Ushtria izraelite tha se kreu sulme ajrore të hënën mbi pozicionet e Hamasit në gjithë Rripin e Gazës, një vit pasi një sulm i Hamasit në Izraelin jugor shkaktoi një luftë që përfshin përleshjet në Liban dhe shqetësimet për një konflikt rajonal.
Objektivat përfshinin pozicionet e raketave të Hamasit. Grupi militant palestinez tha të hënën se hodhi raketa në zonat pranë disa vendkalimeve kufitare në jug të Izraelit.
Ushtria izraelite tha gjithashtu se goditi objektivat e grupit militant Hezbollah në Liban, duke përfshirë sulmet në Bejrut, në pjesë të Libanit jugor dhe në Luginën Bekaa.
Raketat e Hezbollahut goditën qytetin verior izraelit Haifa, ku sipas medieve izraelite të paktën 10 persona mbetën të plagosur.
Hezbollahu tha se kishte vënë në shënjestër një bazë ushtarake izraelite në jug të Haifas.
Përpara përvjetorit të së hënës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi trupat e tij të dielën në Izraelin verior.
“Një vit më parë, ne pësuam një goditje të tmerrshme”, tha kryeministri Netanyahu, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij. “Në 12 muaj që nga ajo kohë, ne kemi ndryshuar realitetin në tërësi. E gjithë bota është e habitur nga goditjet që po u jepni armiqve tanë. Unë ju përshëndes dhe ju them: ju jeni brezi i fitores”.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Joe Biden, do të shënojë përvjetorin e sulmeve të hënën, duke përfshirë edhe ndezjen e qirinjve.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje në një telefonatë të dielën me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, thuhet në një deklaratë të Pentagonit.
Sekretari Austin “përsëriti angazhimin e palëkundur të SHBA-së për sigurinë e Izraelit, një armëpushim në Gaza dhe një zgjidhje diplomatike që u mundëson qytetarëve të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit Izrael-Liban”, tha sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.
Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 veta në sulmin e tyre të 7 tetorit të vitit 2023 në Izraelin jugor. Ata morën gjithashtu peng rreth 250 njerëz, rreth 100 prej të cilëve mbahen ende nga grupi militant.
Fushata e sulmeve ajrore dhe tokësore të Izraelit ka lënë pas vetes rreth 42,000 palestinezë të vrarë dhe më shumë se 97,000 të plagosur, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ministria nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve, por ka thënë se vetëm më shumë se gjysma janë gra dhe fëmijë.
Si Hamasi ashtu edhe Hezbollahu janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë.
*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters