Kandidati republikan për zëvendëspresident, senatori JD Vance (R-Ohio) s’u dha shumë rëndësi shqetësimeve për lëvdimet e ish-presidentit Trump për liderët botërorë si presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin, duke argumentuar se nuk ka “asgjë të keqe” me komente të tilla.
Duke vënë në dukje komentet e ish-presidentit Trump për Xi dhe Putin në një tubim në Montana të premten e kaluar, spikerja e CBS “Face the Nation” Margaret Brennan pyeti Vance-in nëse ai pajtohet me karakterizimin se të dy “ishin individë të këndshëm”.
“Presidenti Trump shkon mirë me liderët botërorë,” u përgjigj Vance. “Dhe nuk ka asgjë të keqe që ai t’i lëvdojë ata si njerëz, nëse kjo e bën atë më efikas nga aspekti diplomatik.”
Brennan ndërhyri, duke sugjeruar se komentet e Trump-it nuk janë “njëlloj si të përballesh me Xi Jinping-in e t’i imponohesh.”
“Jo, nuk është aspak njëlloj, sepse ti mund të imponohesh më lehtë, siç bëri presidenti Trump, nëse ke një marrëdhënie të mirë me njerëzit dhe ata të besojnë se ti do t’i shkosh deri në fund asaj që thua,” tha Vance. “Duhet të kujtojmë se demokratët, duke përfshirë Kamala Harrisin, sulmuan Donald Trump-in për marrëdhënie të mira me Vladimir Putinin.”
Komentet e Trump-it në lidhje me Xi-në dhe liderë të tjerë të huaj janë kritikuar ndonjëherë nga demokratët dhe madje edhe disa republikanë si shumë miqësorë ndaj udhëheqjes autoritare.
Vjet ish-presidenti e përshkroi Xi-në si “të zgjuar, gjenial, gjithçka perfekte” dhe vuri në dukje se ai e drejton Kinën “me një grusht të hekurt”.
Trump ka folur në mënyrë të ngjashme për Putinin dhe ka pohuar vitin e kaluar se ai ishte “drita e syve të [Putinit]” gjatë presidencës së tij.
Vance të dielën përsëriti pikën e përbashkët të Trump se Putini nuk pushtoi një vend tjetër nën mandatin e tij, duke u përpjekur ta krahasojë atë me luftën Rusi-Ukrainë që shpërtheu nën administratën e Biden-it.
“Kur Donald Trump-i ishte president, Vladimir Putini nuk pushtoi një vend tjetër. Kur Kamala Harrisi ishte zv/presidente, ai e pushtoi,” tha Vance. “Pra, ndoshta ata duhet të marrin një mësim nga strategjia e Trump-it për legjitimitetin diplomatik, sepse unë mendoj se Donald Trump-i ka bërë shumë sepse liderët botërorë e respektonin.”sn
Burimi: Thehill.com