Vetëm “gjetjet” e sforcuara që përpiqen t’i tërheqin vëmendjen publikut shqiptar dhe që vazhdojnë të shiten nga kreu i qeverisë Rama si pjesë e thellimit të reformave dhe arritjeve nga Rilindja Socialiste mund ta justifikojnë veprimtarinë “DIPLO 2024” që në të vërtetë siç shkruhet në një shënim të MEPJ është grumbullimi pas 8 vitesh i Konferencës së Ambasadorëve të RSH. Thjeshtëzimi i veprimtarisë vetëm me çeljen zyrtare dhe i ndarë në panele ku drejtimi i është besuar moderatorëve me kontribut në media, por pa u transmetuar drejtpërdrejtë për publikun jep nuancat që kjo konferencë të ngjasojë me një proces rutinë të diplomacisë shqiptare që kryhet prej MEPJ. Pra humbet vijimësia e mungesës 8 vjeçare, por që i përkasin mandateve të një kryeministri.
Rama ka ngritur një tezë interesante në fjalimin e tij për “DIPLO 2024” mbi konceptin e “vetëdijes së re” në shërbimin diplomatik dhe konsullor në një çështje se si do të jenë mbajtja e lidhjeve me diasporën shqiptare dhe shqiptarët që emigrojnë. Por historia 34 vjeçare e tranzicionit demokratik të vendit në këto 11 vite qeverisjeje nuk ka krijuar kushtet e marrëdhënieve shkëmbyese të shëndetshme mes atdheut dhe diasporës. Shqiptarët duke patur parasysh ata janë larguar më herët kanë shfrytëzuar fillimisht neverinë e regjimit të diktaturës dhe mundësia e lëvizjes së lirë mbante shpresën për t’u rikthyer dhe ndihmuar vendlindjen me dije dhe biznes, por realiteti polarizues i politikës shqiptare agresiviteti për marrjen e pushtetit dhe rreziku i kthimit në një sistem parti-shtet ku opozita ndëshkohet kanë bërë që shqiptarët të largohen për siguri jetese dhe mirëqenie ekonomike duke lënë pas një atdhe me moshë të mplakur që përjeton dyndjen e industrisë turistike dhe propagandën e shifrave të hedhura nga qeveria.
Duke shkuar pak pas në kohë duhet theksuar se politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në qoftë se i referohemi vitit 2013, ishte ardhja e Rilindjes Socialiste në pushtet e cila e tronditi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe aso kohe mediat paralajmëruan me tituj goditës furtunat që do të priteshin. Për të larguar qoftë emërimet e konsideruara politike të mëparshme si dhe trajtimin e rreth 20 % të diplomatëve të karrierës fushata e spastrimit u ndërtua mbi gjetjen dhe mbështetjen e shkeljeve të bëra nga administrata paraardhëse. Titujt goditës në shtypin e kohës paralajmëruan furtunat që do të priteshin dhe se ndryshimet do të preknin 3/4 e personelit ndërsa pjesa e mbetur do t’i nënshtrohej transferimeve. Pra ashtu si atëherë sikurse edhe një vit më parë, të mbështetur në kushtetutë, por me presidentin Bajram Begaj (i zgjedhur 2022 pas katër raundesh në Kuvendin e Shqipërisë me 78 vota, 1 kundër 4 abstenime dhe 57 abstenime) dekretet presidenciale janë procedura e vetme që shkarkon diplomatët/et ekzistues dhe emëron për marrjen e detyrës ambasadorët/et që përzgjedh kreu i qeverisë. 10 dekrete të presidentit Begaj kryen gjatë Korrikut 2023 emërimet e ambasadorëve rezident në pesë shtete si Mali i Zi, Republikën Federale Gjermane dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa dy ambasadorë të emëruar në SHBA-në dhe në Republikën e Azerbajxhanit, janë jo rezident në mbulimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje nga vendodhja e tyre pra nga SHBA mbulohen (Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republika e Panamasë, Republika Domenikane, Republika e Guatemalës dhe Republika e Kosta Rikës) dhe nga Azerbajxhani mbulohen (Republika e Kirgistanit, Republika Islamike të Pakistanit, Gjeorgjia, Republika Islamike e Afganistanit dhe Republika e Kazakistanit), një marrëdhënie institucionale kjo e shfrytëzuar dhe e bllokuar kur lipset nevoja, për të mos thënë rëndesën që vjen me fjalët presion institucional dhe përdorim i influencës nga ana e kryeministrit mbi presidentin.
