Përse ATSH nuk e jep burimin dhe të plotë titullin e artikullit me porosi të Forbes.it (16 Shtator, 2024), të autorit Mirko Crocoli “Tirana kryeqyteti i kulturës më 2025: ndërtimi dhe transformimi financiar i një vendi në zhvillim” të plotë, por e mbështjell atë me propagandë?
Por thuhet se revista “Forbes” ka publikuar një artikull për Tiranën me titull: “Qëndrueshmëri, turizëm dhe kulturë” (në fakt një nëntitull), në të cilin shpaloset qëllimi i pikëpyetjes së 2025-ës; “Një udhëkryq jo vetëm i historisë, kulturës dhe modernitetit, por edhe i rinisjes dhe zhvillimit për milionerët e rinj ndërkombëtarë. Nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier, me rëndësi në rritje si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar”. Kjo synon të shitet nën mbështjelljen e vitit zgjedhor 2025, si Tirana “Kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe dialogut.
Tirana, kryeqyteti tashmë i rreth 1 milion banorëve i mbipopulluar kryesisht për shkak të lëvizjes së lirë dhe përqendrimit të administratës dhe biznesit konsiderohet tani vendndodhja e zhvillimit të milionerëve ndërkombëtarë?! Ky trajtim i shprehur jashtë përmbajtjes që ka kuptimi i menaxhimit dhe administrimit të kryeqytetit si i tillë jashtë interesave të banorëve që zhvillimet i shohin përmes zgjedhjeve duke ushtruar votën e tyre, na bën të kuptojmë se pushteti vendor dhe politikat e qeverisë janë tërësisht klienteliste, parcelizuese dhe me projekte të gatshme që shpërthejnë papritur. Shpërthejnë papritur ose kur kushtet e investitorëve strategjikë dhe Partneriteti Publik Privat janë pjekur për ofertat koncesionare.
Pra asgjë për banorët e saj të vjetër dhe të rinj të cilët mund të konsiderohen të ardhur dhe pa prona të paluajtshme nga trashëgimia, djersa e biznesit të tyre në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë dhe të goditur ashpër nga regjimi i taksave.
Duke ju kthyer përmbajtjes së këtij shkrimi që gjendet i plotë në faqet e ATSH-s dhe mban nënkuptimin se sa mediat e huaja interesohen për realitetin e kryeqytetit ku kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është protagonisti i transformimit financiar , gazetaria profesioniste shqiptare mund të reagojë. Të bëjë pyetjet e duhura në kohë dhe jo kur situatat e bartura të shndërrohen si në rastet e zbulimeve të përmasave të korrupsionit bashkiak me pastrimin, gjelbërimin, përpunimin e mbetjeve urbane, infrastrukturën që përmbytet pas shirave, furnizimin me ujë dhe energji elektrike 24 orë. Termi i transformim financiar është një togfjalësh që duhet lexuar dhe kuptuar si shumë para, euro/dollarë që hidhen dhe përdoren për t’i shërbyer mbajtjes së pushtetit me korrupsion.
A nuk duket me kushtet e sotme të Tiranës se me këtë term; ‘transformim financiar’ autori i ka rënë në kokë problemit se ku shtrihen interesat e kapjes dhe mbajtjes pushtetit?
Fund e krye ky shkrim propagandë tregon për fasadën dhe synon të shuaj morinë e skandaleve. Fare thjeshtë këtë trajtim mund ta bënte çdo media e blerë apo zyrtare e kapur prej partisë shtet. Por ato janë më së shumti të përqendruara në frontin zhurmues kundër opozitës dhe sillen e rrotullohen mes numrit të miliona turistëve që vizitojnë vendin. Shtyjnë projektet mbi ndërtimin infrastrukturor rrugor dhe ajror që ka shpenzuar qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve dhe nuk kujdesen për mjedisin dhe cilësinë e ujit dhe të ajrit në vijën bregdetare shqiptare që asfiksohet gjatë verës nga ndotja e pluhurit të ndërtimeve dhe tymi i zjarreve në fushat e mbetjeve urbane, në sipërfaqet pyjore, lënë më një anë përpunimin e ujërave të zeza dhe natyrën e dëmtuar nga trafiku i mbetjeve toksike.
Me të njëjtën agjendë si të Rilindjes Socialiste pas 11-12 vitesh edhe Veliaj në 9 vite nuk shqetësohet nga protestat (e 26-a javë në pritje), por vazhdon si mashtrues dhe të shet Piramidën, Pyllin Orbital, Pedonalen e Sheshit Skënderbej, Shatërvanet të cilat tinëzisht cilësohen se janë:”...një pikë referimi dhe vend tubimi shoqëror për komunitetin, si dhe pikëmbështetje e ngjarjeve kulturore e demonstratave publike”. Të ndalesh me vëmendje në këtë fragment duhet të kuptosh se taksa, shërbimet dhe varfëria bashkë me protestat popullore kundër korrupsionit qënkan normale sepse ky pushtet nuk ka ndërmend kurrë të largohet dhe të dorëzohet përpara gjesh jetë dhe korrupsionit. Pra Tirana ka një kryebashkiak që si jep kurrkujt llogari pasi ua ka marrë votën qytetarëve është kopjoja e plotfuqishme e kryeqytetit sikurse kryeministri Rama mentori i tij sillet dhe kështu bën me parcelizimin dhe klientelizmin në të gjithë Shqipërinë.
18 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)