Një telefonatë e këtyre ditëve, nga një zonjë a zonjushë, që më fliste në emër të Ministrisë emërmadhe për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila përkujdesohet edhe për diasporën, më bënte me dije për një iniciativë të entit udhëheqës ku ajo rrogëtohej. Me zë të butë e plot mirësjellje, por edhe me një ton që mua më vinte disi autoritar, tonalitet, që sigurisht vinte prej honeve të zyrave të larta prej nga fliste, zonja (a zonjusha), më kumtoi thelbin e nismës: ajo zyra atje, pra ajo zyra që kishte në përkujdestari diasporën, kishte vendosur të merrte iniciativën që të furnizonte me libra vëllezërit tanë shqiptarë përtej kufijve të shtetit amë. Me libra, të cilët po ua kërkonin si dhuratë botuesve. Dialogu ynë ishte pak a shumë kështu:
-Zonja (a zonjusha): – Unë flas nga ministria…, zyra e diasporës. Jam…, më tha emrin. Ju…, përmendi emrin tim, jeni i “Botimeve Fishta”?
-Po, i përgjigjem unë. Dhe vazhdoi ajo: Drejtoria jonë ka ndërmarrë nismën që të mbledhë libra për diasporën. Ju besoj do t’i bashkëngjiteni kësaj nisme.
-!!!
-Do të shohim, i them unë dhe vijova bisedën: Në të vërtetë ne kemi dërguar disa herë libra në diasporë dhe i përmenda dhuratën më të fundit, që kishim bërë për shqiptarët e qytetit të Manastirit, qytetit të Kongresit, ku 116 vjet më parë qe formësuar alfabeti i gjuhës sonë si shumë e shumë të tjerë, kolegë botues e qytetarë. E përmenda dhuratën, duke tejkaluar disi vetveten e duke kapërcyer respektin që unë kam për shkrimin e librave të shenjtë, në këtë rast aty ku thuhet se “…atë që jep me njërën dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër” dhe po përmbushja shpjegimin tim se kjo gjë kishte ndodhur pas thirrjes së një zonje prej qytetit të Manastirit, mësuese, në mos gabohem, për të pasuruar Bibliotekën e atjeshme me libra në gjuhën shqipe.
Atyre që merren me librin, autorëve, por edhe botuesve, kërkesa kësisoj u vijnë jo rrallë, nga ente e shoqata dashamire, të cilët bëhen ndërmjetës të realizimit të një dëshire të vlertë dhe mjaft të njerëzishme. Pasurimi i bibliotekave publike, posë të tjerave, është edhe mision. E kjo ndodh kudo. Sikurse edhe përgjigjet e kërkesave nga ana tjetër prej njerëzve vullnetmirë në dijet e mia kanë qenë e janë me të njëjtën ndjesi e mirëkuptim. Por që kërkesa kësisoj të vijnë nga zyra të larta të shtetit… Zyrat e zyrtarët përgjegjës, përpara se të marrin nisma vullnetare e kanë për detyrë shtetërore, të hartojnë politikat librore e të mirëpërdorojnë financat modeste për të, kjo, besoj se nuk ndodh tjetërkund, siç ndodh rëndom ndër ne. Zyrat e shtetit janë ato që mbledhin taksa. Edhe për librin paguhen taksa, si për çdo produkt tjetër që përdorohet nëpër rrjetin e tregut. Bile taksa që paguajmë ne punëtorët e librit, shkrimtarë, botues, tipografë e librarë, në Shqipëri është më e larta në Europë.
Tatimi mbi Vlerën e shtuar për çdo libër të shitur është 6 për qind. Dhe është e qartë, për ata që duan, sadopak ta dinë se sa të mëdha mund të jenë shitjet e librave, sidomos në rrethanat e reja globale të ndryshimit të madh të formave të leximit, pa harruar atë më të vjetrin faktor ndikues, që tirazhet e librave në popuj të vegjël si i yni shkojnë në proporcion me numrin e popullsisë, përgjithësisht. Po kjo kërkon e meriton tjetër trajtesë, më të gjatë e më të thellë…
Tri a katër ditë më pas zonja (a zonjusha) e përsëriti telefonatën. Ishim në një Panair të Librit në Tuz e po bisedonim me dy kolegë botues, pionierë të editorisë së re shqiptare në fillimvitet ’90. Me plot përvoja të bukura e të vështira në këtë fushë. Panairi atje, që shqiptarët-pakicë në Malin e Zi e organizojnë, bëhet për të pestin vit radhazi. Një projekt që e ka nisë Komuna e Tuzit. Ata mirëpresin botuesit pjesëmarrës nga bota shqiptare, nga Shqipëria dhe nga shtëpitë botuese shqiptare në Maqedoninë e Veriut e nga Mali i Zi po e po. Kurse pjesëmarrësit shkojnë aty në qytetin e vogël me shumicë malësorë shqiptarë, më shumë se për të shitur libra… për ta dërguar librin shqip e botimet nga Shqipëria atje; më shumë për mision e pasion… Kurse zyra nga Tirana, nuk reshte së bëri me dije ne se ajo ka marrë një iniciativë: Të dhurojë librat tanë në diasporë… Nga tonaliteti i bisedës, që vinte nga folësja matanë m’u duk sikur po më kërkohej diçka që e kishim borxh… Ndamë të njëjtën ndjesi edhe me kolegët, të cilëve iu ishte përcjellë më parë e njëjta kërkesë.
/Gazeta Panorama