Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se do të mbetet i përkushtuar që të zbatohen Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Marcon para vizitës së tij në Beograd i është drejtuar qytetarëve të Serbisë me një mesazh të publikuar në “Danas”.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola me guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e SHBA-së, donim të ndihmonin rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, u shpreh Macron në mesazhin e tij.
Ai u bëri thirrje të rinjve të Serbisë që të zgjedhin paqen dhe të ardhmen, ndërsa theksoi se do të angazhohet personalisht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Unë personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se edhe BE-ja në tërësi do të mbetet, te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe”, thuhet në mesazhin e Macronit. sn