Do t’ju rrëfej shkurt, fare shkurt, historinë e një mikut tim nga komuna e Pejës. Në fund të viteve ‘40 ai kaloi kufirin dhe u hodh në Shqipëri. Përse e la vendin e vet të lindjes dhe përse u detyrua të kalojë vijën kufitare, duke provuar rreziqet që e prisnin në kufirin midis dy shteteve, për një trill apo duke e ëndërruar vendin amë si Kepin e Shpresës së Mirë?
Në atë mëngjes shtatori, rojat tona kufitare e kishin pikasur djaloshin e ri në çastin tek flinte paq në një lëndinë të bukur, rrethuar nga të gjitha anët me pisha.
Djaloshi kosovar, i lodhur dhe i stresuar nga emocionet dhe tmerri i kalimit të vijës kufitare, kur ndjeu që gjendej në tokën shqiptare, u shtri mbi qilimin e barit dhe kishte bërë një gjumë të ëmbël, plot ëndrra. Rojat kufitare e prisnin të zgjohej, të ulur aty pranë. U zgjua dhe hapi sytë nën një diell verbues. Atë çast iu kujtuan vargjet të Naimit… “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë…” të cilat kishte dashur t’i recitonte me zë të lartë. Vuri re që iu afruan dy roja kufitare, të cilët, qetësisht dhe me mirësjellje e pyetën për emrin dhe i kërkuan ndonjë dokument identifikimi. Ishte ai çast fatlum që djaloshit nga Strella ia dha truri të trillojë një identitet të rremë i cili do ta ndiqte pas gjithë jetën.
Në moshën njëzetvjeçare Jeton Shatri ishte një djalosh biond, me vështrim të vendosur e me trup atleti, vëlla i dy motrave dhe tre vëllezërve, të rritur para kohe me urrejtje ndaj pushtuesit serb, edhe për shkak të vrasjes së të atit të tyre tre vjet më parë. Sipas thënieve të një dëshmitari që i kishte shpëtuar masakrës së Tivarit, Ramadanin, partizan i orëve të para dhe pjesëmarrës i mbledhjes së Bujanit, e kishin qëlluar me plumb pas shpine dhe e kishin hedhur në lumë, në të hyrë të Shkodrës.
Ishte pikërisht kjo ndjenjë hakmarrjeje me të cilën po rriteshin pesë fëmijët e familjes Shatri, por, vetëm njeri prej tyre do të thurte plane në fshehtësi për t’u hakmarrë ndaj njërit prej vrasësve të të atit, i cili, sipas po atij dëshmitari që kishte denoncuar vrasjen e Ramës, kishte nxjerrë emrin e Milla Cerkoviçit, tashmë komandant i garnizonit të komunës së Pejës që merrej me rekrutimin e ushtarëve të rinj.
I vetmuar dhe në një fshehtësi të plotë, Jeton Shatri kishte ndërmarrë dy herë rrugën për në Pejë, i shtyrë jo vetëm nga ndjenja e hakmarrjes, por edhe kureshtar për ta parë në fytyrë njeriun e zi i cili e kishte hedhur trupin e të atit të tij në ujërat e Bunës. Rrugëtimi i parë gjer në Pejë shërbeu për ta parë së largu dhe për të fiksuar në mend zyrën e tij e cila gjendej në katin të parë të një ndërtese private, e sekuestruar nga shteti pas çlirimit të Jugosllavisë. Hera e dytë nuk i shkoi kot, me vrasësin u përball aty te kafja e vogël përballë komunës. Atë e shoqëronin dy punonjës civilë. Në kafe ata zunë një tavolinë përballë. Ai u ndesh me shikimin e tij të qetë. Nuk do të ndizej gjaku, nëse në atë çast nuk do të përfytyronte të atin e përgjakur.
* * *
Atë mbrëmje ai u kthye në fshatin e tij Strellë e Vogël, i çliruar nga ai makth vitesh që e kishte zënë për gryke, kishte parë vrasësin e të atit. Ishte muaji maj, prag provimesh. Edhe në intervalet midis provimeve të maturës ai shkoi dy herë në Pejë, me autobusin e linjës. Vërtitej rreth ndërtesës së garnizonit pa u vënë re, duke përcaktuar në detaje vendin nga ku i duhej të shtinte, çastin kur Milla Cerkoviç vinte në punë, rrugën nga vinte, orën kur dilte për të pirë kafen e mëngjesit…Në një nga ato çaste, duke qëndruar në një distancë rreth njëzet metra larg dritares së zyrës së tij, pa sërish atë figurë të urryer duke thithur cigaren. Dritarja e zyrës që binte mbi lumë ishte lënë hapur. I gjendur në atë çast te cepi i urës, i lindi ideja se varianti më i mundshëm për të qëlluar në drejtim të tij ishte pikërisht ai vend. Gjatë kthimit për në Strellë nëpërmendi dhe variante të tjera, revolverin e kishte siguruar prej kohësh, vendin e dinin dhe dy vëllezërit më të mëdhenj. Shqetësimi i tij nuk ishte vrasja, por pasvrasja. Peja nuk është fort lart nga kufiri shqiptar shtetëror, mirëpo, në raste të tilla do të ishte marrëzi të zgjidhje si shpëtim kalimin e kufirit.
Në ato katër muaj pritjeje të nderë, urrejtja ndaj vrasësit piqej ngadalë , siç piqet fryti në degë. Erdhi ai çast kur nga variantet e mundshme triumfoi ai më i sigurti, më i shpejti, më reali dhe më i arsyeshmi.
Kishte edhe një arsye tjetër për të përmbushur para kohe betimin e tij: dy ditë para se të kryente atentatin i erdhi fletëthirrja për ushtar? Nuk pati kohë të mendohej gjatë, mendja e tij punonte për një çështje madhore.
Në gjithë këtë histori ka një detaj jo pa rëndësi, Jeton Shatri ishte një lexues i pasionuar. Dostojevski ishte autori i preferuar, kryeveprën e tij mbante romanin “Krim e ndëshkim”.
Në ato ditë mëdyshjesh, i shkreptiu një paragraf i tij ku thuhej; “Nëse do të fshehësh diçka, fshihe në një vend të rëndomtë që të mos i shkojë mendja askujt, si për shembull nën një gur… në mes të fushës.
..Ky vend i rëndomtë për Jeton Shatrin ndodhej përballë ndërtesës së Garnizonit , nga ana tjetër e lumit, nën ca hedhurina të vjetra, ndër të tjera dhe një kapotë e vjetër ushtarake, nën një plep te vetmuar. Pa më thoni tani, cili ekspert kriminalist mund të mendonte që vrasësi, në rastin konkret, vetë heroi ynë, si të kishte qëlluar mbi Milla Cerkoviç, s’do të lëvizte nga vendi i krimit?
Një fshehje e tillë gjithkujt do t’i dukej diletante, ndërsa Jetonit kjo gjetje iu duk gjeniale. Ja, pra, pse them unë që te heroi i këtij tregimi, nën ndikimin e disa romaneve që kishte lexuar, kishte ndodhur ajo që i kishte ndodhur dikur heroit të Mançës.
Vrasja u bë më 14 shtator, në çastin kur në qendër të Pejës ishin ndezur dritat dhe Milla Cerkoviç , për fatkobin e tij do të shfaqej te dritarja e zyrës, me cigare në buzë. Pragmbrëmja e atij 14 shtatori do të mbahet mend nga të gjithë banorët e qytetit të Pejës. Ishte hera e parë që dëgjonin një vrasje aq të bujshme dhe dora vrastare nuk do merrej vesh kurrë.
