Kaloi qëllimshëm dhe i pa nënvizuar nga media shtetërore dhe radiotelevizionet me mbulim kombëtar një ndër ngjarjet plot vlera të 10 Shtatorit 2024. Ashtu siç shpesh gjen vend shprehja “ta eklipsosh faktin”, kjo ndodhi me “Forumi për të Ardhmen e Shqipërisë: Rruga Konservatore Përpara” zhvilluar në hotel Tirana International. Veprimtaria u organizua nga The Albanian Policy Center, The Heritage Foundation dhe Nazione Futura, studiues nga SHBA, Hungaria, Italia, Shqipëria, përfaqësues të klerit dhe miq të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të cilët e shohin rëndësinë thelbësore të forcave të së djathtës dhe konservatorizmit në Shqipëri për t’i dhënë tonin zhvillimit politiko-shoqëror dhe ekonomik të vendit duke ruajtur vlerat e familjes, individit dhe shtetit të së drejtës.
Ligjëratat dhe fjalët përshëndetëse në sallë dhe nga distanca për forumin u përcollën drejtpërdrejtë vetëm nga një stacion tv (
Syri), si dhe pak media të tjera e portale (
Ora-Tv, News-24, dosja.al), gjë që tregon se mediat zyrtare shtetërore dhe publike me mosinteresimin shprehin qartë një censurë të hapur.
A ishte ky një interes i munguar?
Mos ishte frikë pasqyrimi apo nerv i ngordhur i gazetarisë së faktit?
Apo ky forum që u mbajt në qendrën e kryeqytetit dhe në një vendndodhje të shfytyruar nga kaosi urban nuk tërhiqet nga pompziteti i tapetit të kuq kryeministror dhe i samiteve brenda piramidave?
Këto pyetje sot mund t’i qartësojnë ata profesionistë të gazetarisë që bashkë me rrëzimin e diktaturës komuniste nisën rrugën e mbrojtjes së vërtetës, të fjalës së lirë dhe pluralizmit. Nga kujtimet e kohës na ishte dikur 15 katëshi (Hotel Tirana), që në fillimet e viteve ’90 u njoh si zemra dhe qendra e grumbullimit të jetës së grupeve mediatike dhe delegacioneve ndërkombëtare që u fokusuan në hapat e parë të demokracisë që po hidhte Shqipëria. Ndërsa sot ky objekt sikurse edhe i gjithë realiteti janë eklipsuar dhe mban pas shpine hijen e pushtetit të korruptuar sikur Inter Continental-in, një ndërtim pas shpatullave dy herë më të lartë. Pushtet monist me një barrë mbytëse për shtetasit dhe qytetarët. Një shesh kryeqyteti me një qendër që tashmë i ka humbur gjurmët dhe po i humb edhe lidhjet me çdo trashëgimi.
Tirana, qendra e miliona vizitorëve të huaj sot me një Muze Historik Kombëtar që ka mbyllur dyert dhe i nënshtrohet “rikonstruksionit”. Por edhe një hapësirë urbane që është transformuar drejt shkatërrimit në arkitekturë dhe po i humb edhe ato pak orientues të Tiranës si; Bulevardi, Xhamia, Banka, Sahati të cilat janë në thelb vendi dhe koha e veprimit të 11 viteve të qeverisjes së Rilindjes Socialiste.
Duhet ta theksojmë se nga ky këndvështrim tradita është tronditur dhe po kështu edhe për ata që nuk e shpien dot në përmend ndryshimin pasi përditshmëria e tyre është mes kaosit dhe propagandës që ka krijuar narko-shteti, njerëzit duhet të kuptojnë se edhe Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu sot ndjehet i kërcënuar duke humbur përmasën qëllimshëm mes kësaj shije urbane.
Por ky shesh që mban emrin e Heroit Kombëtar dhe mban Flamurin Kuq e Zi nuk mund të harrohen pasi ato janë përjetësisht prona dhe trashëgimia që shqiptarët e shqipërisë, e atyre në të gjitha trojet shqipërisë dhe të diasporës kanë prej shekujsh, do t’i ruajnë ndër shekuj dhe do të jenë gjithmonë krenarë.
A janë këto aspekte ata pak tregues që kuptueshëm ngritën një tribunë të mendimit konservator për ruajtjen e traditës kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare në këto kohë të vështira të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore dhe afrimi të natyrshëm me botën e qytetëruar?
Duke monitoruar vetëm dje sjelljen e mediave shtetërore dhe publike që preferojnë ta mbështesin verbërisht dhe me frikë pushtetin dhe që urdhërohen nga pushteti për të mos informuar publikun mbi një “Forum për të Ardhmen e Shqipërisë: Rruga Konservatore Përpara”, kjo sot nuk ka të bëjë thjeshtë me as me pjesëmarrjen dhe as me të bërin opozitë, por me një realitet shqiptar ku informacioni, faktet dhe ngjarjet heshten nga pushteti . Prej pushtetit dëgjon vetëm propagandë dhe jo hapësira për mendimin ndryshe. Në këtë rrjedhë çoroditëse bien dhe mediat të cilat miqtë e nderuar dhe oratorët nga SHBA, Italia, Hungaria etj. i kanë numëruar në pikat hyrëse kufitare si turistë me netë qendrimi dhe thuajse të padukshëm si njerëz të përkushtuar për zhvillimin e demokracisë shqiptare për ruajtjen e vlerave e familjes, individit dhe shtetit të së drejtës dhe traditave të pasura historike dhe kulturore të kombit shqiptar.
11 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)