Boshti i së Keqes, version 2.0. Rusia furnizon me armë Iranin, për t’u siguruar se nuk do t’i mungojë fuqia e zjarrit në përshkallëzimin e konfliktit. Shprehja “Boshti i së keqes”na kujton ngjarje të shkuara shumë të këqija. Qe Georg W. Bush, mbas sulmeve të 11 shtatorit 200, të përmblidhte n’atë koalicion të armiqve të botës së lirë Iranin e ajatollahëve, Irakun e diktatorit Saddam Hysen, dhe mbretërinë komuniste të Koresë së Veriut. Nuk i solli fat askujt. Mbas pak kohe vendimi për të mësyer Irakun – të paditur pa të drejtë për bashkëpunim me Al Kaedën në atentatin kundrejt Kullave Binjake – qe fillimi i një kapitulli rrënimtar në politikën amerikane në Lindjen e Mesme.
Çfarë është ajo që sot teokracia shiite e Teheranit e quan Boshti i Qëndresës? Një bashkësi forcash të mbledhura nga fanatizmi fetar, urrejtja për Perëndimin e liritë tona; të vendosura për të kryer edhe ploja civilësh (përfshirë edhe civilët e tyre) mjaft që të imponojnë një synim mesianik. Një lidhje bashkon torturat e kryera mbi feministet në burgjet iraniane, përdhunimet e grave dhe masakrat e fëmijëve hebrej të bëra nga Hamasi, shkatërrimin e ish parajsës libaneze nga ana e Hesbollahut, mjerimin e llahtarshëm në të cilin mbahet populli jemenit nëpërmjet shtypjes së Hutëve.
Nëse bëhet fjalë për Boshtin e Qëndresës, sigurisht i ka qëndruar çdo mundësie të përparimit, përhapjeje së mirëqënies, të arsimit, të të drejtave. Mjafton të krahasohen kushtet e jetës së popullsive që bëjnë pjesë në këtë Bosht të Qëndresës me revolucionin e heshtur të zhvilluar në një pjesë të botës arabe: nga Maroku në Arabinë Saudite duke kaluar përmjet Emirateve e Katarit. Asnjë prej këtyre Shteteve nuk është një demokraci, kanë të gjithë regjime autoritare, por kanë përqafuar projekte laiçizimi, kanë kufizuar mujshinë e klerit, i kanë dhënë më shumë të drejta grave, kanë përmirësuar kushtet ekonomike të shumëve edhe se jo të të gjithëve. Boshti i Qëndresës nuk i qëndron vetëm imperializmit amerikan dhe sionizmit; në të vërtetë është një grumbullim forcash kriminale, që vrasin që në lindje çdo shpresë lirimi të popujve të tyre.
Rusia nuk ka qenë e rrjeshtuar me fuqitë e islamizmit prapanik, reaksionar e shtypës. Kur ishte ende Bashkim Sovjetik mbështeti krijimin e Shtetit të Izraelit dhe njohjen e tij në OKB. Përkrahu regjime laikë e kundërklerikalë si Naseri n’Egjypt dhe vetë Saddam Hysenin. I luftoi muhaxhidinët islamikë në Afganistan. Putini i a detyron ngjitjes së tij fillestare në pushtet egërsisë së pamposhtur me të cilën shtypi kryengritjen myslimane në Çeçeni.
Shndërrimi i tij i fundit në dobi të Boshtit të Qëndresës është i detyruar nga oportunizmi, leverdia taktike, shkëmbimi i favoreve. Ka një ngjasim me aleancën ndërmjet Iranit dhe palestinezëve. Në 1979, kur ajatollah Komejni imponoi teokracinë e tij në Teheran, asgjë nuk e detyronte të lidhej me udhëheqësin e OÇP, Jaser Arafatin , një kombëtarist laik që nuk i besonte fetarëve. Komejni e gjeti të leverdisëshëm përvetësimin e çështjes palestineze për synimin e tij: të rindërtonte një imperializëm persian në dëm të kombeve arabo-sunite, kryesisht kundër mbretërisë saudite. Të shpallej mbrojtës i palestinezëve e të premtonte vdekjen e Izraelit, qe një zgjedhje e cinike e Komejnit për qëllimet e tij të zotërimit gjeopolitik në Lindjen e Mesme; nuk i ka sjellë fat palestinezëve.
Në kapitullin e parafundit të kësaj ndodhie Irani i ka dërguar armë Rusisë – raketa e drone – për të vazhduar luftën e saj të agresionit në Ukrainë. Qe një mbështetje ushtarake e çmuar, po aq sa dhe ajo e Koresë së veriut (kush shihet: Boshti i së Keqes i Bushit të Ri?) dhe ajo e maskuar por e fuqishme e Kinës. Putini ka dërguar me mision në Teheran këshilltarin e etij strategjik, Sergej Shoigu, për të saksionuar shkëmbimin e favoreve: ashtu sikurse Irani e ka furnizuar me armë për të përndjekur popullsinë civile ukrainase, tani Rusia dërgon sisteme të mbrojtjes kundërajrore Rojeve të revolucionit islamik. Por shkëmbimi është më i gjërë, përtej shkëmbimeve ushtarake zgjerohet në një interes strategjik.
Për Putinin ploja e Hamasit e 7 tetorit 2023 ka qënë një dhuratë e mrekullueshme: ka zhvendosur para dhe kujdes të Shteteve të Bashkuar kundrejt një fronti të ri, duke pakësuar zotimin për Ukrainën. Putini ka interes që lufta në Lindjen e Mesme të zgjerohet e të përjetësohet, prej nga vjen mbështetja për Iranin, klasa drejtuese e të cilit mbetet gjithmonë besnike e tre misioneve të shenjta të trashëguar nga Komeini: shkatërrimi i Izraelit, përzënia e Amerikës nga Lindja e Mesme. pushtimi i Mekës e Medinës duke i hequr sauditëve vëndet e shënjta të Islamit. Xi jinping deri tani ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga Putini. Sigurisht Republika Popullore – që nuk nguron të internojë në “kampet e riedukimit” myslimanët e saj ujgurë për t’i hequr nga koka besimin e tyre fetar – mban marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin prej të cilit importon shumë naftë.
Por dy nisma të fundit të diplomacisë kineze janë pohenike: Pekini ka ndërmjetësuar për rivendosjen e lidhjeve diplomatike ndërmjet Iranit dhe Arabisë saudite; e këshillat e tij të mira kanë lejuar një afrim, në letër, ndërmjet tarafeve të ndryshme palestinezë, përfshirë Hamasin dhe Autoritetin e Cisjordanisë. Duhet shpresuar që takimi i nivelit të lartë të kombeve islamikë – me praninë e një dërgate iraniane në kryeqytetin saudit – të verë më së fundi në lëvizje një nismë diplomatike arabe, e cila deri tani nuk ka qënë në lartësinë e tragjedisë së Gazës. Jam përqëndruar në boshtin Rusi-Iran për të vendosur n’atë histori misionin e Shoigut. Nuk do të thotë se të tjerë aktorë nuk kanë përgjegjësi të llahtarëshme. Disa mjedise izraelianë duket se miklohen nga fakti se zhdukjet e zhurmëshme të drejtuesve të Hezbollahut e të Hamasit kanë rivendosur një “frikësim” që ishte shëmbur më 7 tetor. Është më mirë të kujtohet një rregull e organizatave të rrjetëzuara, siç janë shumë milici xhihadiste: “Të gjithë drejtuesit janë numëra dy”
“Corriere della Sera”, 7 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika