Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani, këtë javë, ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.
Reagimi pason raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.
Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila tha se është “duke vazhduar shqyrtimin e çështjes” dhe se “nuk ka marrë asnjë vendim për momentin”.
“Ne ju referojmë te deklarata jonë e 30 gushtit, ku thuhej: ‘Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet e saj vartëse”, thuhet në përgjigje.
Në deklaratën e 30 gushtit, Ambasada amerikane tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.
Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.
Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në njoftimin dërguar mediave, Policia e Kosovës tha se i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.
I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.
“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla.
REL