Socialdemokratët në Brandeburg duhet të ndjehen të çliruar dhe të festojnë këtë të diel. Të dhënat flasin për një fitore të SPD në zgjedhjet për qeverisjen e këtij landi. Sipas exit poll të ARD, Partia Socialdemokrate arrin 31,2% të votave, vetëm pak para AfD-së me 29.9%. Kurse sipas të dhënave të grupit studimor “Zgjedhjet” për televizionin ZDF, SPD kryeson me 31,8%, e dyta renditet AfD me 29,2%.
AfD, e cila kohët e fundit ishte kryesuese në sondazhe renditet në vendin e dytë. CDU arriti 11.5%, kurse Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) e sapo formuar arrin menjëherë 12%. Të Gjelbrit duhet të shqetësohen nëse do të kthehen në parlamentin e shtetit me 4,5% të votave. Kurse “E Majta” nuk ka gjasa të kalojë kufirin 5%. Në Brandenburg nuk hyjnë në parlamentin e landit partitë që arrijnë më pak se niveli 5% i votave, vetëm nëse arrijnë të marrin një mandat të drejtpërdrejtë.
Roli i kryeministrit Woidke
Zgjedhjet e së dielës ishin edhe një votim për të ardhmen e kryeministrit, Dietmar Woidke (SPD) me 3 mandate qeverisjeje deri tani. Ai kishte bërë të ditur, se nëse AfD arrin të dalë forca kryesore do të tërhiqej nga qeveria. Kryeministri i Brandenburgut, Woidke është mjaft popullor në land. Sipas barometrit të ZDF-së më 19 shtator, 59% e votuesve e dëshironin atë si kryeministër.
Para votimeve të gjitha partitë e kishin përjashtuar një koalicion me AfD. Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese e ka kategorizuar degën e AfD për landin si rast të dyshuar ekstremist, kurse kandidatin e saj kryesor Hans-Christoph Berndt si ekstremist të djathtë. Me 73%, pjesëmarrja në votime ishte dukshëm më e lartë se në vitin 2019. Në atë kohë, 61,3% shkuan në votime.
Kjo vazhdimësi politike në Brandenburg është unike për shtetet e Gjermanisë Lindore. Aty ka pasur vetëm 3 kryeministra në 34 vjet, të gjithë nga e njëjta parti, dhe asnjë importim nga perëndimi, siç ndodhi në Saksoni dhe Tyringi pas ribashkimit të Gjermanisë. Ky është një land që është më shumë se një e treta është i mbuluar nga pyjet.
Me gati 2.6 milionë banorë, landi i Brandenburgut është i dhjeti në krahasim me 16 shtetet federale dhe me një mesatare prej 87 njerëz për kilometër katror duke u bërë më pak i populluari në Gjermani. Pothuajse 12% e njerëzve kanë prejardhje migracioni kur në mbarë Gjermaninë kjo shifër është 30%.sn