Deri këtë fundjavë – mbi degët perëndimore të Lumit Sejm, një rrjedhë gjarpërore e ujit përgjatë rajonit Kursk të Rusisë deri në Ukrainë – qëndronin tri ura të ulëta prej betoni dhe asfalti e me dy korsi, të cilat shërbenin për trafik rrugor për territorin jugor rus.
Megjithatë, prej 20 gushtit, ato ura janë të pakalueshme, sepse janë shkatërruar pjesërisht nga një varg sulmesh ukrainase. Kjo i ka shkaktuar telashe të mëdha forcave ruse që po luftojnë për ta frenuar zgjerimin e ofensivës ukrainase në Rusi.
Synimi i kësaj përpjekjeje – që e ka tronditur Rusinë dhe e ka befasuar Perëndimin, dhe mbase e ka rishkruar narrativin e pushtimit – mbetet i paqartë, megjithëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka lënë të kuptohet se, së paku njëri prej qëllimeve, është krijimi i një zone të sigurisë.
Por, nuk mund të dihet me siguri nëse një zonë e sigurisë në kufi do ta ndryshojë faktin se, rreth 400 kilometra në jug, forcat ruse janë në binarë për ta pushtuar Pekrovskin, një qytet në Donbas, rënia e të cilit do t’i rrezikojë rrugët ukrainase për furnizim dhe logjistikë në gjithë vijën e frontit përgjatë Donbasit.
Më poshtë mund të lexoni se si janë gjërat 30 muaj pasi nisi lufta më e madhe tokësore në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
E gjithë vëmendja në Kursk
Hera e fundit kur Ukraina bëri një ofensivë që e ndryshoi fushëbetejën, e për më tepër që i mahniti vëzhguesit e huaj, ndodhi në fund të vitit 2022: në pjesën lindore të rajonit të Harkivit, dhe në jug, në pjesën perëndimore të Lumin Dniepër, në rajonin e Hersonit.
Ukraina u përpoq ta krynte një kundërofensivë edhe më ambicioze vitin e kaluar, por ajo nuk dha fryt, duke përfunduar me humbje të mëdha në ushtarë dhe në pajisje, dhe ishte zhgënjim i madh.
Inkursioni në Kursk i ka habitur vëzhguesit, por është e paqartë nëse do ta ndryshojë gjendjen në fushëbetejë.
Mbi 1.000 trupa, përfshirë disa prej njësive më të kalitura në betejë të Ukrainës, të mbështetur nga tanke dhe armë të rënda, besohet se janë përfshirë në ofensivën fillestare më 6 gusht, të cilat i thyen lehtësisht mbrojtjet kufitare ruse.
Raportohet se numri i ushtarëve ukrainas brenda Kurskut është rritur së paku pesëfish prej atëherë.
Sipas zyrtarëve ukrainas dhe rusë, dhe analistëve, trupat ukrainase janë parë duke gërmuar pozicione të fortifikuara mbrojtëse në disa lokacione. Kjo sugjeron se qëllimi i inkursionit nuk është vetëm të sulmojë pozicionet ruse dhe më pas të tërhiqet matanë kufirit, por të mbajë territorin për ta përdorur për pazare në negociatat e ardhshme.
“Është një rrezik që ata e kanë llogaritur; ata e dinin se çfarë po bënin,” tha Pentti Forsstrom, nënkolonel i pensionuar i ushtrisë finlandeze, i cili tani është hulumtues i lartë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Helsinki.
“Njerëzit po mendonin: ‘Kjo është faza sfilitjes e luftës, asgjë e veçantë nuk do të ndodhë, luftimet vazhdojnë, por asgjë nuk ndryshon, kështu që kjo është një kohë e mirë për të bërë diçka,” tha ai. “Dhe ukrainasit e bënë atë. Ata nuk pritën. Ata morën iniciativën në duart e tyre, duke e detyruar Rusinë të përgjigjet.”
Sulmet në urat e Sejmit, në qarkun Glushkovo të Kurskut, janë gjithashtu domethënëse: ura që me sa duket u godit diku gjatë fundjavës –ishte e treta që u bë e pakalueshme në ditët e fundit.
Shkatërrimi i urave ia pamundëson Rusisë lëvizjen e forcave dhe ndërtimin e një mbrojtjeje efektive – një përpjekje që deri më sot ka qenë kaotike, megjithëse kjo mund të ndryshojë me ardhjen e njësive më me përvojë. Gjithashtu e rrit rrezikun që disa forca ruse të rrethohen.
“Sulmet në vendkalimet e urës…dhe përparimi i njësive të forcave të mbrojtjes ukrainase në bregun perëndimor të lumit sugjerojnë se synimi…është të marrë kontrollin e një pjese të rajonit të Kurskut në jug të Sejmit,” tha Qendra për Strategjitë e Mbrojtjes, tha një institut kërkimor në Kiev i udhëhequr nga një ish-ministër i mbrojtjes ukrainas.