* * *
Jeton Shatri e kreu atë vrasje me një vetëdije të ftohtë, por nuk mund të them gjer në çfarë shkalle kjo ndjenjë ka qenë e vetëdijshme. Janë disa persona te të cilët drejtësia shndërrohet në një instinkt. Mund të them me bindje se ai kishte lindur me instinktin e drejtësisë, i cili mund ta çonte gjer në flijim. Te disa persona, instinkti i drejtësisë çliron një energji e cila, gjen kohën të kthehet në bumerang. Të shkosh me vetëdijë drejt një qëllimi, si drejt një dritëze që fërgëllon në fund të një labirinti të errët, qoftë edhe duke shkelur mbi kufoma.
Jeton Shatri shkeli vetëm mbi kufomën e vrasësit të të atit. Nuk shkeli, e la aty, të përgjakur, dhe iku, pa asnjë alarm në sy. Iku si ai njeriu që, pasi kryen detyrën e vet, e hedh armën për tokë, por ai as armën nuk e hodhi për tokë, e futi nën këmishë. Dyzet e tetë orë qëndroi pa lëvizur nën ca lecka dhe nën atë kapotën e grisur ushtarake edhe pse iu tha buza për një pikë ujë. Të pasnesërmen, në mesnatë, eci anës lumit, sipas koordinatave të sakta, të studiuara kohë më parë, doli nga lumi e më pas iu ngjit Bjeshkëve të Nemuna nga ku do të kalonte kufirin për t’u hedhur në Shqipëri.
I kishin treguar se për t’u hedhur në Shqipëri duhet të ngjiteshe në Bjeshkët e Nemuna. Ishte një dhiare e cila zbriste malit thikë, pa u pikasur nga rojat kufitare nëse kalimi bëhej natën. Ishte pikërisht ajo dhiare e bekuar nga zoti, ku s’mund të dëgjohej thirrja e frikshme “Ndal! dhe breshërima e plumbave. Ishte një natë pa hënë. Në çastin që mendoi se ndodhej në tokën shqiptare, e kapi një drithërimë gëzimi, e ngriti revolverin në ajër dhe e flaku larg, shumë larg, si të ishte një send pa vlerë.
”O Zot, më fal, – tha në atë çast me vete, -por ai e meritonte.”
* * *
Ndoshta do të bëheni kureshtarë të dini ç’ndodhi më pas. Imagjinoni edhe ju ç’do të thotë të jesh një njeri i vetmuar, pa shtëpi e pa njeri, të vërtitet në një qytet të cilin e ka parë në ëndërr, kryeqytetin e atdheut të tij amë. Pas ndjesisë së mirë që i lanë atë mëngjes dy rojat, ushtarë të rinj të shërbimit kufitar, siç mund të kishte ndodhur të ishte edhe ai në ato çaste, të tjera emocione do të përjetonte në zyrën e komandantit të degës së punëve të brendshme të Shkodrës. Qysh kur e pa, para tavolinës së tij të punës, fytyrëngrysur e me një shikim të dyshimtë, i shkoi mendja për keq. Marrëdhëniet e shtetit shqiptar me atë jugosllav aso kohe ishin në muajin e vet të mjaltit. Mos vallë ky njeri që kam përballë di gjithçka, ka marrë vesh gjithçka ndodhi atë mbrëmje në qytetin e ftohtë të Pejës? Pyetjeve të tij iu përgjigj shkurt, me po dhe jo. Arsyen e vërtetë përse e kishte kaluar kufirin e shpjegoi si një ëndërr e ushqyer në vite për të vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, në degën e letërsisë. Pyetjes nëse kishte njerëz të afërt në Shqipëri iu përgjigj duke mohuar me kokë. Emrin e një djali xhaxhai që punonte në organet e sigurimit të shtetit, nuk e përmendi fare. Para kryetarit të degës përsëdyti edhe njëherë emrin e tij të rremë. Pra, tani e tutje dhe mbase gjatë gjithë jetës së tij do të quhej Jeton Shatri.
* * *
Vetëm dyzet e tetë orë e mbajtën në zyrat e degës së punëve të brendshme të Shkodrës. Gjatë atyre orëve ai hapi çantën ku mbante vetëm libra, ndërmjet syresh dhe romanin e preferuar të Dostojevskit “Krim e Ndëshkim”, të cilin e tërhoqi dhe nisi të përqendrohet nëpër paragrafët që kishte nënvizuar me bojë të kuqe. Në mbrëmje u mor në pyetje nga një oficer i moshuar të cilit i kishte takuar roja e shërbimit të asaj nate. Ditën tjetër e mori në pyetje një hetues ushtarak i veshur civil, një djalosh i ri, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana. Quhej Shezai Dorsi. Kishte një të folur të qetë me zanore të zgjatura në rrënjët e fjalëve, karakteristikë e së folmes labe.
Edhe pse hetuesi i ri u tregua i njerëzishëm me të ardhurin nga Kosova, prej tij u dëgjua i njëjti refren:”Kam ardhur veç për me vazhdue studimet e larta… E kam pas andërr me studju për letërsi në Universitetin e Tiranës”. Shezai Dorsi kishte mbaruar Fakultetin Juridik dhe ishte emëruar jurist në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai kishte dobësi për Kosovën dhe kosovarët. Në fytyrën e tij nuk u shfaq asnjë grimë dyshimi. Ai kishte pasur një xhaxha që gjatë viteve të para kishte punuar si arsimtar në komunën e Ferizajt dhe ishte ndarë prej andej me përshtypjet më të mira. Dy ditë më vonë erdhi vendimi nga Tirana për ta lënë të lirë. Nga zyrat e degës së brendshme e përcollën me respekt të veçantë. E pyetën ku dëshironte të sistemohej.
– Në Tiranë, -tha ai pa hezitim.
Atë çast falënderoi me mend hetuesin e ri, i cili i kishte lënë adresën e vet duke i i thënë: “Nëse vjen në Tiranë, për çfarëdo problemi që do të kesh, më kërko mua”.
Harrova t’ju them, çanta me libra ndikoi për mirë në opinionin që u krijua për të. Kur i bënë kontrollin e trupit i gjetën në xhep 1000 dinarë jugosllavë, të cilat nuk do të hynin në punë për asgjë. Në çastin e përcjelljes i dhanë 2000 lekë shqiptare, pare xhepi.
Ishte ora dhjetë kur doli nga ndërtesa e degës. Gjatë gjithë asaj dite u end në qytet. Kishte dëgjuar shumë histori për Shkodrën e Migjenit e të Fishtës, Shkodrën e Dasho Shkrelit, Shkodrën e shkodranëve të qytetëruar, e kishte ëndërruar këtë qytet verior ta shihte një ditë dhe ja, si në një ëndërr të bukur kjo ditë kishte ardhur. Nuk u besonte dot syve që gjendej në Shkodër dhe shëtiste i lirë dhe i shpenguar nga çdo brengë rrugëve të saj.
Qëllimi i tij i mbramë ishte Ura e Baçallëkut. Nuk mund të ikte nga Shkodra ashtu, pa parë vendin ku kishin hedhur trupin e të atit të gjorë. Kur ra mbrëmja dhe ai u gjend më së fundi te vendi i krimit, pati ca të rrëqethura në trup. Më pas e ndjeu veten si të mpirë. Fakti që gjendej shumë pranë eshtrave të të atit nuk i zgjonte asnjë ndjenjë… Eshtrat e tij kishin përfunduar në det…po shpirti i tij endej akoma në atë vend. Shpirti i tij ishte shndërruar në frymë, në ndjesi. “Baba, e mbajta fjalën”, – tha me gjysmë zëri të dridhshëm.
