Duke përuruar shkollën “Babë Dudë Karbunara” në Berat me në krah ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama nga përqafues i inteligjencës artificiale hidhet dhe kërkon mbështetje tek energjitë e mbetura të mësuesve të dalë në pension. Çfarë ndodhi pas Asamblesë Kombëtare me rienergjizimin që e bëri kryeministrin të shprehet për:-“…integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritjeje ekonomike gjithëpërfshirëse në mënyrë që edhe pensionistët të fillojnë të ndiejnë hap pas hapi drejtë Shqipërisë 2030, …”?
Nuk është as e pabesueshme dhe as gënjeshtër, por kjo ka ndodhur me çeljen e vitit të ri arsimor 2024-2025 në Berat. Shkolla “Babë Dudë Karbunara” sipas shifrave që mbron ministrja është; 1 nga 25 shkollat e reja të hapura ku punojnë 600 nxënës dhe mësues, pjesë e numrit të përgjithshëm të 350 mijë nxënësve.Ndërsa imazhi dhe propaganda nuk ka ndalur vetëm me reklamën e ndërtimeve të reja dhe rikonstruksioneve “në çdo cep të Shqipërisë dhe me standarde të efiçencës së energjisë”, sipas zv/kryeministres Balluku, disa dhjetra delegacione qeveritare dhe kryetarë bashkishë kanë vrapuar për të bërë foton dhe lajmin e ditës aty ku dhe influencat politike e kërkojnë hapësirën.
Në qoftë se opozita me përfaqësues të saj mundohet të japë vlerësimet e domosdoshmërisë së forcimit të programeve mësimore, theksi i tyre vihet për anën tjetër të shifrave negative që sigurisht janë prekur prej lëvizjes së lirë dhe shpopullimit, patronazhimit dhe preferencës politike të trupës mësimore pedagogjike, abuzimet me fondet e ndërtimeve dhe rinovimit të ndërtesave, mjediseve dhe librave ku një tregues në shifra të bie në sy se janë mbyllur 295 shkolla dhe 125 mijë nxënës më pak në 10 vitet e drejtimit të qeverisjes së rilindjes Socialiste. Të tjera shifra nga opozita konkretizojnë më thellë krizën kur analizojnë se 47% e fëmijëve të moshës shkollore jetojë me kushte të kequshqyerjes dhe se varfëria e familjeve ka bërë që rreth 20% e të rinjve nuk kanë mundësi të ndjekin shkollën dhe janë të pa punë.
Gjendja është e trishtë, prej vitesh kemi dëgjuar se në lëndët shkencore për shkollën e lartë dhe veçanërisht në degën e fizikës ka nga 5-7 studentë. Atëherë kujt reforme arsimore duhet t’i besojmë?
Pa u zgjatur më shumë duhet të pranojmë se rienergjizimi i rilindësve socialistë për dije i dha rezultatet brenda 24 orëve. Të gjithë në frontin e propagandës me zhurmë shifrash dhe zotimesh, por dhe që të gjithë që hidhen në aksion me transportin dhe dietat e shërbimeve që ua siguron kryeministri, i cili nga ana e tij nuk mungoi të bënte ofertën e mirëqenies ekonomike që sjell qeveria e tij këto muaj deri në zgjedhje. Rama u tregoi shqiptarëve se rroga e mësuesve është mesatarisht 950 euro dhe u bëri ftesë;-“ të gjithë mësuesit pensionistë që duan të punojnë, të kthehen të japin mësim me orar të reduktuar”.
950 euro ! A do të rendë për të zënë radhën një arsimtar me një pension mujor mbi 200 euro që të punojë me orar të reduktuar në shkollën më të afërt ? Apo mund të punësohen me qindra mësues të larguar nga reforma ekonomike-politike e tre mandateve edhe pse si arsimtarë të diplomuar janë të shtrënguar sot të lënë vendin drejt emigracionit sikurse ata që kanë mbetur po bëjnë sot çdo punë dhe nga dy punë për të siguruar të ardhurat, për të mbajtur familjen dhe për të shkolluar fëmijët e tyre?
Këto janë utopi të Ramës i cili ende nuk i ka nxënë shifrat dhe nuk e ka kuptuar se kemi nga renditja ndërkombëtare fundin e tabelës për paditurinë dhe analfabetizmin që ka goditur sistemin arsimor. Ai vazhdon dhe bën një propagandë “të guximshme” që shkon deri në tallje për mbarë shoqërinë shqiptare i bindur se do t’u marrë votën me këto forma mashtruese duke i fyer edhe më shumë në gjendjen e krizës që ata janë.
9 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)