1. ZOGJTË MBETËN PA EMËR
Dielli është fsheh
retë bëjnë gjorulldi
hijet janë ngri,
as nuk zvoglohen,
as nuk rriten
zogjtë mbeten pa emra,
ska kush ju thërret,
turren n’huti.
varg njerëzish si zgjoje bletësh
përcjellin një nenë
t’shkrumueme 100 vjet
për truell e për gjini.
muret e rrëzuem heshtin,
nuk bzajnë ma bukatorët,
torishtat therrnajë pa shtrungë
e pa gardhe,
pa blegërimë,
odat e burrave mbi trarë kalbë
si n’shpella,
n’brraka me gurë lagë,
lëmyshk nximë.
e vetmja rrugë ka mbetë
ajo e vorreve,
ku të vdekurit vrapojnë,
të zenë vend
n’truallin e saj shkretë,
mbetë pa katund,
që një katund
ka përkund e rritë.
U bëfsh një katund,
kur katund nuk ka më,
ky urim ardhë prej shekujsh
bashkë me emërmadhen shekullore,
po ikë në qiell…
si një shpend plagosë
me flatra që kullojnë
mall, trishtim
e shkreti.
2. NJË LIS ME RRANJË
( ….aktorit të madh të skenës shqiptare Çun Lajçi )
Një Lis Rugove,
sa një mal
mbrrini n’Tiranë,
erdh ashtu me lmyshk
pa degë krasit
e me rraj
erdh me na kallxue
se mali me mal takohet,
se janë të bimë
në një amë.
Një mal Kosove,
ka mbrri në Tiranë,
Pa oshtimë ka ardhë
e pa dallgë,
me çallmë e ka sjellë,
t’bardhë borën Shipni,
t’pa nxime
e t’pa shkelne prej shkau.
Askush
s’ka me u lumnue Shipni,
pa e thirr edhe Kosovën,
oj Kosovë oj nanë.
Askush
ska me u ngi Shipni,
pa thanë jam Kosovë
me nanë e me babë.
3. QYQJA E MËRGATËS
I ishte mbush mendja top
se bënte pikturë,
nuse e re kur ishte,
duhej të pyeste shefin,
sikur ta kishte burrë…
sa herë e pyeste,
merrte shkop në kurriz,
ishte shkop me gungë,..
pas çdo shkopi,
bënte vijë në murë…
burri u plak,
mbeti shtrirë
me dy kembë këput
plaka ja afronte
kurrizin e thyer,
i thoshte prapë më gjuj…
muri u mbush vija vija,
u bë Van Gough,
autoportret me bujë…
plakës në tokë
i mbërrinte kryet,
tokën e fshinte me hundë…
4. PA VENDLINDJE
Një dallgë deti,
shkimë në thellësi
që mbeti
pa sjellë guaska
në breg …
që la kështjellën
me rerë të ëndrrave
të shembur
prej hapave
në terr.
5. SIRENA E FUNDIT
Harrojmë
sirenën që po vjen…?!
Aty,
tek stacioni i fundit
për të gjithë
ka vend
e treni nuk do tja di, pasagjerët
a kanë gjë në xhepa…
e pas tymin e le….
6. HIJA E BOTËS SË DËNUAR
Druvarët mbasi janë dërmuar
tuj pre bredha gjatë ditës,
nën hije bredhi prapë e futin kryet,
të çlodhin lodhjen
me cigare në gojë përtypen.
Edhe drenushat,
pasi kanë krye kullosën
në vesën e mëngjesit,
nën bredhë e shkundin shtatin,
si nuse të reja përdridhen…
Po ta dinë
bredhat fatin e tyre,
degët e boçat do ti ngrinin lart në qiell si bajoneta,
e druvarve duar rreshkë,
kurr nuk do t’ju bënin hije.
E drenushat
edhe ato po ta dinin,
ma ato brirë si drepër
do ti shporrnin
druvarët e pa shpirtë,
të ruanin qylerin e butë,
rrezë bredhave,
ku me drerët lëpihen.
Bredhat e drerët
krijuan mbretërinë e vetëmohimit….
7. ZHURMË E POETËVE
Zhurmë e hapave të dehur,
në rrugë nate ska të sosur,
trokasin në rreshta të poezisë,
si të nallaneve drunjësh të qelisë me të burgosur.
Fshesaxhinjtë më pas,
i gjuajnë në kazane,
i shkelin dhe i fshijnë,
por t’i vrasin nuk i vrasin dot,
këta hapa të xhindosur të dashurisë.
