Policia turke ka arrestuar një shtetas të Kosovës, i cili akuzohet se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu. Autoritetet e Kosovës thanë se janë informuar zyrtarisht nga Turqia për këtë rast.
I arrestuari në Stamboll është identifikuar si Liridon Rexhepi nga Kosova. Ai kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua, tha Anadolu.
Agjencia turke po ashtu tha se, Rexhepi, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka bërë transferime të parave.
Sipas Anadolu, agjencia turke e inteligjencës dyshon se Rexhepi ka lehtësuar transferet financiare nga shtetet e Evropës Lindore, kryesisht nga Kosova, për tek agjentët e Mossadit në Turqi.
Paratë e transferuara nga Rexhepi raportohet të jenë përdorur për mbledhje të informacioneve në Siri, për kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve që lidhen me dronët.
Raportohet se Rexhepi përdori shërbime për transferimin e parave për në Turqi. Kur arriti në këtë shtet, paratë u shpërndanë tek operativët në terren, të cilët në këmbim, i dërguan këto para tek asetet në Siri, shpesh duke përdorur kriptovaluta për t’i realizuar këto transfere.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media në Prishtinë më 3 shtator, tha se institucioni që ajo drejton ka pranuar pyetje nga Turqia lidhur me këtë rast.
“Në këtë drejtim, na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se nuk mund të japë shumë informacione, sepse rasti është i ndjeshëm. Megjithatë, MD-ja, shtoi ajo, do të dalë me një deklarim, ku do të përfshihen informacionet që mund të ndahen me publikun për këtë rast.
Haxhiu, po ashtu, tha se bashkëpunimi juridik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë është i mirë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme i ka thënë REL-it se pyetjet për këtë çështje duhet t’i adresohen MPJD-së.
Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe hetues privatë, nën akuzat se kanë mbledhur të dhëna për individë, kryesisht për palestinezë që jetojnë në Turqi, dhe ato të dhëna ia kanë dërguar inteligjencës izraelite.
Izraeli nuk i ka komentuar arrestimet e bëra në Turqi.
Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një prej kritikëve më të zëshëm të veprimeve të ushtrisë izraelite, dhe e ka lavdëruar Hamasin, duke thënë se është një grup çlirimtar.
Në maj, Turqia ndaloi të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka aplikuar që të bëhet pjesë e një rasti të gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. REL