– Në 40-vjetorin e vizitës së Jozef Strauss, ish-politikanit gjermano-perëndimor në Shqipërinë stalinisto-komuniste, Gusht, 1984
Ishte kulmi i luftës së ftohtë. Themelimi i lëvizjes së puntorëve polakë, Solidarnoshq, shërbeu si një shembull për përhapjen e ideve anti-komuniste, për tu ndjekur anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, duke dobësuar kështu, seriozisht, regjimet komuniste, gjë që më në fund çoi në revolucionet e vitit 1989 dhe në shembjen e Murit të Berlinit.
Ishte në këtë periudhë dhe në këtë atmosferë tensionesh politike ndërkombëtare – pikërisht në Gusht, të vitit 1984 – kur diktatori stalinist i Shqipërisë, Enver Hoxha ishte ende i gjallë – ndërkohë që politikani gjermano-perëndimor, Jozef Strauss, kishte vendosur të vizitonte Shqipërinë – duke u bërë kështu i pari udhëheqës i lartë politik perëndimor, që vizitonte Shqipërinë e vet-izoluar, të mbyllur nga bota, sidomos, nga ajo perëndimore.
Më kujtohet, në atë kohë, se gazetat më të njohura amerikane, si Nju Jork Tajms, Christian Science Monitor, Washington Post, ndër të tjera, hamendsonin se Jozef Straussi po vizitonte Shqipërinë komuniste me qëllim për të përgatitur rrugën për vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Kjo, sepse, Jozef Straussi, para se të vizitonte Shqipërinë në gusht të vitit 1984, ai kishte bërë disa vizita, si përfaqsues i qeverisë së Bonit, në Gjermaninë lindore komuniste, në Çekosllovaki, në Poloni dhe në Rumani, si pjesë e ost-politikës gjermane.
Por qeveria e Bonit në atë kohë i pat hedhur posht ato spekullime në media duke shkruar se Straussi gjëndej në Shqipëri si vizitor privat dhe se nuk përfaqësonte, zyrtarisht, qeverinë dhe shtetin gjermano-perëndimor në atë vizitë, në Shqipëri. Por nga ana tjetër, gazetat e asaj kohe njoftonin se gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jozef Straussi ishte takuar me Zëvendës-Kryeministrin e Shqipërisë dhe anëtarin e Byrosë Politike, Manush Myftiun, duke shtuar kështu shpresat e analistëve se vizita e zyrtarit të lartë politik i krahut të djatht gjerman në bastionin stalinist në Evropë – ishte diçka më tepër se një vizitë e rendomtë prej turisti. Ata e interpretonin atë vizitë si ndoshta shënja e parë e fillimit të një ndryshimi të politikës së jashtme izolacioniste të regjimit komunist të Tiranës.
Por, cilat do qofshin qenë synimet e vizitës së Jozef Straussit në Shqipërinë komuniste gushtin e vitit 1984 – një vizitë që thuhej në atë kohë, se ishte bërë në konsultime edhe me Washingtonin zyrtar – ajo dështoi keqas, për fatin e shëmtuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos duke marrë parasyshë, përfitimet ekonomike dhe politike që mund të rezultonin prej saj.
Duke refuzuar të nënshkruante një traktat paqeje midis dy vendeve, për t’i dhënë fund Luftës së II botërore, regjimi komunist i Shqipërisë ishte më i interesuar që të siguronte “reparime lufte” nga Gjermania dhe jo në marrëdhnie afatgjata, para se të lidhte marrëdhënie diplomatike me Bonin, megjithëse ato u rivendosën në vitin 1987. U humb rasti! Ishte tepër vonë për regjimin e vetmuar stalinist të botës komuniste, të përfitonte nga vizita duke humbur kështu çdo mundësi për të influencuar, në mënyrë pozitive, zhvillimin e ngjarjeve në favor të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Regjimi diktatorial komunist shqiptar ishte më i interesuar të ruante në vazhdimësi “pastërtinë” e ideologjisë staliniste, anti-perëndimore dhe sidomos frymën anti-amerikane.
Vizita e Straussit ishte një katastrofë. A u kujtohet kur regjimi komunist shqiptar Jozef Straussin e çoi në kalanë e Gjirokastrës për t’i treguar Z. Strauss “arritjen e madhe heroike ushtarake” të forcave komuniste të kapjes së një aeroplani amerikan që thuhej se kishte shkelur hapësirën ajrore të Shqipërisë? Ndërsa në agjendën e vizitës së Straussit kishin futur edhe një ndalesë të tij në shtëpinë e lindjes së “udhëheqsit të lavdishëm”, anti-perendimor, Enver Hoxhës. Merreni me mend!
Rrethanat në Evropë çuan, eventualisht, në hapjen e Shqipërisë ndaj Perëndimit, por kjo nuk ishte një prioritet aq me rëndësi për ta. Ata donin “reparimet ekonomike” nga Gjermania që të nxirrnin ekonominë shqiptare nga humnera në të cilën e kishin hedhur për një gjysëm shekulli politikash dështuese ekonomike staliniste. Zhvillimet politike të ndryshimit të madh historik në Evropë kishin hyrë në një rrugë të pa këthesë — drejtë lirisë e demokracisë. Ashtuqë, në vitet para shembjes së Murit të Berlinit, as nuk pyeste kush për Shqipërinë, sepse pritej që – heret ose vonë — edhe Shqipërinë komuniste do ta merrte furtuna e ndryshimeve të mëdha anti-komuniste, anë e mbanë Evropës, që pasuan shembjen e Murit të Berlinit.