* * *
Dita e parë në Tiranë takoi një mesditë diellore. Sa pa Sahatin e madh, që larg, iu drodh zëmra. Tirana që kishte ëndërruar. Kryeqyteti i vendit amë… Tirana ime e dashur. Më ke pritur? Të erdha… Nuk i durohej sa të mbërrinte në qendër, sikur ajo të ishte pikëmbërritja e ëndërruar dhe arsyeja e kalimit kufitar dhe e të shtënave mbi trupin e komandantit të garnizonit të Pejës. Kur u gjend në qendër të Tiranës i tërhoqën vëmendjen fotografët e shumtë. I dolën para me aparate në dorë duke i propozuar me mirësjellje për ta përjetësuar atë çast, sikur ta dinin që Jeton Shatri vinte nga një botë tjetër. Nuk bëri një, por tri poza në tri pozicione të ndryshme. Në çastin që po merrte faturën, i shkoi ndër mend të pyeste për kushëririn e tij. Fotografët e qendrës kishin informacion për gjithçka mund të kërkonte një i huaj. “ Haki Pejën? -tha më i moshuari. – Si nuk e njohim. Punon në Ministri të Brendshme. Banon në pallatet e shallvareve. E ke tek ajo ndërtesa atje”.
Jetoni u nis drejt ndërtesës portokalli, e cila, në pamje të parë, nuk i la ndonjë ndjenjë të frikshme. E pati të vështirë të komunikonte me rojën, i cili nuk të shikonte në sy. I priste të gjithë hundë e buzë duke iu përgjigjur prerë: “Nuk është…”Nuk ka pritje…”Eshtë i zënë…” Jetonit iu duk se po e rrente kur i tha “Nuk ndodhet në zyrë”. U vërtit pak kohë, kur u kthye sërish roja ngriti kokën, nga e folura mendoi se do të ishte njeriu i tij. “Nuk vjen sot”, – i preu shpresat Jetonit me një vështrim dashamirës.
Në atë çast Jetoni mendoi se do të ishte më mirë t’i shkonte pas dite në shtëpi. Haki Peja ishte i vetmi kushëri i tij, njeri i tij me influencë në shtet, ish- partizan. Pas çlirimit kishte veshur uniformën e oficerit dhe ishte emëruar në Shqipëri, fillimisht në ambasadën jugosllave, më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Askush nuk e dinte hollësisht me çfarë punësh të brendshme merrej.
U vërtit i lumturuar rrugëve gjersa vuri re dy akrepat e Sahatit të madh të puthiteshin te numri gjashtë. Natyra kureshtare ia tërhoqi këmbët gjer te ato ndërtesat me tullë të kuqe të shallvareve. Ndërkohë kishte rënë plotësisht mbrëmja dhe mbi shtyllat e neonit nisën të fërgëllonin dritat si krahë pëllumbash. Te sheshi brenda pallateve disa fëmijë luanin me potere kukafshehthi.
Jeton Shatri nga natyra ishte dyshues, një dyshues i qetë, i hollë dhe i vëmendshëm. Nuk jam në Jugosllavinë e Titos, mendoi, jam në Shqipni. Iu afrua vajzave të vogla që luanin te shkallët e hyrjes së pallatit dhe pyeti për familjen Shatri.
Një vajzë e hollë dhe e gjatë, me fustan përmbi gju u ngrit në këmbë dhe i tregoi dritaret e apartamentit të katit të tretë. Atij i erdhi mirë që kushëriri i tij ishte një njeri i njohur dhe i respektuar në mjediset ku banonte. Shkallët i ngjiti ngadalë… Sikur ta shtynte dikush nga pas. Në sheshpushimin e katit të tretë ndaloi, mori frymë thellë dhe i ra ziles. Doli te dera një fëmijë me shikim të çuditur. U tremb nga i panjohuri dhe hyri brenda duke e lënë derën gjysmë të hapur. Atë çast doli një grua e bëshme me veshje shtëpie.
-Kë kërkoni?- e pyeti duke e hetuar në fytyrë atë djalosh shtatgjatë që nuk e kishte parë kurrë.
– Zotin Haki…- i tha Jetoni.
Gruaja e bëshme e cila duhet të ishte e shoqja, qëndroi në mëdyshje, i hodhi dhe një shikim të dytë të panjohurit dhe u fut edhe ajo brenda, duke e lënë në pritje. Vonesa zgjati vetëm pak sekonda ndërkohë që Jetonit iu duk se po qëndronte aty, në errësirën e sheshpushimit, në një pritje pa fund. Pas pak ajo u kthye për t’i thënë se i shoqi nuk ndodhej në shtëpi, dhe për të mbyllur derën.
– Nuk ndodhet në shtëpi?- mendoi Jetoni duke zbritur shkallët.- Atëherë përse duhet të më linin të prisja? Përse nuk ma tha qysh në fillim? Edhe pse e kishte kapluar një nervozizëm i brendshëm, e ndiente veten të qetë. Atë mbrëmje ai pati shumë hamendje për atë qëndrim fyes dhe poshtërues, por shkakun e vërtetë nuk do ta mësonte kurrë.
Ishte ajo fjala “zotni”, e hequr prej kohësh nga fjalori i shqiptarëve, që e bëri atë të largohej papritur? Mos vallë roja te hyrja e Ministrisë i ka bërë një përshkrim të saktë portretit tim dhe ai ka menduar …
I sistemuar në hotel “Çajupi” kaloi sërish në filtrin e një arsyeje të ftohtë lloj –lloj dyshimesh. Konkluzioni: sa mirë që nuk e takova ! Me këto mendime në kokë u vërtit edhe pak çaste në krevatin e drunjtë të atij hoteli të vjetër, mbi të cilin binin dritat e llambave të bulevardit, gjersa e zuri gjumi.
Të nesërmen u ngrit qysh herët. Kishte vendosur të takonte një mik të të atit i cili jetonte në një fshat të Lushnjës. Kur zbriti te stacioni i trenit dhe pyeti ku ndodhej katundi Savër, mori vesh se nuk ishte aq afër sa i kishin thënë. Dy tre orë të mesditës i kaloi me dorën lart, në kryqëzim të rrugëve. Ndodhi që kaloi një zetor i cili shkonte në Savër. “Hip!” i thirri shoferi, një djalosh vetullzi, i cili kur gjendej në timon kishte dëshirë të këndonte këngë qaramane. Gjatë rrugës, pasi mori vesh pse kosovari shkonte në Savër, ai i tha; “ Do t’i prishësh punë vetes dhe atyre fakir fukarenjve”. Fjalën “fakir” Jetoni nuk e kuptoi, por fjalën fukara e njihte mirë.
Zetoristi e zbriti në fushë të hapur nga ku dukeshin ca shtëpiza të ulëta, të mbuluara me kashtë e të thurura me kallama e të ngritura nëpër fushë pa asnjë rregullsi. Re të zeza ishin ulur mbi fushë. Jetoni qëndroi pak çaste në cep të udhës për t’u orientuar me këtë pamje apokaliptike e cila i dukej si fundi i botës. Një vajzë me fustan basme i kaloi pranë, po kthehej nga shkolla e mbrëmjes, me çantë nën sqetull. Iu afrua dhe me mirësjellje e pyeti nëse e njihte një kosovar me emrin Bislim Gjinovsi.
– Po, – tha ajo dhe u tregua e gatshme për ta shoqëruar gjer tek banesa e tyre njëkatëshe e ndodhur anës rrugës. Duke ecur krah tij, ajo i hidhte të huajit herë pas here një bisht-syri të frikur. Te lesa e banesës së tyre vajza ndali dhe thirri emrin e një vajze që quhej Ferinaze. Nuk iu përgjigj kush. Sakaq, një plakë e rrëgjuar doli te dera, vuri dorën mbi sy, pa të panjohurin, u tremb dhe u fut brenda, më pas doli një fëmijë kureshtar i cili nuk pati kohë të shihte të panjohurin, pasi u tërhoq me forcë, nga brenda. Në atë çast Jeton Shatrit iu kujtuan fjalët e zetoristit “Do t’i prishësh punë vetes dhe atyre fakir fukarenjve…”, i ktheu shpinën dhe u kthye nga kishte ardhur. Pasi u nda me vajzën dhe u ngjit në rrugë, ktheu edhe një herë kokën dhe vuri re të gjithë familjen e madhe të Gjinovsëve. Të mbledhur grumbull kishin dalë te dera duke e përcjellë me sy largimin e tij.
