Pas tri javë luftimesh, Rusia po has ende në vështirësi për të zbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, një reagim befasisht i ngadaltë dhe modest ndaj pushtimit të parë të territorit të saj që nga Lufta e Dytë Botërore.
E tëra ka të bëjë me numrin e ushtarëve rusë dhe përparësitë e Rusisë.
Me shumicën e forcave të saj të angazhuara në ofensiva në brendësi të Ukrainës, Kremlinit duket se i mungojnë rezervistët për të zbrapsur forcat e Kievit.
Presidenti Vladimir Putin duket se nuk e konsideron sulmin – ose të paktën nuk po e jep përshtypjen që e konsideron atë si kërcënim mjaft serioz, që të meritojë tërheqjen e forcave ruse nga rajoni i Donbasit, në pjesën lindore të Ukrainës, që është edhe objektivi i tij kryesor.
“Përqëndrimi kryesor i Putinit është shkatërrimi i shtetit ukrainas, çka automatikisht, e bën të parëndësishëm kontrollin e territorit të humbur”, shkruan analistja Tatiana Stanovaya nga Qendra ‘Carnegie’ për Rusinë dhe Euroazinë.
Përparësitë e Presidentit Putin
Në muajt e parë pas sulmit ndaj Ukrainës në fillim të vitit 2022, Presidenti rus Putin aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit dhe marrja e tyre e plotë është përparësia e tij kryesore. Në muajin qershor ai deklaroi se si kusht për bisedime paqësore, Kievi duhet të tërhiqte të gjitha forcat nga pjesët e këtyre rajoneve, një kërkesë që Ukraina e kundërshton.
“Rusia po bën çmos që të mos i tërheqë forcat nga ofensiva e saj në Donbas”, thotë analisti Nigel Gould-Davis nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. “Aktualisht Rusia gjykon se mund ta ketë nën kontroll kërcënimin që i vjen territorit e saj, pa rrezikuar qëllimin më të rëndësishëm në Ukrainë.”
Ndërkohë që forcat ukrainase u futën në rajonin e Kurskut më 6 gusht, trupat ruse vazhduan të avancojnë drejt qytetit strategjik Pokrovsk dhe pjesëve të tjera në rajonin e Donetskut.
Për dallim nga Pokrovsku, ku forcat ukrainase kanë ndërtuar pozicione të shumta mbrojtjeje, pjesët tjera të Donetskut, që janë ende nën kontrollin e Ukrainës, janë më pak të mbrojtura dhe mund të jenë shumë më të brishta ndaj sulmeve ruse, nëse ky qytet bie nën kontrollin rus.
Duke folur për Kurskun në një takim me zyrtarët, të transmetuar në media, zoti Putin e cilësoi sulmin si një përpjekje të Kievit për të ngadalësuar fushatën ruse në Donetsk, ku sipas tij, avancimi rus është përshpejtuar pavarësisht zhvillimeve në Kursk.
Injorimi i sulmit
Presidenti Putin i ka kushtuar pak rëndësi operacionit të Kievit në Kursk.
“Në vend që të mobilizojë popullin kundër një kërcënimi ndaj vendlindjes, Kremlini po i kushton rëndësi të veçantë injorimit të sulmit”, thotë analisti Gould-Davies.
Përballë realitetit të pushtimit të territorit rus, makineria shtetërore e propagandës po përpiqet të largojë vëmendjen nga dështimi i qartë ushtarak duke u përqëndruar në përpjekjet e qeverisë për t’u ndihmuar 130,000 banorëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Mediat shtetërore e portretizojnë sulmin në Kursk si dëshmi të qëllimeve agresive të Kievit dhe si provë shtesë, se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që filloi në shkurt të vitit 2022, është i justifikuar.
Analistja Stanovaya thekson se megjithëse shumë nga banorët e Kurskut mund të jenë të zemëruar me Kremlinin, ndjenjat e përgjithshme në vend mund të jenë në favor autoriteteve.
“Edhe pse është gjithsesi një goditje ndaj reputacionit të Kremlinit, nuk ka gjasa që të nxisë ndonjë rritje të pakënaqësisë shoqërore ose politike tek populli”, shkruan ajo. “Sulmi ukrainas ka më shumë mundësi të mobilizojë banorët në përkrahje të flamurit dhe të ndikojë në rritjen e ndjenjave anti-ukrainase dhe anti-perëndimore.”