Imazhet satelitore tregojnë se trupat ruse janë përpjekur të ngrenë një pjesë të vogël të urave të përkohshme ponton nëpër Sejmit.
Më 18 gusht, në deklaratën e tij të parë duke përshkruar qëllimet e inkursionit, Zelensky tha se forcat ukrainase po kërkonin të shkatërronin “sa më shumë potencial luftarak rus që të ishte e mundur”, si dhe të krijonin “një zonë të sigurisë në territorin e agresorit”.
Ka edhe një synim tjetër, tha Mykhaylo Podolyak, zyrtar i lartë i Zelenskyt.
“Detyra e tretë është, natyrisht, të shfaqim llojin e luftës që po bën Ukraina, krahasuar me llojin e luftës që po bën Rusia”, tha ai në një intervistë për Current Time. “Rusia po shkatërron zonat e populluara. Rusia, në fakt, do të pushtojë zonat e populluara. Ukraina nuk e ka ndër mend të pushtojë zonat e populluara. Ajo nuk e ka ndër mend të pushtojë këtë territor.”
Në një fjalim të vetin, Zelensky trumbetoi reagimin e ngathët të Rusiosë si ilustrim se kërcënimet e Moskës për një përshkallëzim të madh janë të gënjeshtërta.
“Është koha kur bota po i flak iluzionet e fundit shumë naive për Rusinë, iluzione që kanë penguar dukshëm mbrojtjen e Ukrainës”, ka thënë ai.
Ndërkohë, vëzhguesit perëndimorë nuk janë habitur vetëm nga suksesi i Ukrainës, por edhe nga reagimi joefektiv i Rusisë.
“Rusia është ende duke e përgatitur përgjigjen ndaj inkursionit ukrainas,” tha gjenerali i ushtrisë amerikane Christopher Cavoli, i cili është komandanti i lartë ushtarak i NATO-s. “Ka pasur një reagim mjaft të ngadaltë dhe të rrëmujshëm. Pasojë e kësaj është fakti se nuk është saktësisht e qartë se kush është në krye.”
Dërgimi i rekrutëve
Çarja përpara e ushtrisë ukrainase i ka detyruar dhjetëra mijëra banorë të Kurskut të ikin; të paktën 130.000 kanë ikur prej 20 gushtit.
Për Kremlinin, ka edhe një problem tjetër: roli i rekrutëve që po zhvendosen kundër trupave ukrainase.
Sipas ligjit rus, të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 40 vjeç janë të detyruar të shërbejnë në forcat e armatosura. Ligji vendos gjithashtu disa kufizime për vendosjen e rekrutëve në zonat e luftës, duke kërkuar të paktën katër muaj shërbim dhe trajnim të specializuar, dhe duke përfshirë ndalesën që ata të dërgohen jashtë vendit.
Kjo do të thotë se lufta në Ukrainë është bërë vetëm me vullnetarë me kontratë – “kontraktniki” – si dhe me të burgosur të rekrutuar.
Kjo, nga ana tjetër, ka izoluar popullsinë e gjerë ruse nga tmerret e konfliktit të Ukrainës, i cili ka vrarë ose plagosur të paktën 350.000 ushtarë rusë (dhe një numër të krahasueshëm ukrainas), sipas vlerësimeve perëndimore.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë disa herë se rekrutët nuk do të dislokohen në zonat luftarake. Por inkursioni ukrainas në Kursk po e ndryshon këtë përllogaritje.
Të paktën 22 rekrutë rusë u zhdukën në rajonin e Kurskut në javën e parë të inkursionit ukrainas, sipas gazetës iStories.
Në rajonin verior të Murmanskit, nënat e rekrutëve që filluan shërbimin në fillim të korrikut kanë shpërndarë peticione duke kërkuar që djemtë e tyre të mos dërgohen në rajonin e Kurskut.
Të afërmit e rekrutëve nga rajoni qendror i Bashkortostanit i thanë mediumit Vyorstka se disa nga vëllezërit dhe djemtë e tyre që ishin vendosur në rajonin e Kurskut janë zhdukur dhe mund të jenë kapur.
“Çfarë të drejte kanë ata të dërgojnë rekrutët atje? një grua, e cila kërkoi të identifikohej vetëm si Olga, i tha Radios Evropa e Lirë. Putin “premtoi se vetëm kontraktnikit” do të luftonin.
Forcat ukrainase, po ashtu, kanë publikuar video dhe fotografi, të cilat thuhet se shfaqin qindra të burgosur rusë të luftës; ndërsa vëzhguesit thonë se mbi 1.000 ushtarë mund të jenë zënë rob gjatë inkursionit në Kursk. Nëse është e vërtetë, kjo do t’i shkaktojë Kremlinit më shumë kokëçarje.