Atë çast sikur ta kishte prurë zoti vetë atë lushnjarin me zetor. Zetoristi e kishte parashikuar këtë pritje. Ai kishte menduar edhe që të huajin nuk duhet ta linte në Savër. Hodhi thasët me bukë te dera e kooperativës dhe në kthim frenoi me zhurmë pranë këmbeve të tij. “Ee…? – i tha . – A s’të thashë? Hip shpejt se do na zërë nata në Savër”.
* * *
Ju premtova që s’do të zgjatem në imtësi të panevojshme, mirëpo, kur gjendesh para letrës së bardhë, idetë fshihen nga të gjitha anët dhe ngjarjet nisin të sulmojnë njëra-tjetrën, sidomos kur ke të bësh me ngjarje të një të kaluare të largët…Nuk jam i qartë nëse gjatë shkrimit jam duke ndriçuar çfarë është me rëndësi, për ta ditur dhe ju, dhe çfarë duhet të shtyj në harresën e përjetshme. Në vitin e parë të fakultetit Jeton Shatrin unë e kam pasur në kurs. Nga gjithë ai vit mbaj mend një grindje që ai pati me profesorin e lëndës “Hyrje në gjuhësi” e cila u bë shkak për ta lënë fakultetin. Profesori, një shkurtabiq me pamje të zbehtë, si negativ filmi, “sytë e tij ngjanin me sytë e një njeriu të varur, ndonjëherë me një lloj shtrese të hollë gjumi.”
“Po të krijoj mundësinë e fundit,- iu drejtua Jetonit,- Shiroka në poezinë e tij si e përdor fjalën shpresë?
-Shpënesë,- iu përgjigj Jetoni i sigurt.
“Ik!”- thirri ai, sikur në atë çast të ishte zgjuar nga gjumi.
Jetonit i hipi gjaku në kokë, bëri një gjest, i cili, mua që në atë çast isha dy hapa larg tij, m’u duk se mund ta qëllonte me grusht. Dora e tij ishte zgjatur për të mbledhur librat e shpërndara mbi tavolinë: “Po iki, – i tha, – nuk mund të rri ulur në një tavolinë me poshtërsinë”. Iku dhe nuk u kthye më, as në vjeshtë dhe as në dimër.
Dikush kishte hapur fjalë se ishte arratisur në Jugosllavi: Legjenda e arratisjes arriti të besohej edhe nga vetë ata që e kishin trilluar. …Dikush tha që kishte përfunduar në Amerikë dhe kishte nisur punë në një garazh makinash luksoze ku paguhej mirë. Historinë e vërtetë do ta merrja vesh në prag të Vitit të Ri, ditën e fejesës së vajzës së hallës sime, Artës , me hetuesin Shezai Dorsi. Fejesa u bë në 25 dhjetor, natën e Krishtlindjeve, e festuam së bashku, në familjen e Mevlud Zenelit, oficer i lartë në aviacionin ushtarak. Arta ishte studente në vitin e fundit për mjekësi. Atë mbrëmje ajo pati kënaqësinë e madhe të më njihte me Shezaiun.
-E njoh, -i tha Shezaiu, sa më pa. – Ju jeni student i letërsisë. Në kursin tënd kam pasur një mik kosovar…
Edhe unë e njihja Shezaiun, madje e dinim të gjithë që ai ishte hetues dhe punonte në Ministri të Brendshme.
U bëra kureshtar. Prita rastin kur nisën të këndonin labçe dhe iu afrova pranë. Në atë kohë, të uleshe në tavolinë me një hetues të Ministrisë së Brendshme ishte privilegj.
-Jetonin e kam njohur një ditë pasi ai ka hyrë në Shqipëri, -tha ai. – Një javë më vonë më erdhi në zyrë. E mora për krahu, dolëm jashtë dhe u ulëm në një kafe. Kishte nevojë për para. I propozova të punonte ca kohë në sharrat e Llogorasë. “Të mendohem”, tha. Në Llogora kisha vëllanë e madh, te brigada e sharrave. A ke ardh me njoh Shqipninë?- i thashë. Vendosi të shkojë. Në ndarje më rroku për krahësh fort: “Shqipninë e njoha, – tha, -Shqipnia je ti…”. –Ishte njeri punëtor dhe me karakter”.
Ndezi cigaren dhe bëri një pauzë të gjatë.
-Tani dhe mund të thuhen ca gjëra, -shtoi ai . -Nuk janë më sekrete. Pas prishjes me Jugosllavinë ai nuk kishte pse prezantohej me një emër të rremë.
* * *
Atë mbrëmje bisedat tona bëheshin me ndërprerje, herë pas here duhet të merrnim pjesë në bisedat e të ftuarve. I erdhi radha të ngrihej dollia e dhëndrit. Në atë çast dollibashi u ngrit në këmbë me gotë në dorë dhe i bëri një vlerësim të lartë. Edhe pse i ri në moshë, detyra e hetuesit i kishte dhënë një hije të ngrirë. Shezaiu ishte i vetmi që nuk e hoqi kollaren as kur u ngrit të vallëzojë me Artën e ne na binin djersët çurg në atë dhomë të vogël apartamenti .
“Në muajin tetor na erdhi një informacion i cili m’u caktua për ndjekje të mëtejshme.- vijoi ai pas pak. -Në Shqipëri ka hyrë një kosovar i cili dyshohet për një vrasje. E quanin Azem Bytiçi. Një nga më të kërkuarit nga prokuroria jugosllave. Meqë ai ishte nga Peja, mendova se Jetoni duhet ta njihte. Në informacion thuhej shprehimisht: “dyshojmë se gjendet në Shqipëri”. Informacione të tilla na vinin shpesh. Ne ishim mësuar me blofe të tilla, për më tepër, shumica e të kërkuarve ishin të rinj kosovarë, të cilët i kishim mirëpritur dhe i kishim sistemuar në punë.
U nisa qysh atë ditë për në Vlorë. Do t’u bëja një vizitë të shkurtër prindërve, më pas Jetonit e, me këtë rast, takoja dhe tim vëlla.
I gjeta të dy tek tërhiqnin një trung pishe për te vendi i sharrimit. U gëzuan shumë kur më panë. Me Jetonin u përqafuam si dy miq të vjetër. Shkuam te restoranti nën pisha, zumë një tavolinë në qoshe, me pamje nga pylli, porositëm birra dhe pritëm sa të vinte dhe Rushani.
Pas pak erdhi im vëlla.
– Na e ke bërë shumë qejfin, – tha.- Këtu vetëm me ujqërit mund të bisedojë njeriu…
Kur e pyeta Jetonin për Azem Bytiçi ai u rrudh në fytyrë. Kjo më bëri të besoj që ai e njihte. Fillimisht bëri sikur nuk kuptoi, më pas pranoi që e njihte. Gjashtë muaj më ka sjell vërdallë ai njeri.. Hajde sot, hajde nesër…Për më tepër, isha unë që kisha biseduar me shefat për ta hequr nga sharrat e për ta sjellë me punë në Tiranë. Një javë më vonë u nxeha keq me të…
– Kam filluar të dyshoj tek ti, – i thashë.
– Azemi Bytiçi punon te NISH Tulla 3, – më tha.
Shkova te NISH Tulla 3 dhe takova drejtorin. “Nuk kemi asnjë punëtor me këtë emër”, tha ai. Të nesërmen më mori vetë në telefon: “Në orën gjashtë e gjysmë Azemin e ke te kafja ”. Në atë takim unë shkova me vonesë: – Priti, priti dhe iku, – tha. -Nesër e sjell sërish.
– Ku punon?- e pyeta.
– Në Guroren e Dajtit.
Në gurore kishte një Azem, por me mbiemër tjetër. Kisha nisur të dyshoj seriozisht tek ai…Duhet të vendosja ç’qëndrim duhet të mbaja me të në ditët e më pasme. Ishin ato ditë që Radio Tirana buçiste orë pas ore për tradhtinë e Titos dhe prerjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë titiste. Atë mbrëmje takimin e kishim lënë tek ajo kafja e vogël , pas ish- komitetit ekzekutiv. E pashë që sa hyra.