E sollëm këtë rifreskim për të dalluar se cilat janë tonet e përgjegjësive të shtetit shqiptar dhe si respektohen dhe si vlerësohen ato hera herës për emërimet e karrierës në diplomaci pasi gjatë tre mandateve Rama është ndër më të aftit që di jo vetëm të shkurtojë dhe ndërrojë emra, por edhe të marrë kreditë për rezultatet e veprimtarisë dhe profesionalizmit duke i kthyer në propagandë ku theksohet protagonizmi i ideatorit të reformës. Pra kryeministrin Edvin Rama me Diplomacia 2024, “DIPLO 2024” mund ta hijezojë prestigjin dhe prurjen në karrierë të ambasadorëve/eve, pasi mentaliteti i emërimit politik partiak ende nuk ka ndryshuar brenda Rilindjes Socialiste, por ai ka shkuar drejt kontrollit direkt dhe patronazhimit nga një individ, nga kryeministri. Duke e marrë këtë vetëm dje, çelja e veprimtarisë “DIPLO 2024” (26-28 Gusht), synon shabllonin festiv të samiteve, por fotoja në grup e bërë në shkallët e Pallatit të Kongreseve në Tiranë padashje të adreson tek “karshillëku” institucional. I nxehti i verës dhe boshllëku i kryeqytetit të braktisur prej plazhit i vë ambasadorët përballë pak metra më selia e Presidencës së Republikës së Shqipërisë. Ndërsa mungesa e presidentit Bajram Begaj për t’i uruar mirëseardhjen këtij grumbullimi pas tetë vitesh mbetet një tregues. (ose jo vetëm në qoftë se ai përtej kangjellave rrethuese mund të ketë përshëndetur me dorë apo mund të ketë shkrepur një foto). Veç çeljes së shërbimeve të reja në rajon, në Afrikë, si mundet të shprehen të njëanshme interesat për Shqipërinë kur kryeministri hedh idenë se:-“… me Indonezinë kemi vendosur marrëdhënie që kanë dhe interes shumë të madh me ne, ashtu si dhe marrëdhëniet me Filipinet pasi të gjitha vendet e BE-së sot janë duke trokitur në potencial shumë të madh ato dyer për forca të reja pune dhe kjo është marrëdhënie shumë e rëndësishme”.
Ikja e shqiptarëve a e justifikon Shqipërinë?
Pra Atdheu i shqiptarëve në diasporë të plotësojë nevojat e krahut të lirë të punës me emigrantë nga kontinenti i Azisë apo politikat kaq progresiste ndaj emigracionit e shndërrojnë në një vend tranzit me infrastrukturë që ndërtohet nga taksat e shqiptarëve dhe hyrja drejt Evropës ku ne duam të shkojmë lehtësohet së pari për vendet më të largëta me problematikë të emigracionit dhe zbutjes së varfërisë globale.
Në fjalën përshëndetëse kryeministri Rama me vizionin e tij diplomatik u përpoq ta jepte në disa drejtime zhvillimet e politikës së jashtme shqiptare në vitet e fundit dhe prioritetet apo sfidat, por dy tre çështje si orientimet dhe mungesat u kuptuan qartazi. Sfidat e konflikteve të armatosura në Evropë dhe Lindjen e Mesme, raportet me Kosovën dhe me fqinjët dhe se si do të mbahen lidhjet me shërbimet diplomatike dhe konsullore kur mbi 1/3 e popullsisë shqiptare është larguar dhe kur leku konkurron në tregun e brendshëm euron dhe dollarin, kur turizmi gjithëvjetor fshin çdo vëmendje përballë detyrimeve kushtetuese që do të sjellë pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e ardhshme, janë disa çështje që Rama i anashkaloi, i preku përciptas ose nuk i përmendi fare, pasi imazhi i Konferencës së Ambasadorëve i sjellë si “DIPLO 2024” ka atë rrumbullakosje forme me të cilën luhet bukur në piketën e largët BE 2030.
Sa larg dhe sa rrotull hidhet ideja pas tetë vitesh në mbajtjen e zhurmshme propagandistike të Konferencës së Ambasadorëve, ku një informim i drejtpërdrejtë në ekran nuk mundësohet për publikun, studentët e shkencave politike dhe sociologjisë, ekonomisë etj. Shikimi në të kundërt hidhet larg tek 2030. Gjashtë vite më larg dhe nuk shihet afrimi i votës 2025 ku edhe shqiptarët pritet të jenë të informuar për vete dhe në diasporë me qëllim që ta ndryshojnë qeverisjen e korruptuar.
26 Gusht 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)