Pesë ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të njoftonte se do të lehtësonte kushtet nën të cilat Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër një armiku, një nga po këto lloje armësh shpërtheu në mënyrë spektakolare.
Sarmat, raketa më e re balistike ndërkontinentale e Rusisë, predha e gjeneratës së re për të cilën Putini ishte mburrur, shpërtheu gjatë një incidenti të pashpjeguar më 20 shtator, duke rrafshuar pemë, ndërtesa në vendin e testimit në Plesetsk, sipas imazheve komerciale satelitore.
Në adresimin e tij në Këshillin e Sigurisë së Rusisë më 25 shtator, që u transmetua përmes televizioneve, Putin nuk e përmendi këtë aksident. Por ai u sigurua që bota – mbi të gjitha NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara – të dëgjonin se çfarë ai dëshironte që ata të dëgjonin: Ai po përditësonte doktrinën bërthamore të Rusisë.
“Versioni i përditësuar i dokumentit propozon se agresioni kundër Rusisë nga çdo shtete që nuk ka armë bërthamore, por me pjesëmarrjen apo mbështetjen e një shteti që posedon armë bërthamore, duhet të konsiderohet si një sulm i përbashkët kundër Federatës Ruse”, tha ai.
Që nga shkurti i vitit 2022, kur ai dërgoi dhjetëra mijëra trupa përtej kufirit për të pushtuar Ukrainën, Putin vazhdimisht ka sinjalizuar dhe kërcënuar se Rusia është e gatshme që ta përdorë arsenalin e saj bërthamor – më të madhin në botë – për të mbrojtur veten.
Ai ende nuk i ka përdorur këto armë. Por, ai dhe zyrtarë të tjerë kanë vazhduar me kërcënime, disa të tërthorta e disa të drejtpërdrejta. Këto kërcënime i mbajnë zgjuar natën ekspertët e kontrollit të armëve, analistët ushtarakë dhe politikbërësit.
Deri kur Moska të publikojë specifikat e ndryshimeve të doktrinës – që për herë të fundit ishte përditësuar më 2020 – është e vështirë të dihet çfarë, apo në qoftë se ka ndryshuar diçka, tha Nikolai Sokov, ish-diplomat rus dhe negociator për kontrollin e armëve, që tani punon në Qendrën e Vjenës për Çarmatosje dhe Mospërhapje.
Por, sigurisht se ky është një sinjal, tha ai.
“Nuk shoh diçka të re në thelb, gjithçka që Putini tha veçse ka ekzistuar që një kohë të gjatë”, tha Sokov për Radion Evropa e Lirë. “Ai ishte më specifik sa i përket politikës ekzistuese, por shtoi detaje të reja, të përshtatura me situatën aktuale”.
“Kjo paraqet një sinjal, një paralajmërim për NATO-n, teksa NATO-ja vazhdon të shqyrtojë nëse armët perëndimore duhet të përdoren për sulme me rreze të gjatë veprimi”, tha ai duke iu referuar përpjekjeve aktuale të Ukrainës për të marrë leje që të godasë më shumë caqe brenda Rusisë.
Në deklarimet për gazetarët një ditë më pas, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo ishte pikërisht ajo që synohet.
“Duhet të konsiderohet si sinjal specifik, një sinjal që paralajmëron këto shtete për pasoja nëse marrin pjesë në një sulm ndaj shtetit tonë përmes mënyrave të ndryshme, jo domosdo përmes armëve bërthamore”, tha Peskov.
“Doktrina është një instrument i gjallë”
Për gjenerata të tëra, ligjvënësit sovjetikë dhe tani ata rusë janë mbështetur në mjetin e pengimit strategjik në politikën e tyre ushtarake dhe të huaj, duke tentuar të detyrojnë një shtet tjetër të bëjë atë që Moska dëshiron, duke sinjalizuar ose kërcënuar me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.
Në dekadën e fundit, Putin ka rritur ndjeshëm buxhetin për forcat e armatosura, përfshirë edhe për arsenalin bërthamor. Këtu përfshihen edhe modele të reja sikurse raketat balistike ndërkontinentale Sarmat, të cilat janë vënë në përdorim pavarësisht se kanë pasur të paktën tri incidente paraprake, por edhe armë hipersonike dhe raketa lundruese me aftësi bërthamore.
Arsenali i Rusisë – si ai i armëve strategjike, sikurse janë raketat me rreze të gjatë, dhe ai i armëve taktike që janë më pak të fuqishme sikurse predhat e artilerisë që kanë material bërthamor – tani është më i madh në botë dhe arsenali i SHBA-së është i dyti, pak më prapa.
Zyrtarët perëndimorë – veçmas ata që qëndrojnë pa gjumë gjatë natës duke menduar se kur Moska mund të vendosë që t’i lëshojë raketat e saj – shikojnë nga afër deklaratat publike jo vetëm të Kremlinit, por edhe ato që bëhen nga Ministria e Mbrojtjes dhe zyrtarët e lartë të politikës së jashtme. Parimet Themelore të Politikës Shtetërore për Pengim Bërthamor quhet doktrina zyrtare që përcakton se kur do të përdoren armët dhe nën çfarë kushtesh.
Më 2020, zyrtarët publikuan një version të përditësuar të doktrinës, edhe pse në të nuk kishte ndryshime të mëdha.
