Në Sesionin shkencor të Seminarit të sivjemë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare morën pjesë edhe profesorët e njohur dhe punëtorët e dalluar të kulturës shqiptare Mahir Domi, Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani dhe Jorgo Bulo, të cilët me kënaqësi të posaçme pranuan që për lexuesit e “Botës së re” të flasin për shëmbëlltyrën dhe kontributin e madh të kolosit të gjuhësisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, akademikut Eqrem Çabej.
Prof. Mahir Domi: Me aftësitë e rralla krijuese dhe me cilësitë e larta njerëzore e morale, profesor Çabaj gëzonte nderimin e gjithë popullit.
– Studetët e Universitetit të Prishtinës dhe punonjësit e tjerë këtu, me dhembje të thellë morën lajmin për vdekjen e profesorit të nderuar Eqrem Çabej. Ju, shoku profesor, si një nga kolegët e tij të afërt, a do të mund të na thoni diçka për shembëlltyrën e tij si shkencëtar, për kontributin e tij dhënë shkencës së albanologjisë, si dhe mundësisht, të veçoni ndonjë kujtim mga kontaktet apo puna me të?
Para pak kohësh, kur ishte në vlugun e punës dhe në kulmin e aftësive të tij krijuese, u nda prej nesh kolegu ynë i dashur dhe i nderuar, mjeshtri ynë, “Mësuesi i Popullit” dhe akademiku prof. Eqrem Çabej.
Profesor Eqrem Çabej zë një vend të parë në gjuhësinë shqiptare e në historinë e saj. Këtë vend nderi ia sigurojnë atij për gjithnjë veprimtaria e gjerë dhe aq e frytshme që ka shtjelluar, vepra e madhe dhe aq e rëndësishme që realizoi, hopi i ndieshëm dhe cilësor që bëri me të mendimi ynë gjuhësor, duke arritur gjuhësia jonë nivelin më të mirë të gjuhësisë bashkëkohore botërore.
Veprën studimore të këtij përfaqësuesi ndër më të shquarit të shkencës dhe të kulturës shqiptare e karakterizojnë horizonti i gerë, problematika e pasur, niveli i lartë shkencor, tezat me rëndësi të veçantë kombëtare që janë mbrojtur e zhvilluar më tej. Ajo ka ngërthyer në radhë të parë fushat e aspektet e ndryshme të historisë së gjuhës sonë, si zhvillimin e brendshëm të shqipes ashtu edhe raportet e saj të jashtme, si periudhat historike ashtu edhe periudhat parahistorike, si fazën letrare po ashtu edhe fazën paraletrare. Vendin qendror e zënë aty leksikologjia historike e studimet etimologjike, por rezultate të rëndësishme u arritën njëkohësisht në studimin e prejardhjes e të formimit të gjuhës shqipe, të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanie e me gjuhët e tjera, të raporteve të saj me gjuhë të ndryshme indoeuropiane në fonetikën historike e në gramatikën historike. Botimi kritik i veprave të letërsisë sonë të vjetër e studimi i tyre qenë një fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të prof. E. Çabejt. Kontribute të rëndësishme i dha prof. E. Çabej edhe studimit të gjuhës së sotme, sidomos formimit të fjalëve, leksikologjisë, dialektologjisë, kodifikimit dhe njësimit të gjuhës sonë letrare. Po ashtu edhe folkloristikës e etnografisë shqiptare, si dhe studimit të letërsisë sonë.
Shkencëtar i shquar patriot, ai jo vetëm e pasuroi gjuhësinë shqiptare me vepra e studime të një niveli shkencor të ngritur, ai jo vetëm lëvroi me rezultate të shkëlqyera fusha e probleme që më parë kishin mbetur në dorë të shkencës së huaj, por trajtoi me objektivitet shkencor e me atdhedashuri çështje të rëndësishme për kulturën e historinë e popullit tonë, hapi rrugë të reja në shumë drejtime. Ai mbrojti me argumente bindëse autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimet e sotme të tij, theksoi njësinë e kulturës shqiptare dhe të gjuhës sonë, vjetërsinë e traditës së gjuhës sonë të shkruar, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve të tjera.
Prof. E. Çabej u pranua prej të gjithëve si autoritet i shquar, u njoh si albanisti më i madh i derisotëm.
