Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i bëri thirrje të shtunën komunitetit ndërkombëtar ta dënojë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura atë që ajo e quajti sjellje dhe gjuhë agresive e armiqësore e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës.
Të premten presidenti serb kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat në Kosovë shihen si kërkesa për zhbërjen e shumë veprimeve të nxitura nga vet Beogradi.
“Ajo që ne besojmë se është e nevojshme, për çdo përparim serioz në dialog, është mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe nën kontrollin e Bashkimit Evropian. Së dyti, zbatimi i nenit 9 të Marrëveshja e parë e Brukselit, që nënkupton formimin e drejtorisë rajonale të policisë në veri të përbërë nga pjesëtarë të komunitetit serb”, tha presidenti Vuçiç, duke kërkuar mes tjerash edhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës.
Policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkarkimit të një oficeri të policisë nga autoritetet në Prishtinë meqë ai refuzoi zbatimin e urdhrave që kishin të bënin me zëvendësimin e targave të makinave serbe me ato të Kosovës.
Presidenti serb tha se “institucionet serbe” në Kosovë, “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët. Ai paralajmëroi edhe themelimin e prokurorisë që posaçme “që do të ndjek të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar” dhe se parlamenti i Serbisë do t’i shpallë të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha aktet që janë miratuar nga Prishtina në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.
Në një postim në rrjetin Facebook, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se presidenti serb tregoi se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare, ndërsa theksoi se ai kishte urdhëruar largimin e tyre nga vendet e punës dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”, shkroi mes tjerash ministrja Gërvalla.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi të shtunën se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb, që ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Kërkesat e tij, “janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”, shkroi zoti Haradinaj, duke nënvizuar ndërkaq se terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe.
Kërkesat e Beogradit pasuan veprimet e qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të mbështetura nga Serbia në veri në fund të gushtit. Mbyllja nxiti kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të shqetësimeve se tensionet në Kosovë mund të çojnë në jostabilitet më të gjerë në Ballkan.
Autoritetet në Serbi mblodhën të shtunën ambasadorët e Bashkimit Evropian në fillim të asaj që ata e quajtën fillim të një fushate globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave për të cilat presidenti serb tha se do t’u shkruaj Presidentit amerikan Joe Biden, atij rus Vladimir Putin dhe udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndonëse akuzoi Perëndimin se qëndron në anën e Kosovës.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kërkojnë Serbisë dhe Kosovës të normalizojnë marrëdhëniet e tyre si kusht për përparimin drejt anëtarësimit në bllok.
Serbia pohon synimin e saj për integrim në Bashkimin Evropian por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, të cilat e mbështesin pretendimin e saj ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit.