Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e priti në një takim ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko, të cilin e njoftoi për “gjendjen e vështirë” të serbëve në Kosovë.
Vuçiq shkroi në Instagram pas takimit më 6 shtator se “i thashë gjithashtu se sa e vështirë është pozita e popullit serb [në Kosovë]”, duke shtuar se “më duket se kemi gjetur mirëkuptim nga ana e palës ruse për këtë”.
Bocan Harchenko ka thënë se Rusia është “e vetëdijshme për gjendjen e vështirë në Kosovë”, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
“Kosova do të jetë një nga çështjet më prioritet gjatë të ashtuquajturit sesion ministror në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në tetor pritet një seancë e Këshillit të Sigurimit dhe gjithashtu do të ofrojë mundësi që Rusia ta paraqesë qëndrimin e saj parimor, bazuar në Rezolutën 1244, për mbrojtjen e serbëve që jetojnë në Kosovë”, tha Bocan Harchenko.
Rusia është ndër aleatet më të mëdha të Serbisë dhe Beogradi gëzon mbështetjen e saj të fuqishme në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd u mbajt në ditën kur shoqata serbe bllokuan pikat kalimtare në pjesën serbe të kufirit me Kosovën, në shenjë proteste kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në Kosovë.
Ndërkohë, Vuçiq dhe Bocan Harchenko biseduan edhe për ftesën që presidenti serb e mori nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin për të marrë pjesë në samitin e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut), i cili mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus Kazan.
Vuçiq ka thënë se do ta marrë një vendim për ftesën në mbledhjen e BRICS më 10 ose 15 tetor.
Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk dëshiron t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Pas takimit me Vuçiqin në Loznicë në perëndim të Serbisë, Bocan Harchenko u tha gazetarëve se Moska e “vlerëson shumë qëndrimin parimor dhe të palëkundur të presidentit të Serbisë për bashkëpunimin me Rusinë, si dhe në lidhje me sanksionet” që Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë t’i vendosë kundër saj.
“Sigurisht, sanksionet nuk janë pranuar dhe nuk do të pranohen nga Serbia, gjë që na jep mundësinë të ecim përpara hap pas hapi, në kushte të vështira të deritanishme, në zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha Bocan Harchenko. REL