Përgjigja e kufizuar e Kremlinit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se qëllimi i operacionit në rajonin e Kurskut është të krijojë një zonë neutrale për të penguar sulmet ruse. Komandanti i tij ushtarak, Gjenerali Oleksandr Syrskyi, thotë se forcat e Kievit kontrollojnë rreth 1,300 kilometra katrorë dhe rreth 100 vendbanime në rajon, pretendim ky që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Me një fleksibilitet luftarak në Kursk, ndryshe prej vijave të frontit në Donetsk, njësitë ukrainase mund të qarkullojnë nëpër rajon pa vendosur prani afatgjate në shumë prej vendbanimeve që thonë se i kanë nën kontroll.
Vëzhguesit thonë se Rusia nuk ka burime të mjaftueshme të për t’i larguar forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.
“Përpjekjet e Moskës për t’iu kundërvënë ofensivës së re ukrainase duken të kufizuara sa i përket dërgimit të njësive nga rajone të tjera të Rusisë, përfshirë një pjesë të njësive të parregullta”, sipas analistit Ben Berry nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Sigurisë, i specializuar për betejat tokësore.
Deri tek operacioni në Kursk, zoti Putin i ka rezistuar përdorimit të rekrutëve në luftë, për të shmangur një reagimi të ashpër të publikut. Rekrutët e rinj, si pjesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak një vjeçar, kanë shërbyer larg frontit të luftës dhe ata që janë dërguar për të mbrojtur kufirin në rajonin e Kurskut u bën objektiv i lehtë për njësitë me përvojë lufte të këmbësorisë ukrainase. Qindra prej tyre u kapën dhe 115 u shkëmbyen me trupat ukrainase gjatë fundjavës.
Analistët thonë se zoti Putin po ashtu po heziton të bëjë thirrje për shtimin e numrit të rezervistëve, për shkak të frikës nga destabilizimi i brendshëm, siç ndodhi kur kërkoi mobilizimin e 300,000 rezervistëve si kundërpërgjigje ndaj kundër-ofensivës ruse në vitin 2022. Qindra mijëra njerëz u larguan nga Rusia për t’i shpëtuar rekrutimit.
Që atëherë, Kremlini i ka përforcuar forcat e veta në Ukrainë me vullnetarë, të cilët joshen nga paga relativisht të larta, por numri i tyre gjatë muajve të fundit është zvogëluar.
Do të duhen dhjetëra mijëra trupa për të zbrapsur plotësisht forcat ukrainase, rreth 10 mijë syresh, që po përdorin pyjet e dendura në këtë rajon për t’u fshehur.
Meqë është e qartë që nuk ka burime për një operacion të tillë të gjerë, Rusia tani është përqëndruar në parandalimin e avancimit të forcave ukrainase duke bllokuar rrugët dhe duke vënë në shënjestër rezervat e Kievit – taktika këto që kanë dhënë pjesërisht rezultate.
Ukraina, ndërkohë, e ka vënë në vështirësi ushtrinë ruse duke shkatërruar urat përgjatë lumit Sejm, duke penguar kështu aspektet logjistike të disa njësive ruse në rajon dhe duke krijuar kushtet për të vënë një pjesë të territorit nën kontroll.
Analisti Nico Lange nga Qendra Evropiane për Analiza të Politikave me seli në Uashington, parashikon se trupat ukrainase mund ta përdorin lumin për krijimin e një zone neutrale.
Rreziqet për Ukrainën
Duke marrë nën kontroll një pjesë të territorit rus, Ukraina e ka turpëruar Kremlinin dhe ka krijuar një realitet të ri në fushëbetejë. Por dërgimi i disa prej njësive më me përvojë nga pjesa lindore e territorit të saj në këtë pjesë të Rusisë, është me rrezik për Kievin.
Përpjekja për të mbajtur një prani në Kursk do të zgjeronte edhe më shumë vijën 1,000 kilometërshe të frontit, duke shtuar sfidat për forcat ukrainase, të cilat janë të mangta numerikisht dhe kanë mungesë armësh. Mbrojtja e pozicioneve brenda territorit të Rusisë do të krijonte probleme serioze logjistike, duke i shndërruar linjat e gjata të furnizimit në objektiva të lehta për t’u goditur.
“Sistemi rus është hierarkik dhe i ngurtë, prandaj i duhet shumë kohë për t’iu përshtatur situatës së re,” thotë analisti Lange. “Por duhet të presim për të parë se si Ukraina do të veprojë kur Rusia të përshtatet me këtë situatë dhe të reagojë me tërë fuqinë e saj.”