(Ky shkrim është botuar më 8 Tetor 2011, me rastin e ndarjes nga jeta të diktatorit të fundit Ramiz Alia. Në Shqipëria u tha se u rrëzua diktatura por jo nomenklatura e kuqe dhe trashëgimtarët e saj vazhdojnë të qeverisin si etërit e tyre, ndërsa sistemi ka degjeneruar plotësisht. Kjo ndodhi sepse demokracia në Shqipëri u rrek të ndërtohej duke anashkaluar dekomunistizimin dhe marrjen e përgjegjësive ndaj krimeve të diktaturës. Nomenklatura e diktaturës u dënua për kafe dhe ata që u burgosën, Partia Socialiste posa erdhi në pushtet në 1997 i nxori nga burgjet si heronj, i rehabilitoi dhe i dëmshpërbleu me miliona lekë krejt ndryshe nga si veproi me viktimat e diktaturës shtresën e të përndjekurve)
——
Të nderuar miq. Dje u shua në moshën 86 vjeçare pasuesi i vetëm dhe i fundit i diktatorit Enver Hoxha, njeriu më i besuar i Hoxhës. E vendosa lajmin në Facebook pa bërë asnjë koment veç duke përshkruar faktin ashtu si është. Pasuesin e Enver Hoxhës nuk mund ta quajmë demokrat. Mjafton fakti tragjik se në prag të rrëzimit të diktaturës në Shqipëri, kur Ramiz Alia ishte në krye të shtetit komunist, në kufi u vranë qindra të rinj shqiptarë. Nuk u gëzova assesi për faktin se iku nga kjo botë, sepse besoj në Zot, por reagova në mënyrë të përgjegjëshme si gazetare.
Nëse në vitin 1991-1992 populli shqiptar u ngrit në këmbë për të përmbysur diktaturën më mizore të Europës Lindore, kjo diktaturë identifikohej me emrat që kishin në dorë shtetin, shtet që pushkatoi, vari, burgosi, internoi, nuk lejoi lirinë e fjalës, nuk lejoi lirinë e besimit dhe ushtroi terror e frikë tek populli i tij, pra u ngrit për të rrëzuar Ramiz Alinë dhe nomenklaturën e kuqe, pra ky është realiteti dhe është i pandryshueshëm.
Dhe në çdo vend të Europës Lindore ku u përmbysën sistemet totalitariste, nomenklatura e kuqe u gjykua për krimet e kyrera, përfitoi pensionet minimale dhe iu hoq e drejta e ripërfshirjes në politikë. Kështu u veprua edhe në Gjermani kur u rrëzua Hitleri, kështu edhe në Gjermaninë e post rrëzimit të Murit të Berlinit, Poloni, Hungari, Çeki e me rradhë.
Kështu do të duhej dhe kështu duhet të veprohet edhe në Shqipëri. Nëse për 20 vjet nuk u veprua kështu, kjo nuk e përjashton Shqipërinë nga përmbushja e detyrimeve si shtet anëtar i NATO-s apo nesër shtet anëtar i BE-së.
Ndërsa çdo shqiptar i ndershëm, që ka punuar 40 vjet, merr një pension minimal prej 130 $ dhe kjo shihet si diçka normale, e përse një grusht njerëzish që duan ta mbajnë peng të së djeshmes Shqipërinë, vazhdojnë t’i thurrin ditirambe Ramiz Alisë, i cili i ngrysi ditën me një pension të privilegjuar, duke u privilegjuar edhe nga mass-mediat, të cilat e trajtuan diktatorin e fundit të shqiptarëve si hero të demokracisë. Kjo nuk shkon. E kë përmbysën shqiptarët më 22 marsin e vitit 1992? Përmbysën pikërisht Ramiz Alinë dhe shtetin e tij totalitarist.
Ramiz Alia është i parehabilitueshëm nga një shtet ligjor demokratik i tipit Perëndimor. Ramiz Alia mund të rehabilitohet nga një shtet diktatorial. Por ky qëndrim kontravers i mediave shqiptare si shprehje e skutave më të errëta të politikës vjen sepse edhe sot – edhe 20 vjet pas rrëzimit të diktaturës – nuk ekziston asnjë ligj në Kushtetutën e Shqipërisë që të dënojë sistemin komunist. Në Kuvendin e Shqipërisë ka 20 vjet që bjerret koha e shqiptarëve me qëllimin që t‘i bëjë shqiptarët t’i harrojnë krimet e kryera nga diktatura. Edhe sot e kësaj dite në Tiranë nuk kemi asnjë Muzeum të krimeve të diktaturës, ndërsa kemi qindra mijë viktima të saj. Quo vadis kështu Shqipëria? Të vazhdojë e të konfondojë krimin me viktimën. Jo nuk shkon më.
