Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi fundjavën e kaluar se kishte një plan konkret dhe të detajuar se si Kievi mund t’i japë fund luftës dhe agresionit rus. Të dielën kreu i shtetit ukrainas udhëtoi drejt SHBA-ve, për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Vizita është konsideruar vendimtare prej tij dhe e sheh atë të lidhur me pikënisjen e fundit të pushtimit rus që vijon prej 24 shkurtit të 2022.
Presidenti ukrainas do t’i paraqesë propozimet e tij, të cilat ai i quan një “plan fitoreje” presidentit Joe Biden, si dhe kandidatëve për president të ardhshëm të SHBA, Kamala Harris dhe Donald Trump dhe gjithashtu do të marrë pjesë në seancat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Ne kemi ardhur në Shtetet e Bashkuara. Detyra kryesore është të forcojmë Ukrainën dhe të mbrojmë të gjithë njerëzit tanë. Kjo luftë mund të përfundojë me një paqe të drejtë vetëm përmes punës globale. Plani për fitoren e Ukrainës do të jetë në tryezën e të gjithë aleatëve tanë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas u kërkoi partnerëve të tij të ndihmojnë në arritjen e “një fitoreje të përbashkët për një paqe vërtet të drejtë”. Kjo vjeshtë do të përcaktojë të ardhmen e kësaj lufte,” shkroi më herët ai në X.
Zelensky insiston për të “fituar” të drejtën e përdorimit të armëve të rënda kundër Rusisë, siç janë raketat me rreze të gjatë veprimi, por BE, SHBA dhe NATO hezitojnë në këtë drejtim, duke e parë këtë të lidhur me një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit. Kancelari gjerman, Olaf Scholz ishte i prerë kur deklaroi të premten se nuk do ta autorizojë kurrsesi Kievin të përdorë armët gjermane në territorin rus.
Zelensky te fabrika e municioneve në Pensilvani, prodhohen armë për Ukrainën
Volodymyr Zelensky e nisi udhëtimin e tij në SHBA me një vizitë në një fabrikë municionesh në Pensilvani që po prodhon një nga municionet më të nevojshme për Ukrainën. Përfaqësuesi Matt Cartëright, një demokrat, i cili ishte në mesin e atyre që u takua me Zelenskyy në fabrikën e municioneve të ushtrisë Scranton, tha se presidenti kishte një mesazh të thjeshtë: “Faleminderit. Dhe ne kemi nevojë për më shumë”.
Fabrika e Scranton është një nga objektet e pakta në vend që prodhon predha artilerie 155 mm dhe ka rritur prodhimin gjatë vitit të kaluar. Ukraina ka marrë tashmë më shumë se 3 milionë prej tyre nga SHBA.
Konflikti
Luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë kanë kaluar në një tjetër dimension. Pjesa lindore e Ukrainës vijon të jetë e pushtuar nga trupat ruse. Nga ana tjetër, Ukraina po kundërpërgjigjet duke okupuar një pjesë të territorit rus pranë kufirit të saj, prej afro 1200 km2.
Nga ana tjetër, Rusia ka rritur intensitetin e sulmeve me raketa dhe bombardime ajrore ndaj qyteteve ukrainase dhe Kievit, duke shtuar numrin e viktimave çdo ditë. Pavarësisht nga thirrjet e faktorit ndërkombëtar, Vladimir Putin deri tani ka treguar se nuk heq dorë nga ambiciet territoriale ruse ndaj fqinjit, Ukrainës.bw