Në një postim në rrjetin social Facebook, Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, shpreh zhgënjimin e tij për mungesën e reagimit të diplomacisë shqiptare ndaj veprimeve të fundit të Beogradit.
Zaimi thekson se kishte pritur që Tirana të reagojë ndaj armatosjes së Serbisë me avionët Rafale francezë, ashtu siç nuk reagoi më parë kur Beogradi bleu tanke ruse dhe dronë iranianë, apo kur siguroi raketa kineze. Ai gjithashtu kritikon diplomacinë shqiptare për mosndërprerjen e marrëdhënieve me Serbinë pas ngjarjeve të rënda si rrëmbimi i policëve kosovarë dhe sulmi terrorist në Kosovë që mori jetën e policit Afrim Bunjaku.
Më tej, Zaimi shpreh pakënaqësi për anulimin e mbledhjes së përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij dëmtoi një traditë të vlefshme bashkëpunimi mes dy vendeve. Në fund të postimit, ai ironizon qëndrimin e diplomacisë shqiptare për të konsultuar Kosovën me “ata që i dhanë lirinë”, duke sugjeruar që Ministri i Jashtëm i Shqipërisë të konsultohet me statujën e Adem Jasharit në Tiranë për çështjet e Kosovës.
POSTIMI I PLOTË:
Prita që diplomacia e Shqipërisë të reagojë e shqetësuar për armatosjen e Beogradit me Rafalet franceze. Por, siç nuk reaguan kur Beogradi vjet bleu tanke ruse e drona iranianë, apo kur parvjet Beogradi bleu raketa kineze, ashtu nuk reaguan as tani.
Prita që diplomacia e Shqipërisë të ndërpresë marrëdhëniet me Serbinë pas rrëmbimit të policëve kosovarë në territorin e Kosovës, ose të paktën pas sulmit terrorist serb në Kosovë në shtatorin e shkuar, ku ra dëshmor polici Afrim Bunjaku.
Prita që diplomacia e Shqipërisë të kërkojë falje – jo për emërimin e kundërshtarëve të Kurtit në poste ministrore të Shqipërisë apo në krye të SHISH, se askush nuk mban inat për këto vogëlsira – por për anulimin e paparalajmëruar dhe të pajustifikuar të mbledhjes së përbashkët qeveritare në Gjakovë, gjë e cila jo se fyeu mikpritësit, por dëmtoi rëndë një traditë e cila vërtet kishte qenë më shpesh formale, por që mezi prisnim të mbushej me esencë.
Por këto nuk ndodhën. Diplomacia e Shqipërisë bën thirrje që Kosova të konsultohet me ata që i dhanë lirinë, për çfarë? Për hapjen e një ure në mes të Kosovës.
“Ata që i dhanë lirinë Kosovës” a nuk i njeh Shqipëria si dëshmorë e heronj? Le të shkojë kryediplomati të pyesë statujën e Adem Jasharit në Tiranë, të na thotë se ç’mendon për Urën e Ibrit.