Donim të shkonim në shtëpinë e Dantes në Firence, te guri ku ai ulej dhe kundronte kishën përballë, po dhe ku pa Beatriçen dhe u magjeps, një magjepsje që vazhdon me shekuj…
Po Firence për mua është dhe poeti i madh europian i shekullit XX, Mario Luzi, hermetiku gjithë elegancë…
Po këtu ka shumë artistë, edhe shqiptarë, miq që kishim dëshirë t’i takonim…
Na prisnin piktori-skulptor
Alfred Mirashi Milot me piktorin-shkrimtar
Artur Spanjolli dhe së bashku u futëm në Duomon e famshme, ndezëm qirinj dhe dolëm në kërkim të Dantes, shkuam te muret e tij, ku janë dhe vargjet të tij, busti, ndërsa në gurët e rrugës është dhe një gur me profilin e tij, thonë se e ka gdhendur Mikelanxhelo.
Ndërsa Alfredi bënte foto të bukura me celular, Arturi po na tregonte dritaret e Beatriçes përballë.
Dhe pastaj do të shkonim te restoranti i një mirëditori. Natyrisht do të bisedonim dhe për “Çelsat gjigandë” vepra të Alfredit, të vëna në shumë sheshe të qyteteve të Italisë, por dhe në Shkodrën tonë, ku u bë dhe zhurmë, edhe në shtete të tjera është vënë ai monument dhe së shpejti dhe në Kinë, na tregon Alfredi.
Po me Mario Luzin tonë ç’do të bëhet? Poetin fiorentin e kishim njohur edhe unë, edhe Arturi, i kishim qenë dhe në shtëpi, kishim shkruar kujtimet tona më të, i kishim bashkuar dhe donim t’i botonim si libër më vete. Përmbledhjen me poezi shqip, që kisha përkthyer, e kishte botuar “Onufri”, i kisha dhënë dhe autorit 5 kopje dhe kujtova librin tim me poezi, botuar së fundmi në Itali, mori dhe çmim, ndërsa unë ende s’e kisha parë.
Shkuam te Piazza delle Signorie për të parë replikën e famshme të Davidit mikelanxhelojan dhe ndalëm te kafeneja e famshme “Giubbe rosse”, ku vinte Mario Luzi e poetë të shquar të kohës, themelues të futurizmit italian. Kafeneja s’ishte si dikur, as fotografitë e vjetra emblematike, përveç nja dyve, po kishte ndërruar pronar lokali…
Po poezia? Danten s’e ndryshon më asgjë, le të modernizohet bota habitshëm, edhe libri, por sa të ketë njerëzim, do të ketë dhe poezi, më kishte thënë në një intervistë Mario Luzi. Tani është një rrugë me emrin e tij në Firence, edhe një bibliotekë e park. Por ne morrëm kthesën për nga stacioni i trenit, u futëm nënkalimin plot me drita e shitore të bukura, ja, që edhe nëntokë ka ca parajsë, do të doja t’i thosha fantazmës së Dantes…