëm, sipas kritikëve, është institucioni i vlerësimit që i kushtohet tẽrẽsisht veprave mẽ të mira, të botuara në Itali, jo vetëm të autorëve italianë, por dhe poetëve nga bota.
Janë nderuar me këtë çmim – njoftohet, – poetë italianë si Alda Merini, Alberto Bevilacqua, Corrado Calabrò, Maria Luisa Spaziani, Dante Maffia, Davide Rondoni, etj, dhe nga bota Shenjtẽria e Tij Papa Carol Wojtyla, poeti rus Evgenij Jevtushenko, rumunia Anna Blandiana, suedezi Kjell Epmark, nikaraguani Ernesto Cardinal, prift, etj, e deri te nobelisti irlandez Seamus Heaney.
Media italiane i bëri jehonë ecurisë së kësaj ngjarjeje. Bëri të njohur jurinë, të kryesuar nga Michele Brancale – studiues, gazetar dhe poet, Cinzia Demi – poete, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino, personalitete të letrave, kritikë arti, poetë, studiues.
Ndërkaq do të ishte dhe një juri tjetër popullore, që në ditën e ceremonisë së dhënies së çmimit, mes publikut pjesëmarrës, do të nxirrte me votim mes 5 kandidatëve një fitues.
U shqyrtuan botimet nga prilli 2022 deri në mars 2023. Mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi, u sekeksionuan 25 prej tyre dhe dolën 7 poetë kandidatë nga bota për Çmimin Ndërkombëtar:
• Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia,
• Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia,
• Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania,
• Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca,
• Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba,
• Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia,
• Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria.
Në votimin e tyre më të fundit, juria profesionale për vitin 2024 shpalli fitues poetin shqiptar Visar Zhiti për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, botim nga “Puntoacapo Editrice”, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, përkthyer nga Profesor Elio Miracco.
Lajmin e dhanë juria e çmimit, Komuna e Camaiores, më pas Agjensia Kombëtare e Shtypit Italian ANSA, u perhaps në mediat e tjera, shkruajtën revista e PEN Clubit Italian deri dhe gazeta më e madhe italiane, e përditëshmja “Corriere della sera”.
Jehonë pati dhe në median shqiptare, u botua në gazetën “Panorama” në Tiranë, ndërsa televizioni “Vizion plus” i mori një intervistë Visar Zhitit dhe shkruajtën gazetat shqip të diasporës nëpër botë.
PËRURIMI NË MILANO:
Botuesi “Puntoacapo” caktoi një ditë për të përuruar në Milano librin fitues, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia” me praninë e autorit Visar Zhiti…
U mblodhën lexues të shumtë, poetë, gazetarë, italianë dhe shqiptarë, kishin ardhur dhe nga qytete të tjera, mes tyre dhe një bashkëvuajtës i Visarit në burgjet e diktaturës në Shqipëri, tani me banim në Itali, studiuesi, kritiku letrar Eugjen Merlika, i cili do ta niste kështu shkrimin e tij, që do të botontenë gazetë “Dielli” në SHBA:
“Më datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze “Tadini”, në rrugën N. Jommelli 24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia/“Strade che scorrono dalle mie mani”. Autori i vëllimit është poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare sot në botë…
Madje njëra nga antaret e Jurisë së Çmimit Camaiore, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin në Milano, – vazhdon shkrimin e tij Eugjen Merlika.
Në drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë, gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që… ishte krenare për origjinën e saj. Ajo, mbas vitesh pune në gazetën “Il giorno”/“Dita”, kishte në kujdes Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij…”
Melina Scalisse ndali te gjuha, te misteri i fjalës së Zhitit, që ajo ia njihte rrënjët dhe e ndjente si frymë dhe histori.
“…shkrimtari Zhiti iu përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve, profesor Mauro Ferrari, poet e Cristina Daglio, ndërkohë dhe bouesit. Ai, – thekson Merlika, – u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ato të arrestimit, të dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ato që përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit.
Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria, udhëtimet, etj.
Nga salla do të ngrihej të fliste dhe padre Gianni Criveller, njohës i thellë i persekutimit të poetëve në Lindje dhe Kinë, ku ka shërbyer si misionar. Ndër të tjera ai tha se vuajtja njerëzore është kthyer në vlerë poetike. Këtë theksoi dhe poetja bjelloruse Lara Putsileva.
Edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali, Skënder Lazaj do të nxirrte përshtypjet e tij nga takimi:
“…Nisemi nga Brescia, së bashku me antarët e LSHASHI, Ndue Shabaku, Valbona Jakova dhe poeten Daniela Dante, promovonte veprën e tij Antarë i Nderit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Itali!…
Takimi i përzemërt me Visarin dhe me zonjën e tij Edën, qe sa emocionues aq dhe i ngrohtë, mes një atmosfere arti, ku veç poezisë aty ekspozoheshin pikturat e autorit Tandini, por dhe të autorëve të tjerë, mes tyre dhe të piktorit të famshëm shqiptar Ibrahim Kodra.
Aktiviteti çelet me prezantimet, dhe natyrisht me përshkrimin e jetës së autorit dhe veprës së tij letrare.
Drejtoresha e Muzeut, gazetarja Melina Scalise, bëri një analizë të veprës dhe fjalës poetike në veçanti, ku evidentoi forcën e fjalës dhe në kushte izolimi, shpirtin e paepur të autorit dhe forcën e besimit, i cili i rezistoi edhe mizorive të regjimit.
Atmosferën e elektrizuan recitimet në shqip të poezive të Visarit nga Eda, kaq bukur dhe aq ëmbël derdhej poezia e tij dhe në italisht, recituar nga poetja italiane Cinzia Demi.”
I rikthehem shkrimit të Eugjen Merlikës, ja ç’shton ai:
“…duke patur në dorë vëllimin, lexohej në kapakë dhe kjo shprehje nga shkrimtari i madh Italian, Umberto Eco:
‘Shihni… ndodhia e Visar Zhitit, që i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ….. dhe fitoi me të drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit.”
Dhe më pas:
‘Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së Vendit të tij.’ Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa: (Robert Elsie, albanolog kanadezo-gjerman).
Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të vëndeve ku veprat janë përkthyer e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studiuesit kanadez është një nga pikat kulmore, ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të ardhmen e tij.’
“Duke përmbyllur analizën, botuesja Cristina Daglio iu drejtua poetit: “Ndërmjet të gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë tuaja, cili do t’ishte ai më domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi…?
Poeti, mbas një çasti përsiatjeje, u përgjigj: Dashuria.
Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e të fuqishme. Mendoj se ishte çasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.”
CEREMONIA NË CAMAIORE:
“Ndarja e çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në këtij shtatori me të ftuar fituesin, Visar Zhiti, – shkruante Eugjen Merlika, – në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh, në provincën e Lukës në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare, muzeumet e traditën e qilimave”.
Nga dritaret dukej deti si një poemë e kaltër përjetësie. Rrugëve ishin vendosur pllakatet “Camaiore është poezi”. Në sallën e madhe vinin vazhdimisht njerëz. Në krye ishte një ekran dhe shfaqeshin librat dhe emrat e autorëve.
Që në fillim veprimtarinë e përshëndetën Kryetari i Bashkisë së qytetit, Marcello Pierucci dhe Raffaela, vajza e themeluesit të këtij çmimi, e poetit Francesco Belluomini.
Gazetarë të televizionit vendas filmonin takimin dhe merrnin në intervista poetët që ftoheshin në skenë. Nga sipër vinin ndriçimet, ndryshonin ngjyrë si emocionet dhe binin mbi fletët e poezive…
Presidenti i jurisë profesionale, Michele Brancale, thirri si fitues të Çmimit Ndërkombëtar Visar Zhitin. Motivacionin e dhënies e lexoi poetja dhe anëtarja e jurisë, Ciznia Demi:
SIRENEU MODERN I KRYQIT
“Poetika e “Rrugëve që rrjedhin nga duart e mia” të Visar Zhitit, një libër i botuar dygjuhësh shqip-italisht, riprodhon më së shumti historinë e poetit, një prej të paktëve të mbijetuar të burgut, të mbyllur për të punuar në minierat shqiptare nën regjimin e Enverit Hoxhës: faji i tij ishte se kishte shkruar vargje të dhimbshme, të papërshtatshme për lëvdatat pushtetit. Zhiti nuk hoqi dorë nga kënga edhe në burg, vazhdoi të kapej pas poezisë, prostitutës që më denoncoi në polici. – siç e ka përkufizuar ai në një intervistë – dhe duke mos pasur letër ku të vazhdonte të shkruante tekstet, vargjet u mësuan përmendësh nga ai dhe të burgosurit e tjerë, në mënyrë që ato të mbeteshin, nëse ai nuk do të mbetej gjallë.
