…sepse edhe cilësimi i “njëshit, në arte dhe shpikje”, nuk përdoret më. Domethënë, Epoka e Njëshit në Letërsi, për shembull, ka dalë nga moda, mbasi tani nuk ka struktura që të përcaktojnë që Filani apo Fisteku janë njësh dhe të tjerët janë dysha e tresha e kështu me radhë. Epo, letërsia nuk është si gara e vrapit ose e notit. Epiteti “shkrimtar i të gjitha kohërave” është konsumuar për Homerin, Shekspirin, Servantesin,, e ndonjë tjetër i diskutueshëm. Ky “vlerësim” tani nuk përdoret më për shkrimtarët e as për shkencëtarët, për shembull, edhe të atyre që marin edhe Çmimin Nobel. D.m.th. në botë tani ka mijra, në mos miliona, shkencëtarë, siç ka edhe poetë e shkrimtarë sepse janë krijuar mundësitë që librat dhe shpikjet të shumohen jo me herë, por në progresion gjeometrik. Epitetet e mësipërme, “Njësh” apo ” më i madhi i kohërave” janë superlativa individuale që stonojnë me kohën Moderne. Mos themi që Letërsia e kryeu funksionin historik. Atë e nxorri nga loja Filmi Artistik dhe dhe grushtin e fundit ia dha Ekrani i Vogël që mbajmë në xhep. Pavarësisht se tani lexohet një milion herë më shumë se më parë, por ky superlexim është i parceluar sipas nivelit estetik të “Vathave të Grigjës Letrare”. Njëllojshmëria stilistike dhe tematike e atyre që shkruajnë, ka krijuar armatën e me shije të njëjta. Armata më e madhe është ajo e rrëfenjave dhe bejteve. Por dhe armata e Truçorroditurve sa vjen dhe po shton rradhët e saj sepse edhe shkruesit e llojit të atyre poezive po shtohen për shkak të virusit alla – modern, ku vargjet nuk i zbërrthejnë dot as ata/ato që i kanë shkruar. Pra, letërsia po rrit përmasat e e veta nëpërmjet garave imitive, si modos autorëve, ashtu dhe lexuesve, pra është bërë “lojë popullore”, për shembull si tërheqja e litarit në spartakiadat midis fshatrave. Kështu ndodh tani, me të papritura dhe befasira, ku çdo ditë, për shembull, në Vathat Letrare e Poetike ngrihen buste të larta, qoftë edhe prej rëre e balte. Poet i shquar, shkrimtar i shquar, këngëtar i shquar, piktor i shquar, valltar i shquar! Nga që Filanët apo Fistekët tani janë me shumicë në çdo krahinë, me shumicë do jenë edhe shtëpitë e tyre të quajtura muze, pavarësisht se librat e fistekëve dhe të filanëve nuk përfillen më. Kjo për shkak se janë lexuar dikur me detyrim qeveritar dhe emrat e tyre na janë ngulur në kokë si pyka prej druri dhe atje do mbeten dhe do kalben së bashku me kafkat tona. Germat e atyre librave nga uria po hanë njëra tjetrën. Kështu po ndodh kjo hata edhe në biliotekat e fuskosura nga librat. Drejtorët e Bibliotekave të Botës kruajnë kokën me thonj sepse duhen ngritur grupe me specialistë që të përcaktojnë se filani dhe fisteku janë autorë librash apo janë vërtet shkrimtarë dhe poetë. Tua mbajmë librat apo t’i dërgojmë për …për ku? Për çfarë? Për të bërë fëmijët aeroplanka dhe kriçka pe letre? Mirëpo, edhe kjo përcjell virusin e kompromentimit dhe sërish ata dhe ato që janë vërtet shkrimtarë dhe poetë do shkojnë për dhjamë qeni, mbasi autorët kanë para dhe do të korruptojnë grupet e specialistëve…Aman, sa e ndërlikuar është kjo puna me njësha, me të shquar dhe me të shquarit e të gjitha kohrave. Epo, unë mendoj se ka dallim të madhj midis shkrimtarit dhe autorit. Autor bëhesh kur të duash dhe ku të duash, mjafton të paguash, ndërsa shkrimtar apo poet duhet të të sitë dhe shoshitë koha. Ah, koha është e pamëshirshme! Ajo tani shekt më shpejt se në mesjetë! D.m.th. për shkak se rrotat prej druri u zëvëndësuan me rrota me goma, shpejtësia është shumë më e madhe dhe koha varet prej saj! Domethënë, një minutë tani, thotë Thani, është e barabartë me një ditë Mesjetare, nbasi pushkët dhe koburet mbusheshin nga gryka me barut dhe plumb dhe shkrepej me gur çakmaku! Epo, Lashtësia vazhdoi 5 mijë vjet, Mesjeta një mijë vjet, kurse Komunizmi gjysëm shekull dhe u shemb vetë siç shemben bustet prej rëre dhe prej balte. Kështu ndodhi, për shembull, mullaret me libra aventurash dashurie të konteshave dhe kontëve koha i mbuloi me pluhur që zë kuarc, kurse ndrimi i sistemeve është i pamëshirshëm me të gjitha artet që i kanë shërbyer, sidmos Letërsia e pëson më keq! Për shembull, mullaret me libra të Realizmit Socialist janë të mykura dhe nuk bëjnë as për shtrim në stallat e bagëtive e as për letër për kaushë me fara kungulli. Epo, sikur nk ia vlen të harxhosh kohën që të zbulosh ndonjë fije bar në mullaret me kashtë! Ky është mendimi im, dhe këtë nuk ia detyroj kujt tjetër.
Të thuash të vërtetën pesimiste, për shembull për fatin e letërsisë, ndodh që mendojnë “ky e zë letërsinë me gurë, ndërkohë që vetë shkruan libra.” Sot gjithkush mendon sipas radakes së vet dhe sipas shijeve personale letrare, poetike apo muzikore e deri tek ngjyrat në pikturë. Kësi lloj shijesh varen nga rrethanat dhe se çfarë ke lexuar në adoleshencë dhe rini. Në atë moshë formohet shija estetike. Më pas, sado të përballesh me art më të avancuar, për shembull, pastmodern, janë shijet e dikurshme ato që pengojnë evolimin estetik. Kaq. Të tjerat janë pandehma që kanë të bëjnë “me kë je ti dhe me kë jam unë”, siç ndodh në kampionate futbollli apo tenisi.
Epo, mos u irritoni:
epoka e njëshit ka vdekur.
Amen!
22 Gusht 2024
Largo,
Florida.
USA