Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit të paktën 17.9 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, thotë një raport i publikuar të hënën nga projekti Kostoja e Luftës në Universitetin Brown. Sipas raportit, publikimi i të cilit përkon me përvjetorin e sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, ndihma ushtarake amerikane çoi në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Rreth 4.86 miliardë dollarë të tjera janë shpenzuar në operacionet e shtuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon që nga sulmet e 7 tetorit 2023, thanë studiuesit e përfshirë në përpilimin e këtij raporti, të cilin ata e ndanë me agjencinë e lajmeve Associated Press. Kjo përfshin kostot e operacioneve të udhëhequr nga marina amerikane për të frenuar sulmet ndaj anijeve të transportit të mallrave nga rebelët e grupit Huthi në Jemen, të cilët thonë se po sulmojnë anijet për të shprehur solidaritetin e tyre me Hamasin. Këto dy organizata, që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur terroriste, mbështeten nga Irani.
Raporti, i përfunduar përpara se Izraeli të fillonte operacionet kundër militantëve të Hezbollahut në Liban në fund të shtatorit, është një nga llogaritjet e para të kostove të Shteteve të Bashkuara ndërsa administrata e Presidentit Biden mbështet Izraelin në luftën e tij në Rripin e Gazës dhe Liban dhe përpiqet të frenojë sulmet e grupeve të armatosura aleate të Iranit në rajon.
Përveç kostos financiare konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar edhe një numër të madh viktimash. Militantët e Hamasit vranë më shumë se 1200 njerëz në Izrael një vit më parë dhe morën peng 250 të tjerë. Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit u vranë rreth 42,000 njerëz në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në raportet e saj mbi numrin e të vrarëve.
Të paktën 1,400 njerëz, duke përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe civilë, janë vrarë në Liban që kur Izraeli zgjeroi sulmet e tij ndaj atij vendi në fund të shtatorit.
Kostoja financiare u përpilua nga Linda J. Bilmes, profesore në Fakultetin e Qeverisjes “John F. Kennedy”, të Univeristetit të Harvardit, e cila ka vlerësuar kostot e plota të luftërave të Shteteve të Bashkuara që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, dhe kolegët e saj William D. Hartung dhe Stephen Semler.
Ja një vështrim se ku shkoi një pjesë e parave të taksapaguesve amerikanë:
Ndihma ushtarake amerikane për Izraelin në nivel rekord
Izraeli, një vend nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara që nga themelimi i tij në vitin 1948, është përfituesi më i madh i ndihmës ushtarake amerikane në histori, duke marrë 251.2 miliardë dollarë dollarë, një shifër që merr parasysh inflacionin, që nga viti 1959, thotë raporti.
Megjithatë, 17.9 miliardë dollarë të shpenzuara që nga 7 tetori 2023, është deri tani ndihma më e madhe ushtarake e Uashingtonit për Izraelin në një vit. Shtetet e Bashkuara morën angazhimin për t’i dhënë miliarda dollarë ndihmë ushtarake në vit Izraelit dhe Egjiptit pasi ato nënshkruan traktatin e paqes të ndërmjetësuar nga Uashingtoni në 1979 dhe që nga nënshkrimi i një marrëveshje nga administrata e Presidentit Obama për përcaktimin e ndihmës vjetore amerikane për Izraelin në 3.8 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2028.
Ndihma amerikane që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës përfshin financimin e projekteve ushtarake, shitjet e armëve, të paktën 4.4 miliardë dollarë tërheqje nga rezervat amerikane të armëve dhe dërgimin e pajisjeve të përdorura.
Pjesa më e madhe e armëve të Shteteve të Bashkuara për Izraelin gjatë këtij viti ishin municione, duke përfshirë predha artilerie, bomba 900 kilogramshe kundër bunkerëve dhe bomba me vetëdrejtim.
Shpenzimet mes tjerash përfshijnë edhe 4 miliardë dollarë për municione për sistemet e mbrojtjes nga raketat “Mburoja e Hekurt” (Iron Dome) dhe “Llastiku i Davidit”, (David’s Sling), si dhe fonde për blerje armësh dhe karburant për avionët, thotë studimi.
Ndryshe nga ndihma ushtarake e dokumentuar publikisht e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, ishte e pamundur të merreshin detajet e plota të gjërave që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit që nga 7 tetori i vitit të kaluar, kështu që shifra prej 17.9 miliardë dollarësh për një vit është e pjesshme, thonë studiuesit.
Ata përmendën “përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për të fshehur sasinë e plotë të ndihmës dhe llojet e sistemeve përmes manovrimit burokratik”.
Financimi për aleatin kryesor të Shteteve të Bashkuara gjatë një lufte që ka shkaktuar një numër të madh viktimash civile ka ndarë amerikanët gjatë fushatës presidenciale. Por mbështetja për Izraelin ka patur prej kohësh peshë në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe Presidenti Biden tha të premten se “asnjë administratë tjetër nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se administrata e tanishme”.
Operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme
Administrata e Presidentit Biden ka shtuar praninë e saj ushtarake në rajon që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, me qëllim frenimin e çdo sulmi të mundshëm ndaj forcave izraelite dhe atyre amerikane në rajon.
Këto operacione shtesë kushtuan të paktën 4.86 miliardë dollarë, thuhet në raport, pa përfshirë ndihmën e shtuar ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Egjiptin dhe partnerët e tjerë në rajon.
Shtetet e Bashkuara kishin 34,000 forca në Lindjen e Mesme në ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor. Ky numër u rrit në rreth 50,000 në muajin gusht kur dy aeroplanmbajtëse ndodheshin në rajon, me synimin për të frenuar sulmet hakmarrëse pas vrasjes nga Izraeli të udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran. Aktualisht, rreth 43,000 trupa amerikane janë të pranishme në Lindjen e Mesme.
Lufta kundër rebelëve të grupit Huthi
Ushtria amerikane u dislokua në rajon që nga fillimi i luftës në përpjekje për të frenuar sulmet e përshkallëzuara të grupit Huthi, një fraksion i armatosur që kontrollon kryeqytetin dhe zonat veriore të Jemenit dhe ka qëlluar në drejtim të anijeve të transportit të mallrave në Detin e Kuq në shenjë solidariteti për palestinezët në Rripin e Gazës. Studiuesit e quajtën koston e Shteteve të Bashkuara prej 4.86 miliardë dollarësh një “sfidë të papritur të ndërlikuar dhe asimetrikisht të shtrenjtë”.
Grupi Huthi ka vazhduar sulmet ndaj anijeve që kalojnë në këtë rrugë kritike detare të transportit të mallrave, duke shaktuar reagimin e Shteteve të Bashkuara me sulme ndaj pikave të lëshimit të raketave në Jemen. Kjo është bërë beteja më intensive detare me të cilën marina amerikane është përballur që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar aeroplanmbajtëse të shumta, luftëanije, raketa me vetëdrejtim dhe raketa të shtrenjta shumëmilionëshe kundër dronëve iranian të grupit Huthi, që kushtojnë 2,000 dollarë”, thonë autorët.
Vetëm të premten, ushtria amerikane sulmoi dhjetëra pozicione të grupit Huthi në Jemen, që kishin në shënjestër sistemet e armëve, bazat dhe pajisjet e tjera, thanë zyrtarët.
Llogaritjet e studiuesve përfshinin të paktën 55 milionë dollarë pagesa shtesë për ushtarët, për pjesëmarrje në operacione të intensifikuara luftarake në rajon.