URAN BUTKA
“Për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri-tjetrit!” Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur me Llazar Fundon në Ventotene
Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë, që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi e vende të tjera dhe u bë një nga kundërshtarët e atij sistemi çnjerëzor e antidemokratik, madje edhe një nga viktimat e tij.
Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: E. Heminguej, A. Barbys, R. Rolan, L. Pirandelo, S. Pertini, A. Einstein, Gj. Dimitrov, F.S. Noli, L. Gurakuqi. A. Rustemi etj.
Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ’30-40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmësoi në Kryengritjen e Qershorit 1924. Më pas mërgoi në Evropë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkroi artikuj te gazeta “Çlirimi Nacional” dhe në shtypin europian. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti tiraninë staliniste, krimin shtetëror, dhe mashtrimin më të madh, të cilat i denoncoi me kurajë. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si Krishti, ia kaloka edhe Satanait për nga ligësitë”.
Kominterni e dënoi me vdekje “renegatin Fundo” dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën duke kaluar nëpër katakombet e nëndheshme të Moskës e të strehohej sa në një vend të Evropës në tjetrin.
“Ai u shpëtoi spastrimeve,- shkruante E. Hoxha. -Pas kësaj ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” [1]
Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion. “Në prag të pushtimit fashist, – shkruante E.Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili,- në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallët e bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin” [2]
Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj.. Sandro Pertini e çmonte Llazar Fundon, kur thoshte: “Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën” [3]
Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmësuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Evropën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Por, as “Historia e Shqipërisë”, as ajo e Luftës NÇ, nuk i përmend këto kontribute të shquara të antifashistëve të parë shqiptarë
“Mes të internuarve ndodhet edhe një shqiptar, Llazar Fundo, që ka studiuar në Paris, në Sorbonë dhe ka bredhur Europën mbarë e prapë, ka qenë në Moskë. Pasi u shkëput nga Partia Komuniste, iu afrua asaj Socialiste. Bujar, i hapur, me shumë kulturë, me shpirt djaloshar: bëhet menjëherë mik i Pertinit. Takohen edhe një herë, për herë të fundit, në Romë, në gushtin e vitit 1943. Pertini i lutet që të rrijë, por Fundo do të kthehet në Shqipëri, që të luftojë bashkë me njerëzit e vet.” [4]
Altiero Spineli, europianisti i shquar, i burgosur në Ventotene, shkruante: “Përbërja politike e kolonisë së Ventotenes ishte në fillim e ngjashme me atë të Ponzas. Lajmi i parë qe ardhja e nja 50 shqiptarëve. Kishte edhe nja dhjetë intelektualë që kishin studiuar në universitetet më të mira të Evropës, flisnin tre-katër gjuhë përveç të tyreve dhe që ishin burgosur për tentativë të organizimit të rezistencës kombëtare. E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, që kujtimi i tij të mos zhduket tërësisht. Ishte njeriu më me autoritet mes gjithë shqiptarëve, pasi kishte një përvojë të gjatë dhe të ndërlikuar politike… Kësaj i shtohej edhe zgjuarsia dhe njohja e jo pak gjuhëve; veprimtaria e tij politike shkonte përtej Shqipërisë.”[5]
Është e kuptueshme pse Llazar Fundo, pasi u lirua prej Aleatëve nga internimi, erdhi bashkë me Gani e Said Kryeziun në Kosovë dhe u angazhua me lëvizjen “Kryeziu”. “Mendja e tij e ndritur, – shkruan britaniku P. Kemp, – ndershmëria dhe guximi i tij kishin bërë të fitonte besimin dhe admirimin e tyre (Kryezinjve – UB) duke u caktuar si kryekëshilltar politik në fushën e betejës. Njohja nga ana e tij e shtatë gjuhëve të huaja, e bënin atë jashtëzakonisht të dobishëm në këtë shërbim.”[6]
Të gjitha dokumentet që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar, dëshmitë e bashkëkohësve, konstatimet e misionarëve britanikë (Emeri, Kemp, Simkoks, Hill, Hibbert etj), pohimet e letrat, radiogramet e vetë udhëheqësve komunistë (E.Hoxha, F.Hoxha, etj), bile edhe disa udhëheqësve të PKJ (Tito, Stoiniç, Dizdareviç etj); pra, gjithçka provon se Kryezinjtë, e bashkë me ta edhe Fundo, luftuan kundër pushtuesve gjermanë në Tropojë, Gjakovë etj..
Lëvizja “Kryeziu” është një nga lëvizjet e rëndësishme çlirimtare në Malësinë së Gjakovës dhe më gjerë. Në krye të saj ishin vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu, si edhe Llazar Fundo. Kryezinjtë, si luftëtarë nacionalistë, nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ të Shqipërisë, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave M. Popoviç, D. Mugosha, V. Tempo, V. Stoiniç etj. Por nuk u inkuadruan as tek partitë e tjera. Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe, duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare, por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktorët e tjerë, do t’i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.
Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇJ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjigjën negativisht, sepse Lëvizja Nacionalçlirimtare e “Kosmetit” ishte pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoviniste e gllabëruese ndaj Kosovës, madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30-vjeçare serbe, politikave koloniale, gjenocidiste dhe shkombtarizuese serbomëdha, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj, aq më pak komunizmin që bartte lufta e tyre nacionalçlirimtare.
Kështu, Lëvizja “Kryeziu” ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Kosovë e lirë mbi bazën e luftës antifashiste, pa flirte e bashkëpunim as me serbokomunistët dhe as me okupatorët nazifashistë. Mirëpo kjo lëvizje çlirimtare, ngjalli kundërshtimin e komunistëve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, që u përpoqën bashkërisht ta asgjësonin.
Pothuaj në çdo letër, radiogram, qarkore etj., që Titoja i dërgonte PKSH dhe E. Hoxhës, porosiste asgjësimin e Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendimin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për Lëvizjen “Kryeziu” e Zai Fundon, që përbënin një kërcënim për interesat jugosllave në Kosovë e në Shqipëri.
Edhe udhëheqësit komunistë të Kosovës e dëshironin këtë dhe bashkëpunimin me E. Hoxhën për likuidimin e Zai Fundos e të Kryezinjve. “Suksesi i vëllezërve Kryeziushihej me xhelozi nga partizanët kosovarë të udhëhequr Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha”. – shkruante Hibbert. [7]
Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.8.1994, E .Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade. I thashë Fadilit ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë”.[8]
Udhëheqësi i PKSh dhe i Luftës Nacionalçlirimtare shqiptare i kërkonte Fadil Hoxhës që “ta vrasë Zai Fundon pa marrë parasysh asnjë rrethanë!” Vetëm një terrorist e kriminel mund të vepronte kështu. “Ka dijeni Dushani e Rade!”- thoshte E. Hoxha. A nuk flet qartë edhe kjo për bashkëpunimin midis udhëheqjes së PKJ dhe udhëheqësve të PKSH për vrasjen e shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë të LL. Fundos?
Kur luftëtarët e Gani Kryeziut, ku bënte pjesë edhe Ll. Fundo dhe britaniku Simkoks, luftonin kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, shtator 1944, u sulmuan pabesisht nga të dy anët e kufirit: nga Ushtria NÇ e Shqipërisë, Brigada V S e komanduar nga Shefqet Peçi dhe Manush Myftiu, si edhe nga aradhet e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të komanduara nga Fadil Hoxha.
Asgjësimi i Lëvizjes “Kryeziu” ishte rezultante e marrëveshjes dhe e këtij bashkëpunimi, e pohon edhe vetë E. Hoxha: “Interesi i dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët kërkon që këta armiq (Kryezinjtë –shën.im. UB) të dënohen ashpër Njerëz të tillë meritojnë plumbin ballit. Ushtria jonë nacionalçlirimtare i kapi këta banditë dhe i dënoi me vdekje” (E. Hoxha vepra I)
E. Hoxha i dërgoi më 21.09.1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri, përgjigjen e mëposhtme: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët.” [9]
E. Hoxha i konsideronte kosovarët kundërshtarë. Ai merrte me gjakftohtësi autorësinë e këtij krimi: “U dhamë urdhër forcave tona t’i gjurmonin, t’i ndiqnin, t’i kapnin dhe t’i shpartallonin Kryezinjtë së pa filluar mirë puna. Urdhri ishte zbatuar, tradhtarët ishin kapur. Zai Fundoja, Said Kryeziu dhe majori anglez Simkoks në mal të Dobrejt, ndërsa Gani Begu në fushë të Bytyçit, ku kishte ngritur çadrat e kuartierit të luftës, të sjella nga Anglia.” [10]
Udhëheqësi i Luftës Nacionalçlirimtare, E. Hoxha i ktheu menjëherë këtë radiogram Korpormatës I:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve. Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këtej. Zain e vrisni andej” [11]
Komandanti i Brigadës V të Ushtrisë NÇ, Shefqet Peçi, e tërhoqi Fundon zvarrë, të lidhur pas samarit të një mushke, nga Mali Dobrej në Kolesian të Lumës dhe pasi e torturoi për vdekje, sipas porosisë së E. Hoxhës, e detyroi të jepte shpjegime për pyetjet që i dërgonte Pons Pilati me radiogram. Pyetjes: Pse erdhe në Kosovë? Fundo iu përgjigj: “Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Dëshiroja vetëm që të kurorëzoja këtë karrierë me luftën kundër gjermanëve. Erdha se këtu gjeta një shesh ku mund të luftoj kundra gjermanit. Ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk jam njeri me dy faqe dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva ngado që të vijnë. Kush të më dërgonte mua në Kosovë?”