Në këtë 40-vjetor të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri, vazhdoj të jem i mendimit se vizita e Jozef Straussit atje, nga pikëpmaja gjermane, ishte pjesë e të ashtuquajturës”ost-politikë”, hapje drejtë lindjes, nga ana e Gjermanisë Perendimore dhe në konsultim me aleatët. Ishte një përpjekje për të parë nëse pashallarët e kuq të Tiranës ishin gati të kthenin sytë nga Perëndimi demokratik. Por, Shqipëria staliniste në arë kohë, nuk kishte marrëdhënie të mira as me vendet komuniste të kohës, lere më me vendet kapitaliste perëndimore, kështuqë vizita e Jozef Straussit në Shqipëri në gusht të vitit 1984 ishte destinuar të dështone, qellimisht – me synim e vullnet të mbrapsht të regjimit diktatorial komunist të Tiranës zyrtare të atyre viteve. A thua nuk e dinin zyrtarët komunistë shqiptarë se kush ishte Jozef Straussi – njeriu i cili shëndrroi Bavarinë nga një shtet agrar në njërin prej qendrave më të mëdha industriale dhe në një prej krahinave më të pasura në Gjermani dhe ndoshta në botë?! Natyrisht e dinin, por nuk dëshironin të përfitonin, sepse me një hapje të vërtetë ndj Perendimit, ata do humbisnin shumë.
Prandaj, qëllimi i Tiranës zyrtare komuniste që lejoi vizitën e Straussit në atë kohë, nuk ishte asgjë tjetër dhe nuk kishte asnjë qëllim vullnet mirë nga regjimi komunist i Shqipërisë, veçse ta përdorte atë vizitë si një mënyrë për të mjelur taksapaguesit gjermanë, duke kërkuar shuma absurde riparimesh të luftës. Straussi dhe gjermanët e kuptuan mirë këtë dhe vizita e tij dështoi, vetëm e vetëm, sepse regjimi komunist në Shqipëri nuk deshi që ajo vizitë të çonte përpara lidhjet midis dy vendeve, as drejtë hapjes ndaj Perendimit.
Si rrjedhim,duhet të konstatojmë se, atëherë dhe sot, ajo vizitë nuk mund të konsiderohet si asgjë tjetër, veçse një rast i humbur, si shumë të tjerë para tij — dhe një gabim trashanik historik permasash kombëtare që nuk mund t’i falet regjimit komunist të Shqipërisë së atëhershme as apologjetëve të sotëm të atij regjimi, disa prej të cilëve ende mund të gjejnë arsye të justifikojnë trajtimin absurd komunist të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri në vitin 1984. Jozef Straussi erdhi e pa Shqipërinë komuniste, në përpjekje për ta ndihmuar të hapej drejtë Perendimit – por Shqipëria, humbi shumë dhe nuk përfitoi asgjë nga ajo vizitë. Ky nuk ishte faji i Straussit, por i pashallarëve të kuq të Tiranës, të cilët donin që me parat e taksapaguesve gjermanë, të përpiqeshin të shpëtonin ekonominë e shkatërruar të vendit dhe të ruanin sistemin e tyre kriminal komunist – të bindur “në forcat e veta” dhe në “rrugën revolucionare” të Enver Hoxhës në mbrojtje të socializmit dhe të idealeve komuniste. Nuk ka se si të ishte ndryshe përfundimi i vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri 40-vjet më parë, një zyrtari të lartë gjerman, të cilin Enver Hoxha e kishte cilësuar si “përkrahësin më të vendosur të nazizmit hitlerian e një nga militaristët më të egër gjermanë”.
Për hir të marëdhënieve aktuale por edhe marëdhënieve në të ardhmen, midis Kombit shqiptar dhe atij gjerman, kjo vizitë e 40-vjetve më parë e Jozef Straussit –duhet të kujtohet sot për meritat historike që ka dhe për ato që mund të ishin. Për përpjekjet e tija personale vullnet mira dhe dëshirës së vendit të tij — Gjermanisë — që të ndihmonin Shqipërinë dhe Kombin shqiptar– në njërën prej periudhave më të vështira të sajë politike dhe ekonomike – me synimin që të dilte nga vet-izolimi, të fillonte hapjen drejtë Perendimit dhe distancimit të Kombit shqiptar nga ideologjia diktatoriale shtypse sllavo-aziatike, gjysëm shekullore.
Frank Shkreli
Jozef Strauss
Presidenti Ilir Meta duke i dorëzuar dekoratën e lartë së bijës së politikanit dhe udhëheqësit gjerman Franc Jozef Shtrauss, zonjës Monika Holhmeier, eurodeputete dhe anëtare e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian. Ish-Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe si shprehje të vullnetit më të sinqertë për të vlerësuar një mik të shqiptarëve, nderoi me Dekoratën më të lartë të “Flamurit Kombëtar, Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes) “në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj mbështetjes dhe ndihmës së vyer dhënë popullit shqiptar për të dalë nga izolimi; për kontributin historik në ripërtëritjen dhe forcimin e miqësisë mes popullit shqiptar dhe popullit gjerman.”