8. DESHA TË PI NJË KAFE ME HERONJËT
Në qytetin tim të vogël
kafe ka gjithkund
të lësh takim
me miqtë a shokët
për adresën
të duhet shumë mund
Më parë ishte një tek brryli,
një tjetër tek turismi,
dhe vetëm një
tek Haki Daja dikur…
Sa shumë kafe
ka qyteti im
pa fund.
Desha të pi kafe me heronjtë,
edhe ata më shumë,
ngrimë në mermer
nuk duan të rrinë,
duan të vijnë tek unë…
Unë mbeta pa kafe
me heronjtë,
tek këpucët e tyre,
me zogjtë e malit luaj.
9. SPALETAT E POEZISË
Ah, edhe poetet…
me spaleta të vyshkura petale
kurrizthyer në gjithfarë vazosh
bëjnë hije n’sallone
ku gotat kërcasin si takat e larta të grave shalëgjata…
E harrojnë
që vargu nuk eshtë marrsh,
as Një, Dy e Tre…
a majtas, djathtas e mbrapa kthey,
n’parada,
n’rreshtore numërorësh…
strofat nuk komandohen me shkopinj gjeneralësh,
çizme llustruar…
lëndinat kanë aromë,
prej luleve shumë ngjyrshe,
prej tyre frymojnë
e janë të djellta,
ato hijerendë me pesë yje,
n’hyrje qeverish e hotelesh me kristale,
janë pa aromë petale,
janë spaleta.
10. DUA TË THAJË SHKUMBIN
Gegë e toskë ke nda me vi…
mbi Shkumbin gegëni,
nën Shkumbin toskëni
Ah,
Shkumbin që ndan në dy,
veç një vi,veç një vi…dallgët e tua,
iso derdhin në jug,
dridhin çifteli në veri
kërcen lumin gegë çobani, rrëmben vajzën si perri,
në tjetrën anë Xhixhi lule,
djalit toskë bari,
ja ban me sy…oi, oi, oi…
urat nuk mjaftojnë,
mbi shkëmbinj më nuk duhen,
lumin krejt do ta pi
Dua të thaj o Shkumbin…
11. SHTAT ATDHE BASHKË PRAPË ME U RRITË
I pavdekshmi Kadare vdiq,
ai ka varr.
I pavdekshmi tjetër Fishta thonë se ka vdekë,
po ai pa varr ka mbetë.
T’i hodhën,
ku ti hodhën eshtrat
askush nuk e di….
T’i dogjën e t’i ndalen letrat,
e prapë ti na falë,
nuk qan se je burrë
e pa varr rri…
T’i mohuan edhe veprat
e prapë si kreshnik,
me Lahutën e Malcisë,
këndon e jep porosi.
Tufa pa fe,
pa gjak e pa fisni,
nuk la gjë pa thenë,
e të vdekur të bëri,
me gjuhëlidhë…
Edhe vëllain tënd
po e shajnë,
pse nuk të deshi,
e të varri yt nuk mbrrini,
aty lot me qitë…
Unë e di,
e ke një amanet,
varrin me Kadaren e do ngjitë,
e sharjet për njëri tjetrin
me i fashit për jetë.
Të dy shtatAtdhe bashkë,
prapë me u rritë.
12. ….shkundë prej dielli, dashuria
Nën krahët e tu,
hurp aromë,
prush më ndez në gji,
me dy duart lart,
edhe kur ledhatoj flokët e tua borë,
krejt dorëzuar jam në ty.
Si djalosh dehë nga
bukuria,
më lerë të puth në buzë,
aty, e imja është perëndia,
kurr, kurr nuk dua të humbë.
Sytë e tu,
ardhë prej qielli,
yje dritë zbritë në tokë,
buzëqeshjen tënde shkund prej dielli,
kam me vehte në ketë botë.
13.TË DUA GJYSMËN O POET
Poet i dashur,
të dua gjysmën tënde,
atë gjysmën në poezi…
Aty të rrokë,
aty të përqafoj,
e të puth…
po, po edhe të puth,
se jam njeri.
E gjysma tjetër,
ajo me kaçurrela,
me sy bojë qielli a të zi…
Ajo me tym duhani
fabrike,me të dredhur e
kuti,
është e jotja fotografi.
A je i martuar,
e takat e gruas tënde
të shkurtëra a të gjata,
se si kërcasin në trotuare,
nuk janë hallet e mia,
ato janë vetëm për ty.
A ke fëmijë,
si sillen e a të duan ?!
Ç’më duhet mua,
janë fëmijtë e tu,
nuk janë fëmijtë e mi.
A ke shokë e miq,
cilët janë ata,
e çfarë ju thua a të thonë,
nuk më duhen,
janë vetëm për ty.
I dua
vetëm ato vargjet e tua,
të shpirtit tënd të bukur,
që i sjell si shi pranvere
në mëngjesat e mi.
Atë vargun tënd e dua fort,
pse ta fsheh,
kam ra me të në dashuri.
E dua gjysmën tënde,
Pjesa tjetër është e jotja,
e unë jam unë,
e ti je ti.
Nëse
të dua me të gjitha,
nuk do të kishte kurr
poezi…
14. KUR VRET FJALA
Fjala vret çdo ditë,
çdo sekondë, në asht, në zemër e në palcë…
E plumbi, edhe falë…
Në se gishti nis plumbat,
dhembët në gojë
janë të mbajnë nofullat mbyllë,
e të mos nisin plumbatfjalë…
Plumbatfjalë,
gjerdanë fishekësh,që çelin varrë…
e një gisht krimineli,
vetëm një gisht,
trondit krejt globin si një shpërthim nuklear…
15. HESHTJE BJESHKE N’LAHUTA
Lahutat krye n’krye,
si shqipet n’motin e mrrolur
heshtjen e vajtojne..
Me malin,
gjysh të lashtë e t’përjetshëm kuvendojnë.
Shumë nalt,
shumë nalt e kanë zanin
me bricë e unur, xixa lëshojnë
për kurbetlinjtë
që n’dhena t’huaja shkojnë…
Kthetrat me forcë
tek gjoksi shtrëngojnë
për ata,
që vdesin atje larg,
që nuk kthehen ma kurr,
e ikin përgjithmonë.
16. LASHTËSIA JONË
Fillon te lartësitë,
atje e kemi nisjen.
Malet janë aty,
ato nuk lëvizën.
Lumenjtë e detet
i kemi mysafirë
Erdhën,
malet i mbajtën, i benë gjymtyrë
17. VETEN TIME HARROJ
Në endërr fluturoj me yjet,
në mëngjes i harroj
Në kopsht ju marr erë luleve,
kur largohem aromën e tyre harroj
Në det ladroj me dallgët,
kur dalë në breg e thahem i harroj
Midis lisave me zogjtë këndoj,
sapo ulem në lëndinë
tekstin e cicërimës së tyre harroj
Takimin e parë me ty,
me gjithçka e kujtoj,
E si atë ditë,
gjithë jetën me ty
vetën time harroj…
18. STREHË N’QERPIKË
Sytë e tu shtegtarë,
çerdhën e kanë aty.
Nën strehë
n’qerpik t’kullës vjetër
pikë loti rri
Piklon
cicërimë zogu n’pranverë,
kur kthehesh me nipër e fëmijë
Lot i shtjerrë gushti
kur ikën
kur ikën pa kthim,
lot i ngrimë
19.PEMË DASHURIE
Në pranverë
ishte prillore,
plot lule e aromë
në fotot e albumeve
e kornizat në mure,
mban lidhë
shikimin tonë
Ato dridhje përkdheljesh të degëve të saj
flladitin
e petalët butëlëshuar
në supet tona
fluturojnë.
Në degët e saj
këputem plot fruta të shijshme e mollë
Me ato këndojmë
edhe në ëndrra,
edhe kur përkundëm në djepa,
verën, vjeshtën
e tani edhe vjeshtën e vonë.
Po afron dimri,
degët e saj po vishen
me puhiz të bardhë, borë.
Prapë pemë
e bukur,
shndrit në rreze dielli,
e në netët me dritë hëne
deri vonë.
20. FATI IM
Asnjë herë nuk kuptova,
ankesat e njerëzve,
që rrugës me disa janë përpjekë…
hileqarë, zullumqarë,
mos mirënjohës,
të liqë e të pa besë,
jo rrallë ankohen
se derën ju kanë zenë.
E unë
ose jam naivë,
ose sytë e mi nuk kanë parë,
e as kam dëgjuar mirë
me veshë…
Kurr,
në jetën time
me ta nuk jam përpjekë,
as në kinema duke ndjekë film, as në trenin e udhës,
nëpër stacione,
e as në kafe,
në të gjithë botën
nuk i kam gjetë…!
E unë ndoshta jam naivë,
ata nuk i dalloj dot,
ata nuk i gjej…
Gjyshi im kur nisa
të bëj miq e shokë,
më tha ti gjesh
më të mirë se je vetë.