Edhe letërsia është me fat. Jeta jote bëhet tregimi yt. Një ngjarje, gjithsesi e dhimbshme, përcakton drejtimin përfundimtar, jo jashtë,po brenda vetes, në një izolim e vetëflijim me dashje.Të bësh një udhëtim të gjatë, gati pa fund për të takuar një gjysh të shquar, që ka qenë për 45 vjet ankthi i fisit. Një gjysh të perzënë dy herë nga atdheu, në pushtim dhe në çlirim të tij. Mjaft intriguese, pa përjashtuar tragjedinë. Një udhëtar që ka jetuar me gjysmën dhe është vënë në kërkim të gjysmës tjetër. Padashur u prek e u nuhat bujshëm tharmi i një arti që flinte në guaskën e një
margaritari.Ky udhëtar nuk pati fat të jetojë me këtë gjysh, sepse ai tashmë nuk jeton më, kujtimet e tij shkuan bashkë me të, ai la vetëm tymin e tyre, se zjarri ishte shuar.Vatra tjetër në dhe të huaj ishte e ftohtë. Këtë gjeti udhëtari. Asgjë më. Po letërsia është iluzioni i vërtetë.Vetëm ajo mund të përsërisë botët e vdekura. Në qoftë se ekziston nostalgjia. Filloi të ngjizej ky iluzion i pamposhtur dhe të bëhej një përpjekje për bashkimin e dy gjysmave. Në këtë grackë të bukur dhe tejet tragjike u kap ky udhëtar. Ishte vetëm, krejt vetëm dhe kjo e ndihmoi. Se letërsia nuk do dëshmitarë, pritës, përgjues, ajo ngjizet në terrinat e brëndshme dhe shfaqet ose nuk shfaqet.
Një udhëtar i vetmuar në një super metropol që kërkon t’ia nis nga e para rikrijimit të fisit.Te paktën në letërsi. Aty ndjehet më e sigurtë.Po e ndjej të nevojshme të them më pare, se për kë po flas. Për një zonjë, një shkrimtare, Albana Lifschin
…Unë i kam lexuar nga dy- tri herë tregimet e Albanës, sepse kam dashur të zbuloj. Një prozë e thjeshtë, e ngrohtë, e shpejtë, lehtësisht e kuptueshme, plot te papritura. Me një lojë të butë kontrastesh, pa dramacitetet përvijues, por plot lirizëm të përmbajtur, me një stil vrojtimi ekzigjent, që rrëmon vertikalisht ca skuta të imta që të çojnë te marrëdhëniet e mëdha. Një prozë e drejtpërdrejt, e buruar, jo e paramenduar dhe e stisur, një rrëfim i çiltër i një shqëtesimi që ndahet në dy, me intimitet trazues.
Kjo bie ne sy tek tregimet më të mira ” Basti i kuajve”, “Lypësi i metrosë “, “Fejesë në Halluin “,”Natë vere në Zyrih” “Magjia e një zëri” “Rethi i Kolombit”, ” Dashnorë të varfër “etj.
Më ka bërë përshtypje përjetimi i saj si për herë të parë i gjërave me një lloj naiviteti të moralshëm. Ajo botë që bën majë në fejesën ne Halluin, në ditën e shtrigave dhe vampirëve, është kaq e ndryshme nga bota jonë, sa të duket se ndodhesh në një botë kaosi. Të gjithë, përveç brezit të vjetër, janë martuar sërish e sërish janë ndarë, e këto lidhje konstatohen me gjakftohtësi, sikur të flitet për një lojë golfi. Autorja është aty, vë buzën në gaz me një dhimbje të sinqertë. Pikërisht kjo dhimbje përplot befasi mahnitëse që t’a shkakton integrimi në një shoqëri të re me një mentalitet tjetër, i cili të imponohet dhunshëm ( ashtu të duket, sepse ti e ndjen këtë dhe me një mbrese fizike ) ka një lexim të dyfishtë. Përshtatja e vështirë dhe kontradikta e brëndshme me të, përballet me një pasivitet inteligjent, që ofron më shumë se morali; paanësi vrojtuese, efekt tronditës emocional.
