Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi të premten mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 9 shkurtin të vitit të ardhshëm, duke bërë kësisoj qeverinë aktuale, të parën në vend që çon mandatin e saj deri në fund.
Shpallja e datës së zgjedhjeve pasoi këshillimet me partitë politike që kishin propozuar që ato të mbaheshin me 26 janar ose në fillim të muajit shkurt.
Presidenca e Kosovës tha se “data 9 shkurt të vitit 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”.
Presidenca thotë se tashmë ka ftuar Bashkimin Evropian që të dërgojë një mision për vlerësim paraprak dhe një mision vëzhgues për vëzhgimin e fushatës zgjedhore dhe ditën e votimeve.
Presidentja Osmani sipas një komunikate shtypi u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen në këtë proces me seriozitetin dhe përkushtimin “duke ruajtur standardet demokratike dhe rregullat më të larta të etikës, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të mbetet shembull i zgjedhjeve të lira e demokratike”.
Sipas ligjit zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit. Legjislatura aktuale u mblodh me 22 mars të vitit 2021.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë Memli Krasniqi shkroi në rrjetet sociale se është e rëndësishme “se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku bëri thirrje në rrjetet sociale që “më 9 shkurt, le të ringritemi si një!”.
Kryetari i Aleancës përr Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se po vjen koha e ndryshimit dhe bashkimit. “Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Me 14 shkurt të vitit 2021, lëvizja Vetëvendosje së bashku me lëvizjen Guxo të presidentes Vjosa Osmani, dolën fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar mbi 50 për qind të votave.
Të dy udhëheqësit vitin e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë, të cilët kanë kritikuar disa nga veprimet e qeverisë kundrejt situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Shpallja e zgjedhjeve mbylli debatet në skenën politike gjatë këtij viti. Në muajin maj Partia Demokratike në opozitë propozoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe që ato të mbahen në fillim të muajit korrik.
Nisma dështoi megjithëse u mbështet nga partia në pushtet, meqë dy partitë tjera në opozitë kundërshtuan një hap të tillë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si kusht për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.