Puna studimore aq e pasur dhe e rëndësishme që realizoi ky përfaqësues i madh i shkencës shqiptare është sigurisht, ndër të tjera, fryt i përkushtimit të rrallë dhe i aftësive të shquara krijuese të tij, por edhe i metodave efikase, rreptësisht shkencore dhe të përparuara që ai përdori me aq zotësi e sukses në veprimtarinë kërkimore të tij.
Në veprën shkencore të prof.Eqrem Çabejt harmonizohen në një tërësi të vetme organike elemente të ndryshme, cilësi të shquara që rrallë i gjen të bashkuara. Në të ka kujdes për faket e saktësinë e tyre, erudicion të gjerë, njohje të thelluar të veçorive dhe të visarit gjuhësor të shqipes, vëmendje kushtuar përpunimit të përpiktë të hollësive, frymë kritike ndërtuese dhe analizë të mprehtë, e njëkohësisht përgjithësime e sinteza, me agumentim të fortë, me teza të mbështetura mirë, me përfundime bindëse. Me logjikën e fortë të parashtrimit bashkohet një intuicion i hollë. Prof. E. Çabejn nuk e kanë tërhequr teorizimet, qofshin ato edhe të bukura në dukje, kur nuk përkojnë me realitetin gjuhësor, kur nuk qëndrojnë mbi baza të forta.
Formimi i lartë shkencor, horizonti gjerë, aftësitë e rralla i lejuan kësaj figure të madhe të gjuhësisë sonë të kombinojë në studimet e tij metoda pozitive të ndryshme të gjuhësisë europiane, me kritere e pikëpamje vetiake, duke arritur me këtë në rezultate të shumta frytdhënëse.
Kam pasur fatin të punoj së toku me këtë figurë të madhe të shkencës e të kulturës sonë për 30 e sa vjet, duke vepruar në të njëjtat njësi shkencore kërkimore, duke bashkëpunuar me të në mjaft vepra kolektive. Më është dhënë kështu rasti ta njoh së afërmi, të çmoj aftësitë e rralla dhe cilësitë njerëzore e morale të larta të tij. Tek ai të binin në sy dijet e gjëra, puna sistematike që bënte, serioziteti i madh, kërkesat e mëdha që i vinte vetes, logjika e fortë. I gatshëm për të ndihmuar shokët e punës. Ishte vaçanërisht i vëmendshëm ndaj kuadrove të reja, duke mos u kursyer për formimin e ngritjen e mëtejshme shkencore të tyre. Dashamirës e fisnik, gojëëmbël e i dashur, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e kolegëve e të forcave shkencore të reja si pak kush, nderimin e gjithë popullit shqiptar.
Profesor Eqrem Çabaj u la gjuhëtarëve e shkencëtarëve shqiptarë në përgjithësi, të sotëm e të ardhshëm, një trashëgimi të vyer jo vetëm për veprën e tij të pavdekshme, por edhe me shembullin frymëzues të një jete kushtuar e gjitha gjuhës shqipe, shkencës shqiptare, të një pune sistematke, këmbëngulëse, me metoda të rrepta shkencore.
Prof Shaban Demiraj: Metoda rreptësisht shkencore
– Vlera dhe niveli shkencor i veprimtarisë së profesor Eqrem Çabejt janë dhe mbeten të pakapërcyeshme. Për këtë edhe jo rastësisht thuhet se u nda prej nesh më i madhi i burrave të gjuhësisë sonë. A do të na thoni diçka për atë se çka e mundësoi këtë vlerë dhe këtë nivel?
Në radhë të parë dëshiroj të theksoj se pajtohem plotësisht me vlerësimin e lartë të shprehur në pyetjen tuaj lidhur me veprimtarinë shkencore të prof. Eqrem Çabajt, vdekja e parakohshme e të cilit ka krijuar një zbrazëti të madhe jo vetëm në fushën e studimeve albanologjike, por edhe në fushën e ballkanistikës.