I vetëm. Iu ula përballë, hoqa çantën nga krahu dhe e lëshova mbi karrigen bosh. Më pyeti çdo të pish.
– Një çaj, – i thashë, pa i ngritur sytë. Do t’i thosha vetëm një fjalë të cilën ende nuk e kisha formuluar qartë dhe do të ikja. Erdhi kamerierja dhe solli la porosinë.
-Ku e ke Azemin?- i thashë prerë.
-Azemin? – tha ai, pa më parë në sy. – Azemi jam unë.
Tërhoqa karrigen pas duke e parë me habi…
* * *
Kur mendon të shkruash një histori, ndër mend ke të tjera gjëra, kur gjendesh para letrës së bardhë mendimet bëhen rrokopujë. Në çastin e krijimit është dikush që dikton e që mund të t’i bëjë lesh e li faktet dhe ngjarjet. Jua them këtë pasi dua të jem i ndershëm me ju, me ju dhe me veten time, dhe me ngjarjet që i kam njohur ose përjetuar.
Pas prishjes me Jugosllavinë, në rangjet e larta të partisë dhe të shtetit u duk sikur ndodhi një tërmet. U shkarkuan shumë kuadro të lartë të cilët punonin në punë të rëndësishme, pati të tjerë, më pak të rëndësishëm , që mbulonin marrëdhëniet midis dy shteteve tona të cilët u hoqën përgjithmonë nga Tirana, me gjithë familje. Ministri i Brendshëm i asaj kohe u dënua me pushkatim. Kjo valë e kishte kapur dhe Haki Pejën, i cili merrej me problemet e Kosovës. Ai vetë u dënua me 10 vjet burg, ndërsa familjen ia internuan në Belsh të Elbasanit. Në situata të tilla ndryshimesh ndodhin ngjitje dhe zbritje. Për fat të mirë ose të keq të Jetonit , në këtë kohë ndryshimesh u krijua një sektor i ri pranë Komitetit Qendror, detyrat e të cilit mbaheshin tepër sekret. Në listat e reja që do të punonin në organet e sigurimit ishte propozuar dhe emri i Jetonit. Ndoshta ka qenë një rastësi, kanë parë kartelën e tij dhe faktin që dinte serbisht, dhe, ai më i madhi, i cili vendoste për këto punë, ka thënë, thirreni dhe merrini një mendim. Propozimin e tyre Jetoni e konsideroi si një nder që i bëhej nga partia dhe shteti. Pra ai nuk ishte një njeri i panjohur, madje, ishte piketuar për të punuar në një sektor sekret, në marrëdhëniet e reja që duhet të bëheshin tashmë, vetëm me Kosovën. Do të shkonte në Kosovë me identitet të rremë. Azem Bytiçi kishte vdekur njëherë e përgjithmonë. Në lëkurën e Azem Bytiçi jetonte një farë Jeton Shatri.”Partia ka besim te ti”, i kishin thënë kur e kishin thirrur për t’i marrë mendim për detyrën e re. Kjo ishte një formulë e njohur për të gjithë ata që i thërrisnin për të punuar në detyra sekrete.
-Të mendohem, – kishte thënë Jetoni. Dhe kjo, ishte një formulë që përdorej në raste të tilla. Nuk duhet të thoshe jo, por edhe nuk duhet të tregoheshe as shumë entuziast, entuziazmi i tepërt krijonte dyshim. Sa zbriti shkallët e Komitetit Qendror fluturoi drejt zyrës së Shezos.
– Eshtë një nder që të bëhet, – i tha ai.- Partia ka nevojë për njerëz si ti. UDB-ja ka qenë ulur këmbëkryq në Shqipëri, tani na ka dalë një punë e madhe…
– Nëse do të më kërkohet të luaj spiunin,- kanë gabuar.- tha Jetoni.- Nuk jam unë i këtyre punëve.
-Është hapur një sektor i ri për Kosovën, me seli pranë Komitetit Qendror, i cili do të merret me çështjen shqiptare, -i tha ai.
-Çështja shqiptare i pëlqen çdo kosovari, – tha Jetoni. Pra, ai po thirrej në një detyrë të re, për t’i shërbyer çështjes së madhe.
Mos vallë flitej për ëndrrën e kahershme të të atit për bashkimin e trojeve shqiptare?
* * *
Para se të nisej për në Kosovë, ai bëri një muaj përgatitje teorike, praktike dhe fizike, së bashku me disa të rinj të tjerë me biografi të mirë, të zgjedhur për këtë punë. Aty mori vesh se përzgjedhja e tij ishte bërë për shkak të njohjes së gjuhës serbe. Ndër çështjet më kryesore ishte ruajtja e sekretit. Hyrje- daljet në Kosovë do të bëheshin në fshehtësi të plotë. Edhe pse do të hynte e do të dilte nga Kosova, edhe në qoftë se do të gjendej shumë afër shtëpisë së tij, ai duhet t’u shmangej të njohurve, familjarëve, miqve dhe shokëve. Do t’u kalonte pranë si një hije, nuk do takonte askënd, as nënën, as vëllezërit, as motrën e tij të vogël, as motrën tjetër që ishte e martuar dhe jetonte në Prishtinë…Kësaj i thoshin: shko gjer te burimi dhe mos pi ujë. E keqja tjetër e kësaj pune ishte ajo që çdo lëvizje duhej të bëhej në prani të kolegut, ata të dy nuk duhet të ndaheshin as në gjumë.
Pyeti për kolegun e tij, i thanë që është një ish-partizan nga Librazhdi, i martuar, me fëmijë. E quanin Stilian Koçibellit, shkurt e thërrisnin Lili.
U njohën me njëri-tjetrin kur i thirri ministri në zyrën e tij. Ministri e njihte Lilin qysh nga koha e luftës.
-Ti Lili e ke armën dhe veshjet, -i tha ai, -Për ju, kam dhënë urdhër t’ju pajisin me armë,-iu drejtua Jetonit miqësisht. Jetonit nuk i pëlqeu kolegu i tij. Iu duk një tip i vrazhdë dhe i mbyllur. Me tipa të tillë nuk di njeriu ç’të flasë, po ç’rëndësi kishte kjo, ata ishin thirrur për një çështje kombëtare. Kur dolën nga zyra e ministrit dhe u ulën në një kafe, mori vesh që këtë detyrë Lili nuk e kishte për herë të parë. Në kafe ndërroi mendim për të, iu duk njeri i drejtë dhe i vendosur, por, sakaq, i kapi syri një shikim të dyshimtë… Qenka nga ata njerëz që të studiojnë tinëzisht. Po ç’rëndësi kishte dhe kjo, para çështjes kombëtare? Atje ata të dy do të takonin dikë… Do të linin diçka dhe do të merrnin diçka. E gjitha kjo punë për dy-tri ditë.
Nga Tirana u nisën një të shtunë, në mëngjes herët. Qëndruan në Tropojë gjersa ra mbrëmja, gjatë gjithë asaj dite Jetonit i hidhej zemra peshë: Po kthehem në Kosovë! Po kthehem në Kosovë! Gjatë asaj dite Jeton Shatri krijoi një mendim më të zbutur për kolegun e tij, edhe pse fjala “parti” ishte ulur galiç në trurin e tij. Kur ra mbrëmja u futën në një xhips ushtrie i cili i përcolli gjer në afërsi të pikës kufitare të Çeremit. Nga ana tjetër e kufirit, në një bregore, dukej karakolli i Koshares. Komandanti i postës sonë, një djalë i ri nga Labëria, ishte në dijeni të këtij kalimi. Ai i priti vet me një ushtar tjetër, poshtë postës dhe i shoqëroi me sy gjersa kaluan brezin e ftohtë.