Në këtë libër është Amerika, si e shikon autorja, e pandikuar nga të tjerë, janë kontaktet e saj të përditshme, lidhjet me familjen amerikane ku bën pjese si një emigrante me dramën e dyzimit të identitetit. Ky është një vend me demokraci të madhe ku në biblën e historisë së saj e para fjalë është emigrant. Nuk ka histori në botë që të fillojë me këtë fjali kaq të thjeshtë demokratike ala Uollt Uitman “Historia e Amerikës është krijuar nga emigrantët “
Nuk është pak të jesh shkrimtar në këtë vend.
Pikërisht në këtë libër bëhen më të prekshme temat amerikane, dalin më qartë problemet, dënduria e hollësirave psikologjike të familjes, zvetënimi e degradimi i mentalitetit të vjetër të mënyrës së jetesës, përmbysja e një sistemi të tërë marrëdhëniesh dhe formësimi dramatik i lidhjeve moderne përplot rreziqe morale, por dhe novacione përtëritëse.
Shkrimtaren e mahnit pleqëria, kjo rini e dytë amerikane. Ajo qe na rrëfen autorja te tregimi ” Sekretet e moshës ” është si një spektakël i ngjyrshëm, sa dramatik aq dhe gazmor, po gjithsesi optimist e i çuditshëm. Një vjehrrë amerikane që jeton vetëm dhe çdo ditë e ka të zënë me lidhje delikate njerëzore. Dhe të mendosh se ajo i ka mbushur të 90-at. Një nga karakteristikat spektakolare të kësaj Bote të Re, optimizmi i jetës, këtu merr përmasa proverbiale. Këto hollësira e imtësira të lidhjeve e marrëdhënieve që zbulojnë një botë krejt tjetër nga ajo e jona, përbëjnë atë mekanizmin e orës Omega, që përmenda pak më sipër. Si ecën kjo orë? Eshtë perfekte? Ajo mat kohën, kohën e shpirtit, kaq mjafton, të tjerat janë punë të mjeshtrisë, që s’ka fund.
Autorja punon në një zyrë avokatie në Manhattan, njëkohësisht jep mësim në një kolegj. Po mbi të gjitha është pjestare e një familje amerikane. Tre këto burime faktesh e hollësish jetësore i kanë sjellë prozës së saj të shkurtër një tharm të freskët. Po nuk duhet të harrojmë dhe gjyshin e saj, patriotin e madh, preteksti sue generis, që ajo të vinte në Amerikë. Këto janë rrethanat që e kanë përkëdhelur autoren, rasti dhe fati i saj. Nuk mund të shkruhej ashtu si rastësisht tregimi i mrekullueshëm “Nate vere në Zyrih”. Po as tregimi tjetër ” Lypësi i metrosë “. Në të parin është thjeshtë trazimi delikat i një lidhjeje të konsumuar, një zhgënjim fin, i zbuluar me mjeshtri. Në të dytin stresi i përditshem i jetës së tensionuar amerikane. Ky është një vëzhgim i hollë me një grafikë të spikatur dramatike përplot sens, rrëfimi është i drejtpërdrejtë, i shpejtë, i lehtë në të kuptuar, ruan një sensasion në fund.
Ritmi i tregimit në këtë libër lidhet me emocionin. Shkurtësia i ka lënë vendin ekspresivitetit. Suspansi bën majë veçanërisht në tregimet me funde të papritura ala O’Henri. Në tregimet më të mira nuk e di se ku do të dalë autorja, fillimi nuk dekonspiron dhe fundet jane të mbushura me gjetje befasuese “Rrethi i Kolombit, ” Basti i kuajve “, Magjia e një zëri”, “Dashnorë të varfër”.
…
Roland Gjoza
Nju Jork, tetor 2008( nga parathenia e librit)