I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka bërë të premten një deklaratë shumë të fortë në televizionin e Kosovës RTK.
Duke u përpjekur që të bindë Kosovën që ti bindet ndërkombëtarëve për të bërë të pamundur kthimin pas të Open Balkan ai ka deklaruar se nisma e Ballkanit të hapur ishte konceptuar si një akt kundër Kosovës.
“Ballkani i Hapur u krijua për ta anashkaluar Kosovën” tha ai në ligjëratë të drejtë.
Kjo deklaratë kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e troçtë i hedh benzinë zjarrit që ka flakëruar fort prej disa vitesh debatin politik në Tiranë dhe Prishtinë. Deri sa të bënte një piruetë të beftë prapaktheu nga Ulqini, kur në korrik 2023 shpalli daljen nga kjo nismë, kryeministri shqiptar ka qenë mbrojtësi më i flaktë i saj.
Lapsi.al ka bërë një përmbledhje të shkurtër të këtij kalvari. Edi Rama u bë zëdhënësi kryesor i idesë që filloi si mini Shengen, me gjenezë në Beograd dhe e mbështetur fort nga Alex Soros. Jo më kot presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që sot me sa duket ndihet i braktisur, e përgëzonte publikisht Ramën se, “pa vendosmërinë dhe këmbënguljen e tij“ Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur”.
Kryeministri ynë u përlesh pothuajse me të gjithë faktorët shqiptarë, përfshirë edhe opozitën vendase, për ta shpënë përpara Open Balkan.
Ndërsa në arenën ndërkombëtare ai u bë propagandisti dhe zëdhënësi i tij. Tashmë janë të arkivuara qëndrimet që ka mbajtur. Në samitin e Bërdos në Slloveni, mes BE dhe vendeve të rajonit, në tetor 2021, ai e fshikulloi ashpër komunitetin e 27-shes dhe i kërkoi atyre një pazar: ‘nëse nuk na fusin në familjen tuaj, së paku mos na pengoni për Open Balkan”.
Rama i kërkon pazar BE: “S’po na integroni, por mbështesni Ballkanin e Hapur”
Disa muaj më pas, në krah të dy partnerëve të tij maqedonë dhe serbë ai kërcënoi se do e bojkotonte samitin e përbashkët me BE-në duke ngritur pyetjen: “Çfarë të bëjmë atje”? Por, ama kur më në fund shkuan “atje”, Rama gati i kërcënoi vendet evropiane:“Nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet, mbështesni Ballkanin e hapur”.
Ai përmendi në fjalimin e tij përpara liderëve evropianë terma si luftë, konflikt, gjakderdhje ndërkohë që po në atë date, në 24 qershor 2022, Vuçiç i thoshte të njëjtit auditor: “ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina”, duke dhënë si alternativë Open Balkan.
Komenti/Poshtë Brukseli, rroftë Ballkani i Vuçiçit
Me artikulim më të mirë se homologu i tij serb dhe me diferencë nga një kuadrovik timid se ai maqedonas, Rama mori përsipër rolin e lobuesit. Ai filloi ti kërkonte llogari BE-së, për moshapjen e negociatave, veton Bullgare, mosliberalizimin e vizave për Kosovën duke u bërë presion se Ballkani i Hapur do qe një hapësirë e vogël lire, në mungesë të pranimit në hapësirën e madhe.
Këtë rol zëdhënësi të treshes serbo-shqiptaro-maqedone ai e luajti edhe përballë Albin Kurtit. Kur ky i fundit shkroi një letër se përse kjo nismë qe e keqe për Kosovën, kryeministri ynë iu përgjigj nga Ohri: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”.
Deri më tani perendimorët nuk e kishin pohuar kurrë kaq troç se ideja e Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit ishte një nismë serbë kundër Kosovës. Atë e kishte pohuar vetëm Moska me gojën e ministrit të saj të jashtëm në qershor 2022. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov e pati pohuar me plot gojën se Ballkani i hapur është një nismë serbe dhe se ndryshe nga Brukseli që do një gadishull të mbyllur, Moska e mbështet atë si të tillë.
Për t’iu kundërvënë asaj kryeministri shqiptar vuri në punë të gjithë mekanizmin e propagandës që kishte në dispozicion. Një nga argumentat që Edi Rama jepte për të vazhduar aventurën e tij me Vuçiçin për të shpënë përpara “Open Balkan” ishte edhe ajo se këtë nismë e mbështesnin 59% e shqiptarëve. Në prilli të 2022 kryeministri zhvilloi të ashtuquajturin Këshillim Kombëtar, ku nga mbi gjoja 500 mijë të pyetur rezultonte se shumica ishin pro një rajoni me lëvizje të lirë të njerzve mallrave dhe ideve. Madje disa ditë pasi i shpalli këto rezultate publikisht Rama shkoi gjatë një vizite zyrtare në Berlin dhe tha në krah të kalcelarit Sholtz se pavarësisht se Gjermania i kërkonte fokusim tek procesi i Berlinit, ai kishte mandatin e Shqiptarëve për të shpënë përpara idenë Serbo-maqedono- shqiptare.
Megjithëse edhe gjatë vizitave në Shqipëri, si ish kancelarja Merkel në shtator 2021, si shefja e Komisionit Europian Van der Leyen po jatë atij statori u shprehën kundër, propaganda nuk rreshti. “Besoj se ishte e qartë e thënë nga komisioneri Varhelyi se Komisioni Europian e mbështet Ballkanin e Hapur dhe fton të treja vendet e tjera t’i bashkohen”, tha Rama gjatë një konference të përbashkët me Zaevin dhe Vuçiçin në dhjetor 2022. Komisionari hungarez për zgjerimin, i cili është akuzuar nga shtypi si njeri që lobon për interesat e presidentit serb, e pati pohuar këtë në një video konferencë gjatë takimit të tre liderëve ballkanikë.
Tani të gjitha këto gënjeshtra janë shembur si kështjellë rëre. me ojën e emisarit të saj më të rëndësishëm për Ballkanin Gjermani e ka pranuar se Open Balkan ishte një nismë e Beogradit për të anashkaluar Kosovën. Fatkeqësisht e mbështetur fort nga Tirana.