Moska mund të përdorë arsenalin e saj bërthamor “në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore apo llojeve të tjera të armëve të shkatërrimit në masë kundër saj dhe/ose kundër aleatëve të saj, si dhe në rast të agresionit kundër Federatës Ruse përmes përdorimit të armëve konvencionale nëse rrezikohet ekzistenca e shtetit”, thuhet në doktrinë.
Shumë ekspertë janë fokusuar në atë që mund të përbëjë kërcënimi ekzistencial. Një interpretim spekulon se një kryengritje popullore kundër Putinit dhe Qeverisë së tij mund të konsiderohet si ngjarje e denjë për një përgjigje bërthamore.
Gjatë një forumi të biznesit në Shën Petersburg në qershor, një komentator i njohur rus i bëri thirrje Putinit që të ulë pragun për përdorimin e armëve bërthamore. Putin nuk pranoi, por tha se ishte i hapur që ta rishikonte këtë politikë.
“Kjo doktrinë është një instrument i gjallë, ne me kujdes po shikojmë se çfarë po ndodh nëpër botën përreth nesh dhe ne nuk e përjashtojmë mundësinë e ndryshimeve në doktrinë”, tha ai.
Kërcënimet ruse për përdorimin e mundshëm të armëve taktike bërthamore në Ukrainë ishin mjaftueshëm serioze pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022, sipas drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, i cili tha se e kishte paralajmëruar homologun e tij rus që të mos përdorin armë bërthamore.
Por, disa ngjarje gjatë konfliktit janë dukur se janë mjegulluar ose fshirë disa nga këto vija të duke, duke rritur ambiguitetin në perceptimet e Perëndimit lidhur me atë se çfarë po planifikon Moska.
Përdorimi i dronëve nga Ukraina për të sulmuar radarët paralajmërues, që përdoren për të detektuar raketat që lëshohen nga distanca të largëta, trembën politikbërësit perëndimorë, pasi që këto sulme mund të konsideroheshin kërcënim për mbrojtjen strategjike të Rusisë, ashtu siç thuhet në doktrinë.
Putini ka sugjeruar se territoret ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar – edhe pse asnjë shtet nuk i ka njohur ato si territore ruse – mund të bien nën fushëveprimin e doktrinës. Ukraina ka vazhduar të sulmojë forcat ruse, përfshirë edhe përmes armëve me të cilat e ka furnizuar Perëndimi, dhe shumica e këtyre sulmeve janë kryer në territoret e pushtuara, teksa Kievi ka thënë se dëshiron të rimarrë të gjithë tokën që Rusia ka pushtuar.
Në gusht, forcat ukrainase nisën një ofensivë përtej kufirit në territorin rus të Kurskut. Kjo ishte ofensiva më e madhe në territorin rus nga forca të huaja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo ofensivë mund të ketë plotësuar kushtet e përcaktuara në doktrinë.
NATO dhe SHBA-ja tani po e shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës që t’i lejohet të godasë caqe thellë brenda Rusisë duke përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi. Moska ka paralajmëruar kundër kësaj ideje.
Vendimi i Kremlinit për të transmetuar përmes televizioneve deklaratat e Putinit para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ishte tregues se ai dëshironte të dërgonte një mesazh. Dhe ky deklarim u bë një ditë para se Zelensky të udhëtonte për në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet që veç tjerash të kërkojë leje për të kryer sulme me rreze të gjatë veprimi.
Por, Putini nuk e ka specifikuar nëse doktrina zyrtarisht është përditësuar, e as nëse propozimi – që një sulm konvencional ndaj Rusisë nga një vend që mbështet një vend tjetër, e që ka armë bërthamore – në fakt do të kërkonte një përgjigje bërthamore.
Deklaratat e Putinit nuk nënkuptojnë se doktrina ka pësuar ndryshime thelbësore, tha Pavel Podviq, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime për Çarmatim në Gjenevë.
“Në fakt, nëse shikoni nga afër dhe e shikoni historinë e çështjes, në të vërtetë nuk ka shumë ndryshime”, tha Podviq në një intervistë për Current Time.
“Tani për tani, gjithçka mbetet në nivel të deklaratave dhe ne nuk kemi parë ndonjë hap tjetër real drejt përshkallëzimit”, tha ai. “Për momentin, mendoj se ne duhet të jemi vigjilentë, por në anën tjetër ne nuk duhet të reagojmë shumë ashpër”.
“Padyshim që ka më shumë specifika”, tha Xiaodon Liang, analist i lartë i politikave për Shoqatën e Kontrollit të Armëve. “Ne duhet të mendojmë për këtë ndaras nga kërcënimet e rastësishme bërthamore që ka bërë Rusia”.
Luke Coffey, ish-këshilltar i Ministrisë britanike të Mbrojtjes, i cili aktualisht është hulumtues në Institutin Hudson në Uashington, tha se deklaratat e Putinit kishin për synim pjesërisht amerikanët, me zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen edhe disa javë.
Ai është “një politikan i mençur dhe ai e kupton se si çështja e armëve bërthamore shtjellohet në debatin e brendshëm në SHBA”, tha Coffey. “Ai është mjeshtër në këtë luftë të propagandës dhe informacionit”.
“Ajo që u bë e ditur nga Putini sot në të vërtet nuk ishte një largim i madh nga ajo që ka qenë doktrina ruse. Ndoshta ai vuri një pikë më të hollë në çështjen e një shteti bërthamor që mbështet një shtet jobërthamor që e sulmon Rusinë”, tha ai.
Përgatiti: Mimoza Sadiku