Sa preku me këmbë tokën mëmë Jetoni ndjeu një drithërimë. O Zot i madh! – tha me vete.-Ç’lidhje paska njeriu me tokën e vet? Ishte një ndjesi të cilën mund ta përjetoje vetëm në ëndrra. E përshkoi një erë malli përzier me flladin e ngrohtë të një nate hënore, kundërmim i pishave përzier me aromën e mollëve të kodrave të Strellës. Ishte fryma e shpirtrave të stërgjyshërve të tij a çfarë tjetër , ky fllad nate, me ndriçimin e ngrohtë të hënës dhe yjeve të vendlindjes, i cili trupin ia bënte më të lehtë, këmbët më të shpejta,, drejtpeshimin më të bukur e brengën më të hënëzuar? Këtë gjendje nuk e kishte përjetuar as në ato çaste kur kishte qëndruar mbi urën e Bunës dhe kishte biseduar me frymën e të atit të gjorë.
Para tij ecte Lili. Për shkak të ndriçimit të plotë të hënës, zbritën në një përrua me ujë kristal dhe ecën përgjatë përroit me lisa të zhveshur. Pati një çast që Lili i kërkoi Jetonit t’i printe para. Toni i zërit iu duk në formë urdhri. Mos jam nën kontroll?-mendoi. Jeta e kishte mësuar të ishte dyshues te çdokush e në çdo gjë, gjer në atë masë ku s’ndërhynte fantazia e tij e zhvilluar Ai kishte lindur si një dyshues i fshehtë, i heshtur dhe i vëmendshëm ndaj çdo gjesti, fjale ose tonaliteti. Si një i verbër që ka të zhvilluar ndjesinë e lëvizjes së erës, edhe ai, me ndjesinë e erës, mendoi se mund të kontrollonte lëvizjet e shoqëruesit .
Atë natë e kaluan në kullën e vetmuar të Zenunajve, ndërtuar me gur të lëmuar, me dritare-frëngji, në një bregore mbi rrugë, poshtë Koshares së Egër. Plaku i shtëpisë ishte lajmëruar qysh atë mëngjes se do t’i vinin mysafirë nga Shqipnia. Një fishkëllimë e lehtë sipër rrugës dhe ata shkuan pas saj. Duhet të kishte kaluar mesnata, por plaku i Zenunajve kishte disa orë që priste zemërngrirë, te dritarja-frëngji e katit të sipërm. Tokën duart burrërisht. Plaku e pyeti Lilin nëse gjatë udhës kishin pasur ndonjë shqetësim, më pas i ftoi të uleshin mbi ca shilte. Gratë u sollën për të ngrënë. Djali i tij i cili me kaq mendonte se e kishte kryer detyrën, i kërkoi të atit leje për t’u larguar. Në atë çast, plaku i Zenunajve ngriti sytë nga Jetoni dhe i hodhi kutinë e duhanit para këmbëve.
Nuk e pyeti nga ishte, as si quhej. Kulla e Zenunajve kishte qenë në çdo kohë derë e hapur për mysafirët e ardhur nga Shqipnia. Nga kjo familje ishte derdhur shumë gjak për çështjen kombëtare. Në një çast plaku i Zenunajve pyeti:
– Qysh e kam Enver Hoxhën?
– Mirë,-i tha Lili, – sikur të jetonin së bashku, nën një çati.
Plaku ishte gëzuar shumë që shteti shqiptar më së fundi e kishte kuptuar kush ishte serbi. Ai kishte humbur një djalë gjatë luftës, edhe pse e kishte qortuar Shefqet Peçin kur e kishte takuar:
– Ç’djall ju lidhi me serbin!? Djalin e dytë ia dha me vete, për të pësuar atë që pësoi: u vra dy orë më vonë në betejën e asaj dite.
Për bisedat e tjera të asaj mesnate nuk besoj të jeni të interesuar…Plaku i Zenunajve i dinte punën e veta..
Dhe dita tjetër, nga mëngjesi gjer në mesnatë, kaloi në kullën e Zenunajve. Frëngjitë e saj si dy sy të vegjël shikonin Erenikun.
Jeton Shatri ishte nisur nga Tirana, i vetëdijshëm se gjendej para një prove, por s’do t’i shkonte mendja kurrë se prova e tij e vërtetë ishte ajo që përjetonte në ato çaste. “Të gjendem kaq pranë nënës dhe të mos mundem ta takoj? Vetëm për një shenjë që ajo të kuptojë që unë jetoj”.
Po përsëritej legjenda e Kostandinit. I vdekuri ishte ngritur nga varri dhe kishte mbërritur te dera… Po përsëritje legjenda me pak ndryshime në kohë, i vdekuri nuk e kishte emrin Kostandin, por Jeton dhe kthimi nuk ndodhte në një natë me hënë, por në një mesditë me diell. Sa do të dëshironte që atë çast të ishte te porta e tij e drunjtë, bravëshqyer, e brejtur nga mizat, vetëm për të parë nënën nga krisa e portës. Ja ajo tek zbret shkallët e gurta, për t’u hedhur pulave thërrime.
Ishte pikërisht ai çast, i ndryrë në atë kullë, kur i shkrepi kjo ide të cilën s’do të guxonte ta besonte as në ëndërr. Po sikur…?
Sikur t’u hidhte një copë letër në oborr? Do ta gjenin, sigurisht, dhe do ta hapnin. Ai ose ajo që do ta hapte atë copë letër , kur të shikonte shkrimin e tij do të lëshonte një ulërimë: Azemi është gjallë! Azemi është gjallë! Kjo ide s’ishte gjë tjetër veçse pjellë e fantazisë së tij të zhvilluar, pasi Azem Bytiçi kishte vdekur qysh në atë çast kur ajri i mbrëmjes përcolli në qytetin e Pejës pesë të shtënat e tij mbi trupin e Milla Svetkoviçit.
* * *
Misioni i tyre u quajt i përmbushur vetëm me çfarë thanë dhe çfarë lanë në kullën e Zenunajve. Në mesnatë u kthyen sërish nga kishin ardhur. Kufirin e kaluan pa problem. Ato pak orë që u kishin mbetur gjer në zbardhjen e ditës së re fjetën në postën kufitare të Poçemit. Në mëngjes formuluan shpejt e shpejt relacionin, i cili do të dorëzohej po atë ditë në zyrën sekrete të Komitetit Qendror. Lili e dinte mirë se çfarë kërkonin shefat: A kishte pakënaqësi në popull për prerjen e marrëdhënieve? Ç’mendonin bashkëpunëtorët? A duhej zëvendësuar ndonjëri, si i dyshimtë?
Kur ndodhin ndryshime dhe përmbysje të mëdha midis dy shteteve fqinje, si ajo që ndodhi midis dy shteteve tona me një Kosovë të zënë rob nga ana e kundërshtarit, detyra e informatorëve ishte sqarimi në popull. Duhet të dihej nga të gjithë që prishja kishte ardhur prej palës jugosllave dhe se ishte Stalini që e kishte denoncuar këtë tradhti, Stalini, miku i madh i shqiptarëve dhe shpresa e vetme për të ardhmen.
Në muajt që pasuan, ata e shkelën edhe dy herë të tjera kufirin Jugosllav. Jeton Shatri, me intuitën e vet, kishte vënë re se në këtë lloj pune, e cila kishte lidhje me çështjen kombëtare, kishte diçka që nuk shkonte, sikur i mungonte ideali, pasioni dhe entuziazmi. Dhe kur ata të dy ishin gjendur te zyra e Komitetit Qendror dhe tek ajo e ministrit të Brendshëm, kishte vënë re diçka protokollare, ftohtësi gjer në dyshim. Dukej sikur dhe shefat e tyre e kryenin këtë detyrë pa dëshirë, si të shtyrë nga një dorë e huaj, të alarmuar…Në udhëtimin e tretë, ndodhi diçka e pazakontë, pasi dolën nga zyra e ministrit të dy njëherësh, ministri e ndali Jetonin te dera për pak çaste, kinse do ta pyeste për punën e strehimit të tij, në fakt e kishte pyeturi nëse kishte pasur ndonjë shqetësim nga kolegu i vet. Sa doli nga zyra e tij, por edhe më vonë, ai e vrau mendjen gjatë, ku donte të dilte ministri me ato fjalë?
