HALIL RAMA *MJESHTER I MADH/ Ndër 400 studentët shqiptarë që kishin studiuar në Akademinë Militare në Modena të Italisë dhe që refuzuan të bëjnë betimin fashist në Romë 85 vjet më parë, ishte edhe Edip Daci, akademisti që nuk iu nënshtrua as fashizmit, as komunizmit. Kalvarin e tmerrshëm dhe qëndresën ndaj pushtuesit, si dhe në burgjet e diktaturës të këtij pinjolli të një familjeje me tradita të forta patriotike të Dibrës së Madhe, e ka rrëfyer mjeshtërisht në një dokumentar televiziv, si dhe në librin e saj “Jetë mes dallgësh”, e bija e tij Ida Daci Abdiu.
Dokumentari si dhe monografia që u promovuan të martën, më 17 shtator 2024, në amfiteatrin e Dibrës së Madhe, prezantojnë në detaje jetën dhe veprimtarinë patriotike të Edip Dacit. Ai nuk e kishte njohur babain e tij, Muratin, që si shumë burra të tjerë të kullës së Dacit, e kishte kaluar jetën duke luftuar ndaj shovinistëve serbë. Murati ishte vrarë herët duke lënë jetimë 3 djemtë e tij të vegjël, mes tyre edhe Edipin, të cilët do të rriteshin me ndjenja të larta atdhedashurie e do të ecnin në hapat e babait të tyre martir. E ëma e tij, Fiqirie Daci (Hajdaraga), mbesë e Iljaz pashë Dibrës, edhe pse kishte mbetur vetëm pa të shoqin që në moshën 28-vjeçare, ua kishte kushtuar jetën tre djemve të saj, të cilët do të shkolloheshin e do të hynin me dinjitet në analet e historisë së Shqipërisë, ndër intelektualët më të spikatur shqiptarë të mesit të viteve 1900.
REFUZIMI PËR TË BËRË BETIMIN FASHIST
“Ishte pragu i Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria befas do të pushtohej nga Italia fashiste në prillin e vitit 1939. Pikërisht në atë kohë, në Modena, Edip Daci dhe gjithë akademistët e tjerë shqiptarë si ai ishin revoltuar nga akti i pushtimit të vendit të tyre. Të gjithë studentët shqiptarë, pothuajse pa përjashtim, por veçanërisht ata tek akademia që studionte im atë, e pritën me indinjatë dhe me tmerr pushtimin fashist. Nuk dinin se si të shprehnin revoltën në kohën kur autoritetet italiane i morën të 400 studentë dhe nxënës shqiptarë, i çuan në një ambient shumë komod për të bërë betimin fashist në mes të Romës. U bënë prova mbi 2 javë. I çuan nëpër koncerte, nëpër hotele, nëpër veprimtari që t’u mbushnin mendjen dhe kështu betimi i tyre do të përforconte atë akt të turpshëm të autoriteteve shqiptare, që shkuan dhe zbritën në Bari dhe iu drejtuan Romës me kurorën e Skënderbeut, për t’ia dhuruar Viktor Emanuelit dhe do të përligjte pushtimin fashist. Dhe Shqipëria të bëhej si një pjesë e Italisë.
400 studentët, aty në atë kuadrat edhe im atë, duke qarë, tepër të indinjuar, në 2 javë që iu bënë prova, nuk pipëtinë dhe në momentin kur të gjitha autoritetet italiane ishin rreshtuar në podium dhe admirali do të përmendte betimin italian, e këta do të thoshin: ‘betohem’, në 400 studentët nuk pipëtiu askush. Asnjëri nuk miratoi dhe nuk u betua nën flamurin italian. Admirali që drejtonte betimin iu kthye autoriteteve dhe tha: ‘Këta janë shqiptarë dhe nuk e kanë kuptuar mirë, po e përsëris edhe njëherë’. Dhe ndërsa ai kishte nxjerrë shpatën e po përsëriste më me forcë betimin nën flamurin italian, përsëri, asnjëri nga 400 studentët, nuk pipëtiu. Autoritetet italiane u munduan të sfumonin këtë akt heroik të studentëve dhe nxënësve shqiptarë dhe menjëherë futën diçka tjetër për të mos rënë në sy ky skandal që u ndodhi. Një grup të mirë nga studentët, si Skënder Çaçi e shumë e shumë të tjerë i burgosën, ndërsa këta të tjerët, një pjesë i përjashtuan nga akademia dhe një pjesë i lanë për të mos bërë bujë dhe të mos e popullarizonin këtë akt heroik të studentëve shqiptarë. Një ndër këta studentë, ishte edhe im atë”, – rrëfen ndër të tjera Ida Daci Abdiu, në dokumentarin televiziv “Jetë mes dallgësh”.
Nga ky dokumentar, si dhe nga libri i saj me të njëjtin titull, mësojmë se pas diplomimit në Akademinë Ushtarake në Modena, Edip Dacit i ofrohen disa punësi, ndër të cilat mund ta vijonte karrierën e tij ushtarake. E caktojnë fillimisht të inkuadrohej si ushtarak në Abisini, por Edip Daci refuzoi, duke thënë se ai ishte shkolluar për t’i shërbyer vendit të tij.
DEZERTIMI NGA LUFTA ITALO-GREKE
“Ne i kemi dhënë fjalën dhe jemi betuar që pas mbarimit të shkollës, do t’i shërbejmë atdheut tonë, që sot kur atdheu ynë është i pushtuar nga fashistët, më shumë se kurrë ka nevojë për dijet tona”, – mendoi Edip Daci dhe u kthye në atdhe. Në këtë kohë, krahas pushtimit, ekzistonin disa batalione të ushtrisë shqiptare. Edip Dacin e caktuan në një nga këto batalione. Përsëri pushtuesit italianë donin t’i përdornin mish për top oficerët e shkolluar jashtë dhe të parët që i vunë në frontin e parë, në luftën italo-greke, ishin batalionet shqiptare të kryesuara nga Spiro Moisiu e nga shumë figura të njohura ushtarake, të cilët duke e parë që ata donin patjetër t’i shfrytëzonin këto figura të rëndësishme, jo vetëm që nuk morën pjesë, por sabotuan duke hequr gjilpërat e topave dhe të mitralozëve.
Ata dezertuan frontin grek dhe një pjesë iku në drejtim të Korçës e me radhë, ndërsa im atë me batalionin e tij u kthye nga Vlora dhe në Shqipërinë e Mesme, duke ecur në këmbë, të drobitur. Në Shqipërinë e Mesme i arrestojnë dhe i internojnë në kampin e Marikajt, ku e pa veten në listat e antifashistëve më të tërbuar që kishin përpiluar italianët. Pasi lirohet nga kampi i internimit, Edip Daci dhe shumë ushtarakë të tjerë të diplomuar jashtë si ai, dërgohen për pak kohë si pjesë e ushtrisë shqiptare në viset e Kosovës. Të gjithë ata besonin me zemër se Shqipëria etnike, ajo ëndërr e kahershme, do të bëhej realitet. Por fatet e vendit të tyre ishin shkruar më herët prej Fuqive të Mëdha e kjo rrugë nuk do të mund të ndryshonte.
Kjo u pa qartë në fund të luftës, kur pushtetin e morën komunistët dhe Kosova mbeti në Jugosllavi. Gjatë viteve të luftës, siç tregon Ida, babai i saj Edipi dhe xhaxhai Vehapi, edhe ai i diplomuar jashtë vendit, kishin mbajtur të njëjtën qëndrim kundërshtues ndaj pushtuesve. Në atë atmosferë të viteve të luftës të dy vëllezërit ishin fejuar dhe kishin ndërtuar familjet e tyre, duke ëndërruar se lufta do të përfundonte e ata do t’i shërbenin atdheut.
ZHGËNJIMI NGA PABESIA E REGJIMIT KOMUNIST TË PASLUFTËS
“Pabesia e kohës bëri që i gjithë ky kontribut, e gjithë kjo luftë, i gjithë ky sinqeritet i madh t’u shkojë kot. I vëllai, i përqendruar me një batalion me ushtrinë shqiptare në Pogradec, bie ndesh me një skuadër partizane dhe i bën thirrje komandantit: ‘Jemi shqiptarë, mos gjuani, jemi batalion shqiptar, jemi ushtarë shqiptarë që luftojmë kundër fashizmit”! Por ishte e kotë dhe në momentin e fundit u tha ushtarëve që të iknin, të gjenin një front dhe u vetëflijua vetëm e vetëm për të dhënë një imazh që nuk duhet të luftohet vëllai me vëlla.
Kjo qe disfata e parë që pësoi familja Daci. E ëma, pasi mori vesh këtë vdekje tragjike të djalit, e urdhëroi Edipin: ‘Nuk do ta veshësh më rrobën ushtarake, nuk ka ç’të duhet, sepse kjo punë po merr fund, shihe çfarë gjendje është’. Asokohe ai kishte kontribuar jashtë mase. Në Tiranë kishte një veprimtari me njësitet guerile sepse daja im, Petrit Strazimiri, nga bankat e shkollës shok me Qemal Stafën, lënë bankat e shkollës dhe kalojnë në ilegalitet në Tiranë, duke u ndihmuar edhe nga babai im, shumë. Dhe ai mbeti dëshmor për çlirimin e Kërçovës, ndërsa babi e hoqi rrobën ushtarake duke ia çuar në vend amanetin nënës së vet. U martua me nënën time nga një familje shumë e fisme, Strazimiri, vajza e një avokati që kishte mbaruar shkollën në Vjenë dhe kishte shërbyer në poste drejtuese të kohës”, – tregon Ida.
Nga rrëfimi i saj mësojmë se pasi kishte hequr rrobën ushtarake, duke parë situatën që po krijohej, pas martesës Edipi me familjen e tij banonin në një shtëpi të Hafëz Musait. Ai, duke parë inteligjencën dhe përgatitjen e këtij njeriu, ndërgjegjen tepër të lartë, e mori dhe i propozoi që ai të jepte teologji dhe frëngjisht në Medresenë e Tiranës. Fundi i luftës e gjen familjen e re të Edip Dacit në gjendje të vështirë. Të dy burrë e grua, Edipi dhe Remzia, kishin humbur nga një vëlla. Zia kishte pllakosur shtëpinë e tyre, por ditët e fundit të luftës lajmëronin edhe shumë sfida të tjera që i prisnin. Filluan reprezaljet e vitit 1944, kur çetat partizane këdo që shikonin dhe që i kishte shërbyer qeverisë paraardhëse, me dhjetëra e mijëra intelektualë i pushkatuan. Në ato kushte, Hafëz Musai, kryemyftiu i republikës, duke parë gjendjen që u krijua në Tiranë, i thotë: ‘Edip, ti duhet të largohesh nga Tirana sa të stabilizohet një çikë gjendja. Nuk po marrim vesh se çfarë po bëhet’. Dhe vetë ai e ndihmoi që të ikte nga Tirana, duke marrë një shtëpi me qira në lagjen e Haverikëve në Durrës, ku filloi punë si financier në hotelin “Vollga”.
ARRESTIMI PAS NGJARJES NË AMBASADËN SOVJETIKE
Ishin vitet e trazuara 1948, 1949, 1950. I larguar nga Tirana dhe i zhytur në punën e tij, duke qëndruar larg prozhektorëve, Edipi kërkonte të ngrinte në këmbë familjen e tij të vogël. Ai ishte patriot dhe si i tillë e shihte familjen e tij të vogël si një potencial të madh për të mbrojtur atdheun e për të punuar për atdheun. Edhe pse regjimi po tregohej i ashpër me të, ai çdo ditë thurte ëndrra për familjen e tij, e cila do të shtohej në numër e fëmijët e tij do të edukoheshin e do të punonin për vendin e tyre, duke çuar në vend amanetin e të parëve. Por, a do të shkonte jeta sipas ëndrrave të tij? Ishte viti 1951. Shkurt. Në Tiranë do të shënohej një ngjarje që do të trondiste opinionin publik.
Një ngjarje e inskenuar te legata sovjetike do të çonte në pushkatim 21 intelektualë. Kjo ngjarje do të lajmëronte një fat të hidhur, edhe për Edipin dhe familjen e tij. Ida tregon se si një mesnatë, një grup policësh e shqyen derën dhe u hodhën brenda shtëpisë. Ata u ndodhën befas përballë tyre, duke e arrestuar Edip Dacin me akuzën absurde “armiku i partisë dhe i popullit”. “Ajo natë nuk do të harrohej kurrë në familjen e Edip Dacit. Ai arrestim do të bëhej shkak për një kalvar të gjatë dhimbjesh e torturash që do e ndiqnin në jetë. E marrin zvarrë tri burra dhe të tjerët vazhdonin të kontrollonin, të shqyenin, të merrnin ç’ka ndodhej në shtëpi. Në fund i erdhi radha bibliotekës të krijuar me aq mund dhe djersë. Të gjithë librat që kishte studiuar në akademi, me të cilët kishte krijuar një bibliotekë, i morën me thasë dhe me krahë. Në një komo që ndodhej në shtëpi, ishte fotografia e një ushtaraku, ish-student i akademisë militare në Modena të Italisë. Bashkëshortes së tij i afrohet një person nga ata policët dhe i thotë: Hë moj armike, moj borgjeze, edhe fotografinë e Ahmet Zogut e mbani ju në shtëpi?!
Ajo duke u dridhur i thotë:
– Jo zotëri.
– Kujt i thua zotëri moj borgjeze.
Unë jam punëtor i partisë!
– Është fotografia kur im shoq është diplomuar. Ka qenë student im shoq, çfarë Ahmet Zogu?!
Duke e thyer dhe duke e shkelur me këmbë kornizën, polici e mori me vete fotografinë, për të treguar se çfarë fotografie mbajnë këta në shtëpi. Mendoni çfarë gjendje u krijua. Të nesërmen u mor vesh që 23 intelektualë shqiptarë dhe 200 e ca burra, mos më tepër, ndër ta edhe im atë, përfunduan nëpër birucat e degëve të punëve të brendshme, pas Tiranës edhe rrethe të tjera si Durrësi, Elbasani, Korça etj..
NJËMBËDHJETË MUAJ HETUESI SPECIALE
“11 muaj hetuesi speciale, 11 muaj, nuk mundem të përmend se të gjithë kemi lexuar, tortura të jashtëzakonshme. Vetëm një refren i ditës ishte për tim atë, edhe i natës, edhe i mesnatës: unë jam Edip Daci, historia e familjes sonë. Ne për këtë atdhe kemi flijuar breza të tërë… dhe i përmendte të gjithë: Ramiz Dacin, që si oficer madhor merr pjesë në të gjithë lëvizjen demokratike krah Isuf Xhelilit, krah Iljaz pashë Qokut, Vehbi Dibrës etj., dhe pati fatin të jetë pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë, jo si delegat, por si i ftuar. Ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, një ndër organizatorët dhe përçuesit e të gjitha ideve përparimtare të asaj treve dhe mbarëshqiptare… dhe paraardhësit tjerë të familjes Daci, që historikisht kishin treguar vlerat e saj patriotike, liridashëse dhe demokratike, duke u nisur nga stërgjyshërit tanë, duke i përmendur qysh nga Said Daci, i vjetër, shok, mik dhe bashkëluftëtar me Abdyl Frashërin; Xhem Daci, Shaqir Daci, si luftëtar i paepur jo vetëm për liri dhe demokraci kundër bullgarëve, turqve dhe më në fund serbëve, por ai ishte një pishtar që jo vetëm mori pjesë në të gjitha kuvendet që u organizuan nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit, por ai ishte një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për hapjen e shkollës së parë shqipe, në gjuhën shqipe, në Dibrën e Madhe…
Unë për këtë atdhe u ktheva nga akademitë, lashë diplomë ndërkombëtare dhe doja t’i shërbeja atdheut tim me dijet e mia. Më keni ngatërruar! Edhe ime më shpresonte se ishte bërë një gabim, se ata ishin njerëz jo vetëm të pafajshëm, ata ishin njerëz që ëndërronin për atdheun, për Shqipërinë e shkatërruar dhe të mjeruar, t’i shërbenin atdheut. Nëna ime ishte motër dëshmori. Por, edhe babai im. I vëllai i tij kishte luftuar kundër fashizmit, edhe ai vetë. Nuk e kuptonte se çfarë po bëhej. Do të kalonte 11 muaj të vështirë në hetuesi. Pushkatimi pa gjyq, i 22 intelektualëve tek ura e Beshirit, kishte çuar shkallën e terrorit në pikën më kulmore. Pas një ngjarje të tillë makabre kur sovranit i ishte dhënë grushti i rëndë prej diktatorit, nevojitej një periudhë qetësie dhe zbutje e represionit. Kjo periudhë përkoi me kohën kur Edip Daci mbahej në hetuesi dhe vetëm falë rrethanave historike ai i shpëton pushkatimit”, – rrëfen Ida Daci Abdiu në këtë dokumentar televiziv të realizuar me mjeshtri të rrallë artistike nga gazetarja e mirënjohur Admirina Peçi, dokumentar ky që u ndoq me vëmendje dhe interes të veçantë nga qindra pjesëmarrës, përfaqësues të botës akademike e të letrave.
