Një blog-ere italiane që i ka shkelur 90 vende të botës dhe e njohur si “nomade digjitale” i ka vënë pikësynim aventurës dhe tërheqjes së saj të zbulimit përmes udhëtimeve edhe Antarktidës në të ardhmen. Prej 2018, Valentina Borghi e ushtron këtë pasion të saj dhe në 10 Shtator, botoi dhe vendosi disa fotografi në blog-un e saj në internet me idenë se çfarë mund të vizitosh në Tiranë për 2 ditë, pra për fundjavën. Sipas këtij profesioni të pavarur udhëtimet, kërkimi, vendet, popujt, klima, tradita, personazhet, fotot dhe videot janë një sipërmarrje që kërkon veç pasionit kohë dhe cilësi. Nga ilustrimet fotografike (në qoftë se nuk janë të huazuara), duket se fundi i muajit Maj 2024 me tirana-musiconference, i ka shërbyer si nxitje e vizitës dhe e ka paraqitur në një artikull me titull “Cosa vedere a Tirana (Albania)”, “Çfarë duhet parë në Tiranë (Shqipëri)”. E gjithë kjo i përket një procesi pune, por se çfarë ka Veliaj dhe Rama një ditë po dhe një ditë jo angazhojnë stafe dhe redaktorë të ndryshëm për ta vendosur të njëjtën përmbajtje me si lajm kryesor në ATSH dhe me dedikime bashkiake e kryeministrore, kjo nuk e gjen dot rastin e përsëritur deri në një shkallë të tillë. Se si këta dy “promovues të turizmit” i ushtrojnë presion medias kjo tashmë përforcohet. Që një blog italian të kishte folur se ç ‘mund të bësh në Tiranë për dy ditë, kjo ishte edhe një menu e edicioneve të lajmeve të televizioneve kombëtare gjatë fundjavës dhe kjo bëhet gjithnjë në raporti me atë që Shqipëria nuk ka vetëm katastrofë nga përmbytjet këto ditë, por edhe komente suksesesh. Pra mirë mjeshtrit si Veliaj dhe Rama për të tërhequr vëmendjen e ushtrojnë këtë, por edhe më servilë tregohen televizionet që meqenëse ATSH-ja e ka përmendur kryeministrin (dy ditë më parë ishte edhe Veliaj me të njëjtin shkrim), atëherë le t’jua ngremë moralin shqiptarëve sa atyre t’u zbresë niveli i përmbytjes.
Ku shkojnë gazetarët me këtë nënvleftësim për atë që çdo ditë ndodh me jetën e qytetarëve, madje dhe në ditë të vështira si këto?
Asnjë kërkim më thellë për t’i thënë edhe me kritikë dashamirëse pushtetarëve, më ngadalë se u bë baltë(!). Na duhet ta përdorim këtë gjuhë sepse të plotpushtetshmëve u ka ngordhur nervi dhe ndjenjat për veten ndaj nuk ka se si të bëjnë ndryshe për shoqërinë.
Për të mos u ndalur tek propaganda sepse kjo çështje do të kthehej si një qëllim në vetvete, dy janë aspektet teknike që të shqetësojnë dhe që të bëjnë të mendosh se publikime të tilla bëhen dhe përsëriten atëherë kur koha duket e përshtatshme dhe si me porosi. Nga muajt Maj-Shtator dhe tani Tetor kur ky blog serviret, kuptimi propagandistik i tij është mjaft i lexueshëm.
Porosia 1-Shkrimi i përkthyer i ATSH-s Veliaj dhe Rama në dy ditë të njëpasnjëshme për blogun nga Valentina, na jep disa pika takimi interesante në Tiranë të cilat i kemi dëgjuar në premtimet elektorale.Është i njëjti refren. Flitet për shesh Skënderbej, por sheh Kullë dhe Pallat Kulture. Flitet për Xhaminë e E ‘them Beut dhe ilustrimi ka brendësinë e saj, por të tjerat pas janë “menu-ja e projekteve” të Bashkisë me Pazarin, BunkArt-in, Piramidë, Blloku, Shtëpia me gjethe, vjetërsirat e ri jetësuara të regjimit të diktaturës që vazhdojnë dhe shiten si art nostalgjie për vizitorët 1-2 ditorë. Pra një inventar i pushtetit të Rilindjes Socialiste që riciklohet në çdo rast zgjedhjesh si arritje për të përmendur shifrat e eurove të shpenzuara në projekte korrupsioni.
Po përse nuk duket më monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu?
Në herët e fundit edhe nga mediat e huaja në atë shesh monumenti po humbet vendin gradualisht. Është zvogëluar po aq sa është edhe i mbuluar nga podiumet e koncerteve të bujshme që e pompojnë Tiranën si qyteti Mesdhetar i Kulturës, por prapë heroi nuk e ka ndierë ndonjëherë mirëmbajtjen dhe pastrimin nga pluhurat e ndërtimeve veç fatit të shirave kur bien.
Porosia 2- Ndikimi për numrin e vizitorëve turistë. Kjo është arsyeja kryesore dhe pjesa e zhurmës dhe e strategjisë. “Çfarë duhet parë në Tiranë” për 1-2 ditë. Ky pikësynim, pra 1-2 ditor është thelbi i vërtetë i fluksit të lartë ose i “miliona turistëve” që zgjedhin Shqipërinë dhe që rekomandohet nga agjenci udhëtimesh të cilat kanë si linjat ajrore me çmime të ulëta, duke e plotësuar paketën e pushuesve me shumë destinacione shtetesh dhe me kosto të ulët.
Porosia 3- Të ndijer në luftë të vazhdueshme me mediat ndërkombëtare për korrupsionin, kapjen e drejtësisë dhe goditjes së opozitës, Veliaj dheRama me të tilla porosi mediatike dhe armatë patronazhimi të mediave dhe rrjeteve sociale, kërkojnë të ruajnë imazhin tashmë të kalbur dhe të degraduar në sy të shqiptarëve brenda dhe në diasporë.
Vend për porosi të katërt nuk ka pasi Rilindja Socialiste edhe kur i përsërit e i amplifikon lajmet në media e di mirë se përse i bën. Kaos dhe mjegull informacioni. E rëndësishme është që gazetarët e faktit panë me sytë e tyre se reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan dëme materiale në pronat e shtetasve dhe vunë në rrezik jetët e tyre. Në shumë raportime pushteti vendor dhe qendror nuk ka shprehur gatishmërinë dhe përgjigja e njësive të emergjencave për të larguar përmbytjen, risjellë furnizimin me ujë dhe energji, pa folur për asistencë mjekësore dhe ushqimore për moshat më nevojtare, ka qenë me cilësitë më të dobëta.
Gërryerja e shtetit nga korrupsioni ka arritur kulmin e krizës dhe vlerat e përgjegjësive zhvishen qoftë edhe nga goditjet e fatkeqësive natyrore e ditëve të fundit. Problematika kryesore që shoqëria tashmë e ka kuptuar është keq qeverisja në çdo nivel dhe pazotësia për t’ju përgjigjur krizave që gjithmonë thellohen.
6 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)