**Letër e hapur drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani**
E nderuar Znj. Presidente,
Me shqetësim të thellë dhe ndjenjë përgjegjësie, po ju drejtohemi në lidhje me një situatë delikate që lidhet me Federatën Panshqiptare “Vatra”. Mbledhja me dyer të mbyllura, ku ju ishit e ftuara e nderit, na la të befasuar: asnjë lajmërim, çdo gjë mbahet sekret, kuptojmë se ndoshta ju nuk jeni në dijeni të zhvillimeve që kanë prekur këtë institucion të rëndësishëm për diasporën shqiptare.
Që prej kohësh, “Vatra” ka mbetur pa një kryetar të zgjedhur në mënyrë legjitime, dhe sot ajo ndodhet nën kontrollin e një grupi individësh që nuk përfaqësojnë vullnetin e gjerë të komunitetit vatran. Disa persona nga Michigani, të vetëshpallur sikurse edhe kryetari i vetëshpallur, sekretari dhe drejtori i degëve (kjo është qesharake), po përpiqen ta prezantojnë veten si përfaqësues legjitimë të Federatës. Kjo është një situatë e papranueshme dhe skandaloze.
Znj. Presidente, personat që ju kanë pritur nuk janë përfaqësuesit e zgjedhur të “Vatrës”. Federata mbahet peng prej më shumë se një viti, pa zgjedhje të hapura dhe me një kryetar të vetemëruar nga një grup i vogël individësh, disa prej të cilëve ishin të pranishëm në sallën bosh gjatë takimit tuaj.
Më parë, kur ju ishit e ftuar, salla ishte e mbushur me 50-60 pjesëmarrës vatranë, ndërsa kësaj radhe mezi u mblodhën 6 persona nga Michigani (sikur NY të ishte pa shqiptarë), një pasqyrim i qartë i krizës morale dhe organizative që ka kapluar “Vatrën”.
Ata që ishin aty nuk përfaqësojnë vlerat dhe traditat e “Vatrës”, e cila për dekada të tëra ka qenë një simbol i bashkimit dhe qëndresës shqiptare, edhe në periudha të vështira si ajo e regjimit komunist. Ky grup individësh ka shkelur çdo normë morale dhe civile, duke mbyllur dyert e “Vatrës”, duke hedhur në gjyq vatranët e vërtetë për të mos lejuar më zgjedhje dhe kandidatura te reja, duke krijuar një kushtetutë të re në kundërshtim me traditat e federatës, duke bllokuar anëtarësimin dhe mbledhjet e vatranëve, që kanë qenë gjithmonë të hapura dhe të lira.
Shpresojmë që kjo letër t’ju informojë mbi situatën reale që po zhvillohet në “Vatrën” historike dhe të reflektoni mbi bashkëpunimin me këta individë që nuk kanë as mbështetje dhe as legjitimitet në komunitetin shqiptar të Amerikës.
Me respekt dhe besim për ndërgjegjësimin tuaj,
Vatra Manhattan Branch