Pasndarja me Jugosllavinë i ngjante një kanceri i cili zhvillohej heshtazi dhe dalëngadalë, brenda trupit të shtetit dhe të njeriut, pa dhembje. Në të tilla raste dyshimi i ngjan ajrit, ai hyn kudo, në çdo skutë. S’i mund t’i shmangeshe dot dyshimit? Si mund t’i shmangesh dot ajrit? Dyshimi rriste dyshimin. Dyshimi nxiste dyshimin me dyshim. Nëse ti bëje një punë me ndershmëri dhe pasion, nëse ti arrije një sukses, do të shpërbleheshe me smirë, me ndonjë intrigë dhe me thashethemet e kolegëve. Jeton Shatri ishte ndeshur disa herë me shikimet e kolegut të tij, po ç’të bënte? Një ditë i kishte thënë shefit të tij për ta transferuar në një detyrë tjetër.
-Këtu do të vdesim, unë dhe ti! – I ishte përgjigjur shefi me arrogancë. – Te kjo punë do të vdesim të gjithë. A e dini pse-në!? “Defans de savoir” – iu përgjigj ai në frëngjisht.
Një muaj më vonë Jetonit i ndodhi diçka e pazakontë. E caktuan të shoqëronte për disa ditë një grup studentësh kosovarë. Në ato pak ditë, një prej studentëve, duke e ditur detyrën që kishte, i kishte kërkuar diçka të çuditshme: donte të takohej urgjentisht me Enver Hoxhën. I kishte treguar se ishte pjesëtar i një organizate revolucionare shqiptare dhe se donte të takohej me Enver Hoxhën për një çështje me rëndësi. Jetoni atij nuk i dha asnjë përgjigje, ndërkohë që sinjalizoi shefin e sigurimit të turizmit.
– Kush të ka autorizuar ty të bësh biseda të tilla?- i ishte përgjigjur ai.
Kur studentët kosovarë ishin larguar, ai bëri një relacion të shkurtër dhe, për dreq, në atë relacion futi diçka të pamenduar mirë e cila më vonë do ta linte disa net pa gjumë.
Kërkesa e studentit kosovar edhe atij vetë i kishte mbetur enigmë “Çfarë ishte ai informacion i rëndësishëm që ai kërkonte vetë Enver Hoxhën?” Ishte pikërisht ky relacion i cili do t’i krijonte ngatërresa të mëdha dhe shefin e sigurimit të turizmit do ta pushonin nga detyra.
* * *
Në fillim të shtatorit, kur po kthehej në banesë, në oborrin e shtëpisë private ku rrinte me qira, u ndesh me dy persona të panjohur. Nuk pati kohë as për t’u çuditur e as për t’i pyetur kush ishin.
– Kemi kohë që ju presim, – i tha njëri prej tyre duke iu afruar me mirësjellje.
-Kemi urdhër të vini me ne, – shtoi tjetri, duke e kapur për krahu.
Në kryqëzim, në vend që të merrnin për nga rruga “Qemal Stafa” te Pazari i Ri, u kthyen nga Drejtoria e Sigurimit, gjoja për t’i rënë më shkurt. Polici rojë, sa i pa, nxitoi të hapte portën.
Ishte hera e parë që Jeton Shatri, duke ndier rrezikun, mendoi se mund të bënte diçka, ndërkohë që shoqëruesit e tij, të stërvitur për raste të tilla, e kapën për rrobash. E shoqëruan në një dhomë të errët, në mes të së cilës kishte vetëm një tavolinë dhe një karrige hekuri. Në të ishte ulur një oficer i ri, kapelën e kishte lënë përmbi tavolinë ku kishte një telefonon dhe ca letra të shkruara, të shpërndara gjithandej.
-E keni kontrolluar ? – pyeti oficeri qetë.
-Jo, shoku kapiten, – i tha shoqëruesi me qëndrim gatitu.
-E kontrollojmë tani! – i tha tjetri.
Kapiteni miratoi me kokë. Nisën t’i më bëjnë një kontroll të imët, nëpër xhepa, ndërmjet këmbëve, sendet që gjenin, i vendosnin pa kujdes mbi tavolinë.
-Hiqi këpucët! Ulu ! -urdhëroi oficeri.
-Dhe tani, a ka mundësi të më thoni, përse ndodhem këtu?
– Doni të dini përse jeni këtu?
-Ngrihu në këmbë dhe merr këpucët, -foli ashpër njëri nga shoqëruesit.
E nxorën nga zyra dhe e shoqëruan përgjatë një korridori të errët. Atë natë ai fjeti në një birucë të errët e me një dritare frëngji fare pranë asaj zyrës ku i kishin bërë kontrollin fillestar. Nuk dëshiroj të zgjatem rreth gjendjes së tij shpirtërore të atij çasti dhe të asaj nate të parë që nuk mbylli sy. Histori të tilla, të trishtueshme, janë bërë të zakonshme në letërsinë tonë.
Gjashtë muaj në birucë. U ndërruan katër hetues. Javën e parë e vizitoi Shezaiu, një vizitë pa buzëqeshje. E pyeti nëse kishte ndonjë ankesë nga trajtimi i atyre ditëve? Me përkujdesjen e tij sikur donte t’i thoshte, s’kam ç’bëj më shumë. Në sytë e tij kishte qortim dhe mirësi, dyshim dhe porosi: “Hapja zemrën Partisë, në do të kesh lehtësira”. Ishte pikërisht njeriu i cili dikur e kishte ndihmuar.
Gjashtë muajt në hetuesi nuk kam ndër mend t’i përshkruaj, veçse dua t’ju tregoj se si dosja e tij, e cila kishte nisur vetëm me dy fletë të shkruara nga një dorë analfabeti, do të bëhej 394 faqe. Dëshmia që do t’i rëndonte më shumë ishte ajo e Lili Koçibellit, ku i kishte sajuar ato dy fletë të shkruara në një dialekt verior, pa “ ë-të”në fund të fjalëve, e me germa të mëdha në mes të fjalëve? Në këtë dëshmi hidheshin dyshime të rënda; Jeton Shatri i panjohur në fshatin e vet të lindjes, ishte një agjent i U D B-së.
* * *
Nata e parë iu duk e gjatë gjer në pambarim. Netët e tjera u kthyen në përmasat e veta reale. Gjatë atyre orëve pati kohë të sillte ndër mend disa biseda komprometuese me miq e shokë. Nuk kishte pasur kurrë armiq, as njerëz të dyshimtë që t’i vërtiteshin rreth vetes. Thua të ishte një kurth? Thua të kishte rënë në grackë? Nga kush? Përse? Kush ishte ky Lili Koçibelli që ia kishin ngjitur nga pas? Thua pas tij të fshihej dora e zgjatur e U-D B-së? Pikërisht kësaj ia kishte pasur frikën gjithmonë, qysh se ishte hedhur në Shqipëri, mirëpo përse kaq me vonesë? Vendimi i asaj nate ishte i prerë. S’do të pranoj asgjë. Asgjë. Asgjë.
Gjyqi i tij u zhvillua në ditët e para të marsit, në një kinema të vjetër, me dyer të mbyllura. Gjatë atyre gjashtë muajve hetuesie ai kishte qëndruar gojë kyçur, nuk kishte pranuar asgjë dhe nuk kishte firmosur asgjë. Akuzat e prokurorit atë mëngjes i mohoi me përbuzje, duke përsëritur të njëjtat fjalë që kishte thënë dhe para hetuesve. “Nuk di asgjë… Nuk kam bërë asgjë… Janë të gjitha trillime… Nuk më dënon shteti im, por më dënon UDB-ja jugosllave. Në gjithë këtë histori ka gisht UDB-ja. Kërkojeni. Agjentin e keni midis jush”. Emrin e Lili Koçibellit nuk e përmendi as në hetuesi, as para prokurorit, meqë vendimin për të e kishte marrë në heshtje.
Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, gjykatësi e zbriti në gjashtë. Gjashtë vitet e burgut i bëri kokërr më kokërr, në Burrel, në Spaç, në Qafën e Barit…dy vitet e fundit në burgun e punëtorëve te kodrat e Saukut, në ndërtimin e Sanatoriumit të Tiranës.
Një vit më parë se të lirohej nisi një kurs anglishteje. Lili Koçibellin nuk e kishte harruar. U gëzua shumë kur, aty në burg, mori vesh që e kishin zhveshur nga detyra dhe e kishin transferuar me gjithë familje në Elbasan, në qytetin e së shoqes. Askush nuk e dinte shkakun e saj saktësisht. I interesuar për të marrë vesh ndonjë hollësi më shumë, kur i duheshin edhe gjashtë muaj për t’u liruar nga burgu, nga një oficer i ri me të cilin kishte një farë miqësie, mori vesh se Lili Koçibelli mund ta hante dhe më keq nga ç’e kishte ngrënë…dhe se pas lirimit kishte nisur të pinte. Një tjetër i kishte thënë se Lili ishte në vëzhgim… Ishin punë më të thella. “Më prit”, – kishte thënë me vete Jetoni, një muaj para lirimit.
* * *
Si mund të kalojnë gjashtë vjet burg nëse njeriu nuk e vret kohën me përfytyrime të bukura për ditët në liri? Lavdi ty o Zot që na ke dhënë artin e përfytyrimit. Me përfytyrime njeriu mund të shkojë në Nju-Jork, në Paris, në Malburn, në Toronto, në Majami, në Palma de Majorka edhe kur ai gjendet në një qeli të errët. Përfytyrimit s’i vë kush fre… Përfytyrimi është bukuria e vërtetë e jetës. Përfytyrime të bukura mund të quheshin dhe skenarët e Jeton Shatrit për zhdukjen artistike të Lili Koçibellit. Ju thashë, mikun tim e kishin prishur librat që kishte lexuar qysh në rininë e vet, me të kishte ndodhur ajo që kishte ndodhur shekuj më parë me sojliun e Mançës. ‘Vrasja është art,- mendonte ai. – Vrasja duhet të jetë art, si gjithë artet e tjera. Sidomos kur ka brenda një ide progresive… Sidomos kur vrasja niset nga një qëllim fisnik, për t’u pastruar rrugën brezave që vijnë. Ndaj jeta është e bukur. Kush të godet pas shpine e bën sepse s’do kishte guximin ta bënte përballë. Një burracak i tillë dhe tinëzar ishte Lili Koçibellit. ‘Njerëz të tillë duhen ndëshkuar, pasi në këtë mënyrë pastrohet raca njerëzore’, mendonte ai.
Koha e ngjarjes – pasburgu. Vendi…? Këtu merrte krahë fantazia e tij. Variantet ngjanin si ato të një loje shahu ku ai kalonte shpesh kohën në ato vite burgu. Në shah mbretin mund të zësh rob vetëm me një lëvizje, kur e gjen të zbuluar.
Lili Koçibellit tashmë gjendej i zbuluar, sidomos para gotës së rakisë. Pas largimit të tij nga detyra dhe largimit nga Tirana, në qytetin e Elbasanit, ai quhej një figurë e djegur, një figurë e dështuar, një burracak që të godiste pas shpine, një njeri i dyshimtë.
Variante të mundshme kishte plot, si për shembull; në ndonjë përvjetor, në ndonjë ditëlindje, në ndonjë dasmë, në ndonjë festë jubilare, në ndonjë darkë në fshatrat e Elbasanit, të Dumresë, të Çermenikës, të Librazhdit, të Sopotit, të Përrenjasit, të Martaneshit ose të Gjinarit. Krahina e Elbasanit kishte plot vende piktoreske, me blerim e ujëra. Lili Koçibellit ishte në një moshë që duhej të kujdesej për shëndetin, sidomos në raste të tilla ku derdhej rakia lumë. Të gjashtëdhjetat sa i kishte mbushur, me zemrën kishte probleme…Dhe tensioni kishte nisur t’i lëvizte.
Një vdekje para gotës së rakisë mund të quhej një vdekje e bukur. Mirëpo, vdekja është vdekje.
Shpeshherë në jetë gjërat nuk ndodhin si i dëshirojmë ne.
Kush mund të mendonte që Lili Koçibelli do të kishte një vdekje të lumtur, mes miqsh e shokësh? Kush do ta mendonte se Lili Koçibellit në atë mbrëmje të gëzuar, me rastin e synetllëkut të djalit të Isuf Kuqit, do të ulte bukur kokën përmbi tavolinë, duke u lënë lamtumirën dashamirëve që e rrethonin?
Askush nuk dyshoi te ndonjë dorë vrastare. U përfol për një vdekje të papritur dhe natyrale. Në fund të fundit, natyrale janë të gjitha vdekjet, gjersa njeriu është i përkohshëm tek kjo botë, Lili Koçibelli kishte probleme shëndetësore, pra, nuk i kishte faj njeri, duhej të ishte treguar më i kujdesshëm atë natë. Ai nuk u ishte përmbajtur këshillave të mjekut të zemrës. Qesh e bot, qesh e bot…Pi dollinë e njërit e kthe dollinë e tjetrit…
Dhe hajde më thuaj tani se Jeton Shatri me ato fantazitë e burgut nuk do t’i kishte rënë pikës kur pranoi variantin e vdekjes së tij natyrale.
-E gjeti nga perëndia, -tha dikush, në kësollin e një njeriu të zi, sakaq u dëgjua një pëshpërimë: ”Perëndia, Perëndia…por duheshin dhe duart e mia”.
* * *
Jeton Shatri kur doli nga burgu u interesua për të gjetur një punë. Nuk e priti askush. Duke lëvizur nëpër Tiranë, në një kryqëzim rruge ai takoi rastësisht një mikun e tij të ditëve të burgut, Pehlivan Kuqi, nga Gjinari i Elbasanit, i dënuar për plagosje pa dashje të një fshatarit të vet. U ulën në një birrari dhe kujtuan ato vite burgu. Pehlivan Kuqi punonte sharrëxhi në sharrat e Gjinarit. Kur mori vesh që miku i vuajtjeve ishte i papunë, e ftoi të punonin së bashku.
-Si jo, – tha Jetoni gjithë gëzim. Ishte një punë që e njihte mirë. U nisën së bashku qysh atë mëngjes tetori. Ajër i pastër, ujë i ftohët, dritë, gjelbërim. Tre muaj i kaloi duke parë si rrëzoheshin pishat e larta me kokë në yje. Vitin e Ri e festuan së bashku. Ditët e para të janarit i dha lamtumirën Pehlivanit dhe u nis për në Shkodër. Askush nuk e di saktësisht kush e ndihmoi për të kaluar Bunën me not, në ato ditë të ftohta janari. Në Mal të Zi qëndroi vetëm një vit. Më pas në Itali. Fundi i tij…Në vitin 1961 i hipën avionit Romë- Nju-Jork. Në qoftë se dikush nga ju është i interesuar të pijë një kafe me zotni Jeton Shatrin (këtë emër mban dhe sot), le ta kërkojë në Boston, në këtë adresë: Avenju 6 .str. 3 1453 D . Atje banon dhe sot , në moshën 75-vjeçare, gëzon shëndet të plot, si një zotni barkmadh, i martuar, me pesë fëmijë…Vetëm sytë e tij të ndritshëm ruajnë ende kujtimin e atij Jeton Shatrit të dikurshëm i cili, në moshën 20-vjeçare u nis si i verbër pas nje endrreJetegjati s’ behet kurre jeteshkurte