Debati i shpërthyer së fundmi në Kosovë për hapjen ose jo të urës së Ibrit për kalimin e automjeteve, tensionet që mund të nisin sërish me Serbinë, deklaratat e BE-së dhe të SHBA-së u analizuan sot nga gazetari Gazmend Saiti, në Edicionin e Mesditës në SYRI TV.
Z. Saiti ndër të tjera tha: “Bashkimi Europian tashmë është i vendosur për të qenë në krah të Serbisë për sa i përket çështjes së hapjes së urës së Ibrit dhe në vetë pjesën e Dialogut në tërësi. BE paralajmëron trazira dhe lajmëron protesta dhe duket nga këto deklarime se mund të quhet si “organizator” i protestave të serbëve për të mbrojtur hapjen e urës së Ibrit, që ndan veriun e Mitrovicës me atë të jugut. Kjo çështje është cilësuar tashmë edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si raciste…
… Në rastin konkret, qeveria e Kosovës ka të drejtën e saj, ka kushtetueshmërinë që kjo urë të jetë e hapur sepse ndodhet brenda territorit të Kosovës dhe natyrisht, brenda territorit të Kosovës, shqiptarë dhe minoritete të tjera mund të shkelin kudo pa pengesën e askujt. Në urën e Ibrit kjo është e ndaluar; është e ndaluar për shkak të, mund të quajmë, “tekave” të BE-së së fundmi, sepse është Bashkimi Evropian që e ndalon që ura të hapet njëanshmërisht nga Republika e Kosovës dhe kjo gjë të mos ketë dialog…
… Mollë sherri janë vetëm disa betonë të vendosur në atë urë dhe në qoftë se hiqen këta betonë, qarkullimi i mjeteve vazhdon normalisht. Qytetarët në të dyja anët vazhdojnë dhe e kalojnë normalisht. Pra, e gjitha kjo është një kokëfortësi e Serbisë, që të paktën ta ushtrojë kokëfortësinë e saj vetëm në këtë urë, se të gjitha pjesët e tjera që ka ngulmuar deri tani i kanë rënë poshtë nga qeveria aktuale, që nga çështja e targave që u kundërshtua apo pagesa e energjisë elektrike; kohët e fundit edhe serbët janë futur në lista dhe po e paguajnë energjinë elektrike. Pra, tani ka ngelur kjo urë,” nënvizoi Saiti./SYRI.NET