AKADEMISTI I MODENAS EDIP DACI NË MINIERËN E BULQIZËS
Nënës sime nuk i hiqeshin nga sytë rrobat e gjakosura nga torturat dhe nuk po i besohej që ai u kthye gjallë në shtëpi. Mendoni, 11 muaj hetuesi speciale, i tmerruar, i trishtuar, nuk di se si mund t’jua përshkruaj, kthehet në shtëpi duke parë dy fëmijët e vegjël dhe nusen e re. Por kjo qetësi relative u prish shumë shpejt. Me urdhër të prerë, ai duhej të largohej nga Durrësi dhe vendi më i përshtatshëm për të tillë njerëz do të ishte Bulqiza. Babait tim i “dhuruan” kështu Bulqizën. Nuk e njihte atë terren, vetëm kur kishte kaluar nga Tirana në Dibër të Madhe me karvanët e kuajve. E megjithatë, në emër të jetës së dy fëmijëve do të bënte çdo sakrifice. Në një makinë i hodhën plaçkat, dy fëmijët dhe gruan e re dhe u nisën drejt Bulqizës. Ishte dhjetori i vitit 1952. Nëna ime ishte shtatzënë me mua, fëmija i tretë. Dhe unë aty linda”, – shkruan ndër të tjera Ida Daci (Abdiu) në librin e saj.
Është vërtetë tronditës ky rrëfim për jetën e Edip Dacit, ushtarak karriere, diplomuar në Akademinë Militare në Modena Itali, i cili edhe pse me një varg kontributesh dhe vepra patriotike, nuk i kishte shpëtuar hakmarrjes komuniste. E kishte përfshirë edhe Edip Dacin, vala e tmerrshme spastruese e vitit 1951, në radhët e intelektualëve shqiptarë. E çojnë në një familje bulqizake, tepër fisnikë edhe i thonë: “për një kohë do banoni këtu”, – duke ua hedhur plaçkat nga karroceria e makinës. Futen brenda të tmerruar, por dashamirësia dhe bujaria e asaj familjeje, e Abedin Duriçit, sikur ua shkriu pak akujt e shpirtit. Aty gjeti ngrohtësinë dhe besimin sepse paskan ngelur njerëz të mirë prapë, nuk qenkan të gjithë si hetuesit në Durrës, si policët, paska mbetur pak bujari dibrane asaj treve të Bulqizës. I çuan në atë barakë. Nuk u ofrohej punë as Edipit dhe as Remzies. Ata, me gjithë fëmijët e mitur, duhet t’i bënin ballë jetës së vështirë në atë qytet të vogël të ftohtë, nën survejim të pandërprerë.
Ai, akademist me pesë gjuhë të huaja, dilte çdo ditë dhe shiste gështenja që i piqte në një fuçi të prerë përgjysmë dhe gurabijet që ia përgatiste në shtëpi e shoqja. Me ato para do të mbijetonin për ca kohë. Pyetjet munduese për fatin e tij, kishin nisur të shuheshin. E rëndësishme ishte që kishte familjen dhe ishte gjallë. Shokët e tij ishin pushkatuar apo burgosur prej kohësh. Edhe pse rridhte e tillë përmes vështirësive, jeta ishte e vyer dhe ai ja dinte vlerën asaj çfarë kishte. Kështu rridhnin ditët në Bulqizë, derisa një ditë dikush ju afrua dhe i kujtoi se sigurimi i shtetit e mbante nën vëzhgim të rrepte prej kohësh… Dhe kalvari i strëmundimshëm i kësaj familjeje do të përfundonte njëherësh me përmbysjen e diktaturës, pas vitit 1990, kur tashmë fëmijët e Edipit qenë promotorë të asaj lëvizje të fuqishme dhe ecën dinjitetshëm, duke ngjitur me meritë shkallët e karrierës së tyre, çka do t’i bënte të ndjeheshin krenarë prindërit e shumëvuajtur.
JETA DHE VEPRA E EDIP DACIT SI TESTAMENT ATDHEDASHURIE
Për autoren e monografisë “Jetë mes dallgësh”, Ida Daci Abdiu, ndonëse personazhet që i japin jetë librit janë të fisit të saj emërndritur, në të përshkruhet me dhimbje dhe krenarisht drama-tragjedia, që përfshiu dy Dibrat gjatë shekullit 20. Përshkruhet qëndresa e dibranëve ndaj pushtuesve dhe regjimeve të urryera çnjerëzore. Në promovimin e librit, në praninë e qindra përfaqësuesve të elitës dibrane, jo vetëm nga Dibra e Madhe, por edhe nga Tirana e diaspora ajo ndjehej e qetë, sepse kishte përmbushur amanetin e babait të tij, duke e sjellë atë për lexuesin si testament atdhedashurie.
“Sot jam e qetë, sepse të gjithë ju në këtë sallë, të tjerë që mungojnë, të gjitha përkatësitë e ndjeshmëritë e ndryshme, konvergojnë në një pikë të vetme: distancimi e dënimi i shovinizmit e totalitarizmit, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut; në përpjekjet që e gjithë Dibra, ajo e Poshtme dhe ajo e Epërme, si pjesë të qenësishme të kombit shqiptar, të tejkalojnë urrejtjet e ndasitë dhe të ndihmojnë në udhëtimin tonë të përbashkët rajonal drejt strukturave euroatlantike”, – tha ndër të tjera Ida Daci-Abdiu.
Librin “Jetë mes dallgësh”, si dhe dokumentarin përkatës televiziv ajo i konsideron homazh për prindërit, Edip Daci dhe Remzie Strazimiri Daci, që i rritën me aq shumë mundime, por që s’mundën të rikthehen në Dibrën e tyre të dashur. Në këtë veprimtari promovuese mbresëlënëse, të moderuar mjeshtërisht nga “Mjeshtri i Madh” Defrim Methasani, vlerat dhe mesazhet që përcjell ky libër u evidentuan nga redaktori i tij, Lavdrim Shehu si dhe nga akademiku Adem Bunguri, ndërkohë që përshëndetën edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu (kunat i autores), prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, kryetari i Komunës Dibër e Madhe, dr. Hekuran Duka, ish-kryebashkiakët e Peshkopisë dhe Bulqizës, Ilir Krosi e Roland Keta etj..
“Në të gjitha faqet e librit, (si edhe në dokumentarin televiziv) autorja, duke u shprehur në vetën e parë, shfaqet tokësore, humane dhe pagabueshmërisht e vërtetë… Duke na dhënë një pasqyrë të jetës njerëzore për gjatë gjithë shekullit 20-të, ashtu si shkëmbinjtë që mbeten të egër e të fortë, të palëvizshëm e të pandryshueshëm, në çdo detaj para syve të lotit, ashtu do të qëndrojë e vërteta e Idës, kryelartë e krenare përpara epimit të kohës, që ka ndryshuar e do të ndryshojë vazhdimisht”, – tha ndër të tjera redaktori i librit Lavdrim Shehu.
Pjesëmarrësit pritën gjithashtu me ovacione “Mirënjohjen” që kryetari i Shoqatës Atdhetare Bulqiza, Bashkim Lami, i akordoi Edip Murat Dacit (pas vdekjes) në emër të kësaj shoqate, me motivacionin: “Mirënjohje për këtë bir të familjes patriotike Daci, nga Dibra e Madhe, që në disa breza luftuan e sakrifikuan për atdheun në luftë e në politikë, të përballur me kalvarin e dhimbshëm të disa bijve. Intelektual i shquar, akademist ushtarak shembullor në Modena e kundërshtar i fashizmit. Mirënjohje e vlerësim për jetën me sakrifica të mëdha të tij dhe familjes, që nuk iu nënshtrua as fashizmit e as komunizmit, duke u përballur me diktaturat me trimëri e burrëri. Qytetar e prind shembullor që rriti dhe edukoj me sakrifica fëmijët në Bulqizë, duke mbajtur lart dashurinë për punën, jetën e atdheun”.
/Gazeta Panorama