Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro e disa ish-zyrtar të tjerë lidhur me tjetërsimin e pronave në favor të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka. Goro akuzohet nga SPAK për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, teksa u arrestua në muajin mars të këtij viti.
Hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, përcollën pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, i ati i Stavri Mëhillit.
Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues Artan Gaçin.
Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mije m2.
Lidhur me këtë çështje kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj u la në masën “detyrim paraqitje”, ndërsa ish juristi Vezir Gjikoka si dhe ish drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës në Bashkinë Himarë në “arrest në shtëpie”.
Nga ana tjetër, Stavri Mëhilli pronari i tokës, që dyshohet se ka kryer 2 vepra penale, lënë në “arrest me burg”, në mungesë, për shkak se nuk është gjetur për tu arrestuar.
Kujtojmë se pak muaj pas arrestimit Prokuroria e Posaçme kërkoi një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron si dhe sekuestroi të 4900m2 tokë që është përfituar nga ish-kryebashkiaku i komanduar i Himarës Arqile Bollano.
Goro dyshohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, teksa hetimi ka nisur fillimisht nga prokuroria e Vlorës por u transferua një muaj më parë në SPAK. Toka ndodhet në zonën e Livadhit në Himarë, e cila sipas prokurorisë është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Arqile Bollano, kryetar i komanduar nga PS në bashkinë Himarë.
Vetë Bollano ka qenë pjesë e grupit të punës, të cilët ndërtuan listën emërore të personave që fituan tokë në mënyrë të padrejtë në Himarë një pjesë të të cilës dyshohet se duke shfrytëzuar njohjen me Goron, ia jep vetes së tij.
Por ndryshe nga masa që kërkohet për Goron, aktualisht për Bollanon s’ka kërkesë për masë, veç asaj për sekuestrimin e tokës.
Kallëzimi lidhur me këtë çështje është bërë fillimisht në komisariatin e Himarës, nga një banor i zonës i cili posedonte tokën e rregullt dhe e kishte fituar atë në bazë të ligjit 7501. Në 2015 kur u kryen procedurat, Bollano kishte funksion të rëndësishëm tek zyra e pronave në Bashkinë e Himarës, madje drejtonte grupi e punës për ndarjen e pronave. Përfitimi i dy pronave është bërë me firmë të Jorgo Goros, me argumentin se familje si ajo Bollano, nuk janë trajtuar me tokë gjatë vitit 1991-1992. Dhe për shkak se këto familje dispononin dhe kishin në përdorim faktik disa ngastra me sipërfaqe toke në zonën e Himarës, këto toka duhet ti njiheshin nga bashkia.