Ka nisur sot sezoni i ri shkollor 2024-2025 për 350 mijë nxënës në mbarë vendin, 28 mijë prej të cilëve ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Ky vit i ri arsimor vjen me investime dhe me risi të ndryshme. Duke nisur nga 9 shtatori, për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës, 200 më tepër se më 2023. Gjithashtu, 240 oficerë policie do të garantojnë sigurinë e nxënësve nëpër shkolla, 40 më shumë se vitin paraardhës. Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur që të shtojë edhe numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë, duke e dërguar numrin e tyre në 850, 50 më tepër se viti i kaluar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se 238 mijë nxënës marrin libra falas vit shkollor.
“Fillim i mbarë, me tekste falas për 238 mijë nxënës, 25 shkolla të reja, +216 laboratorë SMART dhe terrene të reja sportive, si dhe me mësues më të motivuar me rritjen historike të pagave në 950 euro në muaj për ta”, – theksoi Manastirliu.
Në të gjitha shkollat ka filluar shpërndarja e librave falas, që është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, duke e bërë shkollën jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe ndihmuese. Nxënësit, të cilët u përkasin kategorive të veçanta do të përfitojnë libra falas për këtë vit shkollor. Gjithashtu në ditën e parë të shkollës do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Bashkisë Tiranë, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.
MASAT E POLICISË
Ditën e djeshme policia ndodhej në përgatitjet dhe koordinimin e detajeve të fundit nga forcat e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, ndërsa sot ka kaluar në terren, në mirëmenaxhimin e lëvizjes në zonat me më shumë trafik. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha duke iu uruar nxënësve, mësuesve prindërve fillim të mbarë e suksese në këtë vit shkollor, i garantoi ata se Policia e Shtetit dhe strukturat e saj kanë marrë çdo masë për sigurinë e tyre.
“Për të garantuar sigurinë rrugore dhe një qarkullim sa më të lehtë, ftojmë qytetarët të respektojnë disa këshilla të vogla”, – u shpreh Hoxha duke renditur disa prej tyre.
Kështu, Policia apelon prindërit që banojnë afër shkollave, të shmangin përdorimin e mjeteve për të shoqëruar fëmijët, duke ndihmuar në reduktimin e trafikut. Po ashtu, furgonat e mjetet transportuese të shkollave, ta kryejnë shërbimin në mënyrë të shpejtë, duke mos krijuar pengesa e bllokime të trafikut. Qytetarëve iu kërkohet të shmangin përdorimin e mjeteve personale dhe të përdorin transportin publik, nëse nuk e kanë domosdoshmëri. “Policia e Rendit, “Shqiponjat”, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake në çdo bashki do të jenë të pranishme për të mbështetur dhe garantuar sigurinë nga dita e parë e vitit të ri shkollor”, – njoftoi Hoxha.
Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, ka hartuar një plan të detajuar masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e angazhuara të saj. Qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë. Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar ndihmës specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale. Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.
Në kuadër të masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave. Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre. Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës. bw