Në këtë vëllim i ripërshkohen ato vite, pa asnjë venë urrejtjeje. I tradhëtuar nga poezia, Zhitit nuk i vjen keq kurrë për veten, por për njeriun që vuajti, për të ngjashmin e tij që i kanë shkaktuar vuajtjet.
Në poezinë e tij nuk është vetëm përplasja mes një regjimi tiran dhe poetit, por diçka më e keqe: njeriu kundër njeriut. Duke përqafuar mundimin dhe dhimbjen e të tjerëve, por duke derdhur lotët e tij, mesazhi poetik i Zhitit bëhet universal dhe i kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare, duke e bërë atë dëshmitar të vuajtjeve të njerëzimit. Ajo e Zhitit është një litani laike, por vargjet e tij përshkohen nga një ndjenjë besimi e shqetësuar që gjen në simbolin e Kryqit martirin e shëlbimit dhe zbulohet në Krishtin dhe Nënë Terezën: ai nuk e paraqet veten si vuajtësin e fundit të dënuar të atij regjimit, por si një Sirene i kohëve moderne që merr mbi vete kryqin e të gjithëve”.
Visari kishte thënë që poezia iu bë dhe Madona që e ndihmoi të shpëtonte. Poezia e tij ishte ditari i tij shpirtëror.
Kryetari i Bashkisë, Francesco Pierucci, i dorëzoi Çmimin. Aktorët Alessandro Bertolucci dhe Giulia Battistini recitonin poezitë.
Duke falenderuar, Zhiti theksoi se e ndjente fort që ishte në vendin e Dantes, mbase poeti më i madh i të gjitha kohërave, që na dha me vargje jo vetëm Ferrin, nëntokën e dënimeve, por edhe Parajsën, që patjetër i jep shkëlqim qiellor dhe e bën po aq të rëndësishëm, se letërsinë e ushqejnë po aq sa dhimbja, edhe lumturia, ndërsa unë nga shkaku i poezisë e kalova ferrin tim dhe ajo ndërkaq më hodhi në një parajsë të saj…
Ndërkaq juria popullore mes 5 kandidatëve të poezisë italiane nxori fitues aty poetin Stefano Dal Bianco me librin “Paradiso”. Parandjenjë e Visarit apo ndikoi kur foli ashtu?
U ndanë dhe çmime të tjera e mirënjohje. Më pas të gjithë dolëm në kopshtet e bukura aty, buzëdetit tej si copëza parajse dhe Visarit i kërkonin autografe pranë shatërvanit nën drita dhe nën ujëvarën hënore. Edhe libri vetë dukej si i mbështjellë me hënë, me atë kopertinëm ku ishte një profil, vepër e piktorit Maurizio Caruso, “Mendim rinor”.
Dhe përsëri gazeta Corriere della Sera” e këtyre ditëve kishte në faqen kryesore të kulturës një shkrim me fotografi me titull: “L’albanese Visar Zhiti vince il Premio Camaiore: compose versi in carcere”.
Të bësh poezi në çdo burg, të dukshëm dhe të padukshëm edhe kur s’të lenë, krijo dhe me mend, me çastin tënd. Ai mendim rinor për jetën të jetë i përhershëm, me ato ndjenja dhe pasion si vetë poezia…
Ndërsa gazeta italiane “La Nazione” shkrimin e saj të tanishëm e titullon: “Në Camaiore fiton Poezia si gjuhë e paqes”.
Se koha është e shqetësuar, lufta çuditërisht po gjëmon andej-këtej në glob, ajo s’është kurrë larg kur vriten njerëz me mijëra, mes tyre fëmijë dhe poetë, copërlohen dhe poezitë, digjen në ajër nga bombat dhe raketat. Njerëzimit i duhet të flasë patjetër gjuhën e paqes.