Në përgjigje të pyetjeve të tjera para pushkatimit, Fundo u përgjigj: “Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam. Afati kaloi. S’di më ç’të them. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të shpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Prandaj po e vulos vdekjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës sime, në qoftë se rron”-LL. Fundo (Firma). [12]
Shefqet Peçi e pushkatoi menjëherë pa gjyq më 23 shtator 1944, sipas porosisë së Enver Hoxhës: “Zain ta torturoni për vdekje dhe ta vrisni andej, sikur ai të mos ishte një njeri, një shqiptar, një personalitet i kombit dhe një luftëtar i shquar antifashist, por si një qen: Zain ta vrisni andej”. Që të mos i dihej as varri.
“Vrasja brutale e Fundos, shkruante britaniku Hibbert, ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist” [13]
Ndërsa F. Noli, kur e mori vesh pushkatimin e LL. Fundos, shkroi: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundoja!”
Ernesto Rossi, në një letër dërguar nga Roma drejtuar Stavro Skëndit, një nacionalist shqiptar i internuar në Ventotene, mik i Spinellit dhe Rossit, e kujton Llazar Fundon kështu: ‘Mora vesh me dhimbje të madhe vdekjen e Fundos. Ishte njeri bujar, inteligjent, që mund të kish dhënë një kontribut të shquar në rindërtimin e vendit të vet, po qe se bota nuk do shkonte drejt greminës, siç po bën tani.” [14]
Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur në Ventotene, shkruante për Llazar Fundon: “Mes shqiptarëve shquhej Fundo, një intelektual që kish qenë anëtar drejtues i partisë komuniste dhe që më pas kishte kaluar në opozitë. Jetonte tërësisht i izoluar, i zhytur në studimin e greqishtes, sikur të kërkonte prej Homerit miqësinë që nuk gjente mes bashkëkohësve të vet. Me rënien e fashizmit, u kthye në atdhe për të luftuar kundër gjermanëve. Ish-shokët e tij i përgatitën një fund të tmerrshëm, duke treguar edhe njëherë se për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri- tjetrit!” [15]
[1] E. Hoxha, “Kur lindi Partia”
[2] Po aty
[3] Nga kujtimet e A. Krepashanit, ish -i internuar politik në Ventotene, dorëshkrim.
[4] Sandro Pertini, “Sei condanne due evasioni”, Milano 1978).
[5]Altiero Spinelli “Come ho tentato di diventare saggio”, Bologna, 1984 etj. Nxjerrja dhe përkthimi i materialeve italisht nga E. Petriti.
[6]Kemp “Pa flamur apo emblemë”.
[7] Hibbert, Fitorja e hidhur, f. 311
[8] AQSH, F.41, D.158,v. 1944
[9] AQSH, Fondi 41, D. 158, v. 1944
[10] E. Hoxha, Rreziku Anglo-amerikan”
[11] E. Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994
[12] AQSH, Fondi 14/AP d. 101 v. 1944
[13] Hibbert, Fitorja e hidhur
[14] Ernesto Rossi: Epistolario 1943 – 1967
[15] Giorgio Braccialarghe: “Nelle spire di urlavento, il
confino di Ventotene”, Firenze, 1970.
[16] E. Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994
/Gazeta Panorama/