Shqiptarët më 22 marsin e vitit 1992 e përmbysën diktaturën e Ramiz Alisë dhe ky fakt është i pakthyeshëm, i patjetërsueshëm, edhe sot pas ikjes të tij nga kjo botë. Nuk i gëzohem vdekjes së askujt, përfshi edhe atë të diktatorëve, sepse i besoj Zotit, por më pikëllon fakti i viktimave të diktaturës komuniste ndaj të cilave shteti komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë ushtroi terror, të cilat janë rivrarë edhe një herë nga indiferenca dhe heshtja e këtyre 20 viteve tranzicion, viktima që u varën, u pushkatuan dhe i çuan në litar në moshë të re, familjet dhe fëmijët e tyre që i persekutuan dhe i dërguan nëpër Gulagë të anatemuar si armiq të popullit dhe bijtë e armiqve të popullit. Për këta më vjen keq. Dhe sot më tepër se kurrë.
Fakti që Ramiz Alia iku nga kjo botë 86 vjeç dhe Nexhmije Hoxha 90 vjeçare ngrys ditët e pleqërisë me peshën e krimeve të sistemit komunist tregon se shqiptarët janë komb i qytetëruar që nuk kanë operuar me mjetet e diktaturës, siç ishte hakmarrja ndaj kundërshtarit politik dhe armikut të klasës, ashtu si veproi diktatura shqiptare e cila u largua nga pushteti jo me dashjen e saj, jo sepse u bë demokrate, por sepse u frikësua nga fati i diktatorëve të Europës Lindore. Iku nga kjo botë Ramiz Alia pa kërkuar asnjëherë ndjesë, pa pranuar asnjëherë për krimet e kryera, por kjo nuk ia ndryshon dot vendin që i takonte në gjallje dhe tani në shuarje. Jo për fajin e shqiptarëve as për fajin e viktimave, të cilat edhe sot e kësaj dite kërkojnë drejtësi përmes shtetit ligjor dhe Kushtetutës së Shqipërisë.
Nga kjo botë ikin për çdo ditë shqiptarë të ndershëm, ikin pa bujë, duke shkaktuar pikëllim e pengje tek të dashurit e tyre. Vdekjet e tyre nuk shpallen në gazeta, paçka se jeta e tyre e ndershme dhe plot sakrifica meriton të shpallet në gazetat e Shqipërisë, sepse ikin të vuajtur e të zhgënjyer. Sikur të mos u mjaftonin vuajtjet e diktaturës, u ishte dashur edhe ky konfuzion i shkaktuar në mënyrë të qëllimshme nga provokatorë të pashpirt, që e quajnë veten gazetarë, por, në fakt, dje ata kanë qenë çinovnikë të regjimit komunist dhe diktaturës dhe sot vazhdojnë të mbeten çinovnikë të hipotekave të tyre, pasi edhe sot e kësaj dite nuk arrijnë dot të gjejnë ndryshimin midis viktimave dhe ekzekutorëve të viktimave.
Ata mund të mbeten konfuzë deri sa të bëhen si Nexhmije Hoxha, 90 vjeçarë, por opinioni publik shqiptar nuk është konfuz dhe ai i njeh mjaft mirë ekzekutorët e shtetit diktatorial, të cilën e përmbysi më 22 marsin e vitit 1992.
Nga kjo botë ikin edhe njerëz që fitojnë bujë e nderim përmes veprave të mira, si shtetarë të devotshëm, të pakorruptushëm që i dedikohen shtetit të së drejtës jo për privilegje; nga kjo botë ikin shkrimtarë e artisë të mëdhenj që përmes artit të tyre na zbukurojnë jetën e përditëshme; nga kjo botë ikin shpikës gjenialë si Steve Jobs që ia kushtuan jetën e tyre njerëzimit; ikin shkencëtarë që shkrinë jetën e tyre për të zbuluar të panjohurat e universit; nga kjo botë ikin humanistë që sakrifikuan lirinë e tyre e tyre për hir të lirive të të tjerëve, dhe ikjet e tyre e bëjnë botën të vajtojë për ta, si vlera, duke shkaktuar boshllëk dhe mungesë. Sa për ikjet e ish-diktatorëve apo të atyre emri i të cilëve është i lidhur me vuajtjet e kombit të tij, këto ikje nuk i shkaktojnë boshllëk as kombit dhe as opinionit publik.
https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=OPINONEEDITORIALE&article=18162