Idite Lesom, një organizatë joqeveritare që ndihmon rusët që mobilizohen ose rekrutohen, tha se ka pranuar shumë thirrje nga prindër që ankoheshin se djemtë e tyre janë zhdukur, ose janë dislokuar për të luftuar kundër trupave ukrainase.
“Formalisht, ata nuk mund të dërgohen që të gjithë në zonën e luftimit, por komandantët e tyre janë padyshim shumë më të shqetësuar tani që do qortohen, nëse nuk e zbatojnë menjëherë urdhrin” për t’u dislokuar në Kursk, tha për Shërbimin rus të REL-it, Grigory Sverdlin, themeluesi i kësaj OJQ-je.
Oksana Deyeva, një grua nga rajoni i Voronezh, djali i së cilës u rekrutua në vitin 2023 dhe kishte shërbyer pranë fshatit Korenevo në Kursk, publikoi një peticion në faqen e internetit Change.org, duke i bërë thirrje Putinit të urdhëronte tërheqjen e çdo rekrutimi.
“Një ofensivë e plotë është duke u zhvilluar në territorin tonë sot. Shpëtoni jetën e ushtarëve që nuk janë të përgatitur për luftë. Ju u premtuat prindërve se [rekrutët] nuk do të merrnin pjesë në luftime!!!! Ne u besuam”, shkruhej në peticion.
Deyeva nuk iu përgjigj kërkesave të shumta nga Radio Evropa e Lirë për komente të mëtejshëm.
Pokrovski (pothuajse) ka rënë
Sukseset e Ukrainës i kanë lënë nën hije lajmet e këqija nga jugu i largët, përgjatë pjesëve tjera të vijës së frontit 1.100 kilometra të gjatë.
Komandantët rusë, të cilët kanë më shumë ushtarë, më shumë armë, dhe më shumë vullnet për të kryer sulme këmbësorie, janë duke i shkatërruar mbrojtjet e Ukrainës në tri lokacione përgjatë një pjesë prej 70 kilometrash në vijën e frontit: Çasiv, Jar, Toretsk dhe Pokrovsk.
Pokrovski, në veçanti, është shumë i kërcënuar, sipas analistëve, hartave të qasshme dhe të dhënave. Më 20 gusht, u raportua se forcat ruse u janë afruar 11 kilometra qytetit, i cili e ka një popullsi prej 50.000 banorësh. Autoritetet u kanë bërë thirrje civilëve të largohen nga qyteti, si dhe banorëve të qytezës në afërsi, Mirnohrad.
“Nëse Pokrovski i ka edhe dy javë kohë, atëherë Mirnohradi i ka vetëm edhe disa ditë”, tha Yuriy Tretyak, shefi i administratës ushtarake lokale.
Pokrovski ndodhet buzë një autostrade të rëndësishme, e njohur si T-0504 apo N23, e cila çon drejt verilindjes në Kostiantinivka, një qytet me një kryqëzim të madh hekurudhor. Forcat ruse i janë afruar autostradës rreth 7 kilometra, Deep State, një grup hartash që ka lidhje me ushtrinë ukrainase.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më 21 gusht se ka marrë në kontroll Nju-Jorkun, një vendbanim në lindje të Pokrovskut. Zyrtarët ukrainas nuk kanë konfirmuar humbjen e qytezës, gjë që do të vështirësonte më shumë mbrojtjen e Pokrovskut.
Kapja e autostradës nga forcat ruse do ta ndërpriste një linjë të madhe furnizimi për Ukrainën.
Ndërkohë, përparimi i forcave ruse ka vënë në pah përsëri njërin prej telasheve kryesore të Ukrainës: mungesën e ushtarëve.
Megjithëse e miratoi një ligj për mobilizim në pranverë, sistemi për rekrutimin, stërvitjen, veshjen dhe zhvendosjen e rekrutëve të rinj vazhdojnë të jetë në ngadalshëm, thonë ekspert. Kjo, sipas tyre, i jep përparësi Rusisë, për t’i shkatërruar pozicionet ukrainase me sulme të përgjakshme këmbësorie, por efektive.
“Nuk ka të bëjë me materialet dhe armët. Ndiej se ndihma nga Perëndimi është mjaft e duhur. Por, ukrainasit nuk e kanë personelin për t’i përdorur ato materiale, për t’i shkrepur ato armë”, tha Forsstrom për REL-in.
“Rusët përballen me telashin e njëjtë për rekrutim, por natyrisht, rusët i kanë paratë për t’i joshur ushtarët. Ukrainasit nuk i kanë. Prandaj, ata duhet të varen nga morali i popullit ukrainas”, shtoi ai.
Radio Evropa e Lirë
Përgatiti: Ekrem Idrizi