Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut konfirmoi të enjten arratisjen nga arresti shtëpiak të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qe ndaluar nga autoritetet policore maqedonase në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.
Ministria e Brendshme u tha medieve lokale se do të shpallë një “urdhër arrest qendror” për zotin Ramadani.
Autoritetet nuk japin hollësi mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës, një portal në gjuhën maqedonase shkroi se zoti Ramadani është arratisur nga shtëpia e miqve të tij në Shkup, ku qëndronte nën arrest shtëpie në bazë të një urdhri të gjykatës themelore në Shkup. Sipas portalit sdk.mk, pas ankesës së Prokurorisë, tre gjykatës të Gjykatës Penale të mërkurën i kishin caktuar Ramadanit masën e paraburgimit efektiv prej 30 ditësh për shkak të rrezikut se mund të arratisej. Gjithnjë sipas portalit, dikush nga Gjykata Penale e kishte njoftuar zotin Ramadani i cili më pas është arratisur.
Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzoj tek autoritetet serbe zotin Ramadani, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.
Blerim Ramadani u arrestua në fund të korrikut gjatë në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë – Jazhincë, afër Tetovës. Pas disa ditësh qëndrimi në paraburgim ai u la më 1 gusht në arrest shtëpie tek miq të tij në Shkup, derisa autoritetet gjyqësore të merrnin një vendim përfundimtar se a do ta ekstradonin atë në Serbi ose jo.
Autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kishin kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ishte pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veteranët e UÇK-së nga Ferizaji, ku bënte pjesë ish-luftëtari Ramadani, kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa aktakuzat e autoriteteve të Serbisë kundër pjesëtarëve të UÇK-së i quajtën të fabrikuara dhe arrestimet “të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët”.
Serbia e akuzon zotin Ramadani për “krime lufte në rajonin e Nerodimes, në komunën e Ferizajt në verën e vitit 1999”.
Ky nuk është rasti i parë kur autoritetet maqedonase ndalojnë shtetasit e Kosovës në bazë të urdhër-arresteve të Serbisë.