At Zef Pllumi – si edhe shumë bashkvëllezer të tij françeskanë, ndër më të mirët e klerit katolik shqiptar – ka kaluar një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh, siç është 100-vjetori i lindjes: 28 Gusht, 1924. Ai ishte dhe mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot nepërmjet veprave, shkrimeve dhe intervistave të tija, lënë pas flet dhe dëshmon gjithnjë për krimet e diktaturës sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri kundër popullit të vet, për pothuaj gjysëm shekulli. At Zef Pllumi, në përjetësi, flet me bindje e fakte të përjetuara, në kujtesë, me largpamësi dhe porosit me këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
I pyetur me një rast se çfarë porosishë ka për Kombin shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur, e porosis për tri gjëra: “Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni…Kjo ashtë porosia e kjo ashtë përshndetja për të gjithë popullin shqiptar”, ka thenë ai para se të ndërronte jetë.
Është kjo një thirrje e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin! Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte gjallë dhe një porosi drejtuar bashk-kombasve të vet,që ai e ka theksuar, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat, ç’prej prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989. Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh edhe duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos, intelektualëve shqiptarë — që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit — të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”, është shprehur ai.
Pas shembjes së Murit të Berlinit, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, të para luftës, “Hylli i Dritës” Maj të vitit 1993. Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan në Shkodër ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues e të tjerë, At Zef Pllumi, përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës duke iu drejtuar intelektualëve shqiptarë kudo, me këtë porosi për klasën intelektuale shqiptare:
“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bie edhe dritën. Sot po jepet rasti, përsëri, mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen, që “ky diell, jo vetëm, do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, Përparimi i Kombit, është shprehur frati i Malësisë së Madhe.
“Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor. Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhej të jemi – po nuk patëm dashuninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi, atëherë, “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahil-llëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, praktikisht, ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë që në bashkpunim me njëri tjetrin, pjesëtarët e inteligjencës shqiptare, “duhet t’i prijnë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993).
Ndërkaq, pyetjes gjatë një interviste, vite më parë, me Radion e Vatikanit shqip, se ç’mendonte ai për politikën shqiptare e për politikanët, Zef Pllumi iu përgjegj kështu: “Kjo âshtë e meta mâ e madhe e historisë së këtij populli. Na jemi shpall shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, se zakonisht shtetet i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shumë të përgatitun, ose duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni ashtë krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimi. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim, e jo fitim. Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë…”, ka thenë për Radio Vatikanin, At Zef Pllumi — ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i Kombit, i cili ka lenë faqe të bardhë e të mrekullueshme të historisë së fesë, Kombit, të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare, përballë të së keqës komuniste.
Thirrjet dhe porositë e At Zef Pllumit, ndonëse janë shqiptuar vite e dekada më parë, janë tepër aktuale edhe sot në 100-vjetorin e lindjes së tij, kur të merret parsysh se 35 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm klasa politike shqiptare vazhdon të jetë e ndarë dhe e përçarë, por fatkeqësisht, as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, një ide për të cilin ka bërë thirrje At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit të Malësisë së Madhe. Në këtë përvjetor, së paku, le të kujtojmë porosinë e Zef Pllumit, për të punuar drejt Progresit të Kombit — ashtuqë intelektualët shqiptarë dhe klasa politike shqiptare, sipas mundësisë, si individë dhe si grup, të përhapin aq dritë sa mund të lëshojë edhe një yll, në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit kombëtar dhe të dashurisë ndaj njëri tjetrit. Kjo është porosia e tij edhe për mbarë Kombin shqiptar në 100-vjetorin e lindjes së tij!
Frank Shkreli
Pllumi
At Zef Pllumi me Nenë Terezen në lutje
Autori në qelinë e vuajtjeve e të tortutave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit, siç e quanin vet të burgosurit anti-komunistë – sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. I quanin “biruca” për shkak