Për sa u përket faktorëve që e bënë të mundur arritjen e një niveli aq të lartë në punimet e ndryshme shkencore të professor E. Çabejt, është vështirë të jepet një përgjigje shteruese. Por mendoj se midis këtyre faktorëve duhet përmendur:
1. Horizonti i gjerë i dijeve që ai kishte grumbulluar në mënyrë sistematike gjatë tërë jetës së tij aq të frytshme dhe aftësia për t’i shfrytëzuar këto me një mjeshtëri të rrallë në punimet e tij shkencore.
2. Mprehtësia e gjykimit dhe këmbëngulja për të mos u tërhequr përpara asnjë vështirësie, tipare këto që i dhanë mundësi atij të zgjidhte një varg problemesh shumë të ndërlikuara, sidomos të historisë së gjuhës shqipe, të fonetikës historike dhe të gramatikës historike.
3. Zbatimi i një metode rreptësisht shkencore, që karakterizohej nga shqyrtimi i gjithanshëm i fakteve dhe i dukurive gjuhësore dhe nga një qëndrim objektiv në shqyrtimin e tyre.
4. Kushtet e favorshme që iu krijuan atij prej Pushtetit Popullor pas çlirimit të Shqipërisë. Këtu nuk kam parasysh vetëm kushtet materiale, por edhe vlerësimin e lartë që i është bërë vazhdimisht punës aq të frytshme të këtij dijetare të mprehtë, i cili deri në ditët e fundit të jetës së tij nuk e lëshoi penën nga dora.
Prof. Qemal Haxhihasani: Profesor Çabej – njohës i thellë i kulturës sonë popullore
– Veprimtaria e prof. Eqrem Çabejt shtrihet në fusha të shumta të kulturës shqiptare. Ju lutemi, shoku profesor, të na thoni diçka për kontributin e tij dhënë zhvillimit të folkloristikës shqiptare, si dhe për rëndësinë e studimeve të tij në këtë lëmi.
Profesor Eqrem Çabej, ashtu si në gjuhësi, ka zhvilluar një veprimtari shumë të frytshme edhe në drejtim të folkloristikës shqiptare. Njohës i thellë i kulturës popullore të truallit kombëtar dhe të diasporës, studiues me horizonte të gjera edhe i kulturës së popujve të tjerë të Ballkanit, prof. E. Çabej, me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për vënin në dukje të vlerave të larta shpirtërore dhe gjenialitetin krijues të popullit shqiptar, për origjinalitetin e mjaft aspekteve themelore të kësaj kulture kundrejt atyre të popujve të tjerë ballkanikë.
Që në studimin e tij të parë në këtë fushë, të botuar gjermanisht në “Revue internationale des etudes balkaniques” me titull “Doke e zakone të shqiptarëve”, ai tërhoqi vëmendjen e studiuesve për vijat origjinale të botës etnike shqiptare. Problemet themelore të folkloristikës sonë prof. E. Çabej i trajtoi në studimin e njohur monografik “Për gjenezën e literaturës shqiptare”, botuar më 1939. Aty kanë gjetur një paraqitje dhe shpjegim shkencor mjaft probleme të rëndësishme të kulturës sonë popullore, siç janë ato për lashtësinë dhe autoktonitetin e ciklit të kreshnikëve, për veçoritë kombëtare të epikës sonë historike, për origjinalitetin e lirikës, të figurave poetike, të strukturës së vargut, për origjinalitetin e muzikës sonë polifonike, për lëvizjet dhe ritmikën e valleve, për elegancën e veshjeve popullore, për prirjet e shqiptarit në motivet dhe ngjyrat e tyre.
Prof. Eqrem Çabej ka bërë objekt studimi edhe probleme të veçanta të folkloristikës dhe të etnografisë shqiptare. Për t’u përmendur në këtë drejtim janë punimet për motivin e Konstantinit të vogël – Ago Ymerit, parë në lidhjet e tij me motivin e kthimit të Odisesë dhe me versionet përkatëse të popujve të tjerë, studimet për “Figurat e besimit popullor shqiptar”, për kultin dhe vijimin e hyjneshës Diana në Ballkan” etj.
Mendime me interes për folkloristikën prof. E. Çabej shtroi edhe në punime të tjera të veçanta, si në studimin “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, në ato rreth autoktonisë së popullit shqiptar, rreth ngulimeve arbëreshe në Greqi, Itali etj.
