Ata që kanë sulmuar Rusinë do të përgjigjen. Kështu është shprehur, Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoli Antonov. Sipas zyrtarit rus, Vladimir Putin ka formuluar një përgjigje ndaj inkursionit të vazhdueshëm ukrainas në rajonin e Kurskut dhe ata që janë përgjegjës për sulmin ndaj Rusisë do të ndëshkohen.
“Unë ju them sinqerisht se presidenti ka marrë një vendim. Jam i bindur plotësisht se të gjithë do të ndëshkohen ashpër për atë që ka ndodhur në rajonin e Kurskut”, tha Anatoli Antonov, Ambasador i Rusisë në SHBA.
Komentet e Antonov, i cili nuk dha detaje të mëtejshme mbi planet e Putinit, erdhën pasi kreu i Kremlinit mbajti një takim me zyrtarë të lartë, përfshirë guvernatorët e rajoneve kufitare, mbi dy javë pasi Ukraina nisi sulmin e saj rrufe, inkursioni më i madh në Rusia nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nga ana e saj, Ukraina nuk i ka ndalur sulmet ndaj territorit rus. Në shënjestër këtë herë ishte një anije e madhe mallrash e cila është djegur plotësisht. Sipas informacioneve të pakonfirmuara nga kanalet ruse në Telegram, anija dyshohet se është sulmuar nga një raketë ukrainase Neptun.
Ukraina po sulmon gjithashtu qëllimisht furnizimet e karburantit të ushtrisë ruse në brendësi. Edhe një port i madh në Rusinë jugore është goditur. Ukraina po zhvillon një fushatë ambicioze me dron me rreze të gjatë kundër infrastrukturës kritike në Rusi dhe tashmë ka goditur më shumë se 200 objektiva. Të martën ajo nisi një sulm të madh në Moskë dhe dërgoi drone në rajonin Arktik të Murmansk, më shumë se 1600 km larg, ku bazohen bombarduesit strategjikë rusë.
I ashpër në qëndrimin e tij është edhe njeriu kyç në Kremlin, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev. Në Telegram Medvedev thekson se, Ukraina do të shkatërrohet si Sodoma dhe Gomorra dhe demonët do të bien në mënyrë të pashmangshme. Dënimi nuk do të vijë në të ardhmen e largët, pas kalimit në botën tjetër. Përkundrazi, dënimi do të jetë tokësor, mizor, i dhimbshëm dhe do të përmbushet së shpejti”, shkruan Medvedev në Telegram. sn