Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës.
Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave, përfshirë edhe ndaj Millan Radoiçiqit, duke i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist.
Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.
Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërkaq në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, gjatë një konference në Prishtinë nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.
Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Hill tha se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialog sepse, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet. Hill tha se këtë qëndrim e ka shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Serbi më 10 shtator.
Pas takimit me Hillin dhe Lajçakun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të paraqesë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve brutale dhe substanciale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.
Ai nuk specifikoi se për çfarë sulmesh bëhej fjalë.
Vuçiq tha se në 72 orët e ardhshme ai do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.
Mirosllav Lajçak, ndërkaq, ka deklaruar se gjatë takimit, Vuçiq ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me situatën e serbëve në Kosovë.
“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian.
Lajçak qëndroi në Beograd, por edhe një më parë edhe në Prishtinë, për të përgatitur rundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve. Pas vizitës në Prishtinë, ai deklaroi se është rënë dakord për një takim në nivel kryenegociatorësh, por nuk dha ndonjë datë për një takim në Bruksel. bw