Prof. E. Çabej vështrimet e tij gjuhësore, studimet etimologjike dhe problemet e veçanta që rroku në këtë fushë, nuk i shkëputi asnjëherë nga jeta dhe kultura popullore, nga lidhjet e tyre të brendshme me folklorin e etnografinë.
Saktësia e informacionit mbi këto probleme themelore të kulturës sonë popullore kombëtare, erudicioni dhe kompetenca me të cilën janë trajtuar këto probleme, metoda shkencore e përdorur në paraqitjen dhe krahasimin e fakteve, konkluzionet dhe tezat e formuluara, bëjnë që këto punime të prof. E Çabejt të qëndrojnë në themelitë e folkoristikës shqiptare, duke ruajtur një vlerë të përhershme aktuale.
Prof. Jorgo Bulo: Moto e prof. E. Çabejt: “Të jemi objektivë, por jo indiferentë”
– Ndër fushat e kërkimeve të prof. E. Çabejt vend me rëndësi zë edhe kontributi i tij historinë e letërsisë shqiptare. A do të na thoni diçka për këtë?
Profili i profesor Eqrem Çabejt, si një nga përfaqësuesit më në zë të shkencës e të kulturës sonë, nuk do të dilte i plotë po të mos përmendej edhe kontributi i tij në fushën e historisë së letërsisë.
Jo rastësisht, vëmendjes së prof. Çabejt nuk i shpëtuan as problemet e letërsisë shqiptare, të gjenezës e të zhvillimit të saj historik; tek to çonin vetvetiu interest e gjëra shkencore dhe mbi të gjitha synimi i madh e jetës së tij si shkencëtar; të provonte nga më se një aspekt dhe duke iu drejtuar komponentëve të ndryshëm të kulturës shpirtërore e materiale të popullit tonë, të gjuhës e të traditave shekullore, karakterin e tij autokton në trojet e sotme, njësinë etnike e kulturore – historike dhe forcën e tij krijuese.
Trashëgimi i prof. Çabejt në lëmin e studimeve historiko-letrare ka rëndësi në radhë të parë në pikëpamje të metodës. Ashtu si historia e gjuhës ishte për të e lidhur ngushtë historia e popullit që flet, dhe jeta e letërsisë ishte e lidhur me historinë e fatet e popullit, me lëvizjet e tij social-politike.
Duke u nisur nga kjo premisë metodologjike, prof. Çabej në studimet e tij ka hetuar për së pari mjaft veçori e tipare të letërsisë shqiptare, ka vënë në dukje origjinalitetin e zhvillimit të saj historik, lidhjet e saj të ngushta me traditën folklorike, të cilat i sheh jo vetëm në anën e jashtme, në ritëm e në metër, por kryesisht në lëndë e në format e përbrendshme.
Ne që e këmi njohur nga afër prof. Çabejn, nuk mund të mos e kujtojmë moton e punës së tij si shkencëtar, të cilën e përsëriste shpesh; të jemi objektivë, por jo indiferentë. Këtë e dëshmojnë edhe studimet e shënimet e tij për letërsinë shqiptare, ku ndjehet objektiviteti e rigoroziteti i shkencëtarit dhe dashuria e pasioni i patriotit për të zbuluar vlerat e kulturës së popullit të vet, e për t’i mbrojtur ato nga shtrembërimet e atyre studiuesve pas të cilave fshihen qëllime të këqija.
Erudicioni i tij i gjerë dhe shija e hollë, kanë bërë që prof. Çabej në esetë e veta të japë gjykime e vlerësime të mprehta për krijimtarinë e një vargu autorësh që nga Naimi e De Rada e gjer tek Çajupi, Adreni, Noli e Lasgusi, duke vënë në dukje prirjet e reja që shprehte vepra e tyre në procesin e zhvillimit të letërsisë sonë, shpesh në përqasje edhe me letërsitë e tjera ballkanike e europiane.
Duke përfunduar, dëshiroj të them se ndoshta më mirë se çdo gjë, figurës dhe veprës së prof. Eqrem Çabejt do t’i shkonin për shtat fjalët që ai shkroi me rastin e vdekjes së një kolosi tjetër të kulturës sonë, F. S. Nolit: Ai “nuk është një madhësi efemere. Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era. Në këtë botë shqiptare, të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot si në ditët që do të vijnë”.