Gara për më së shumti medalje të arta në Lojërat Olimpike në Paris mbaroi me barazim 40:40 mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Megjithatë, SHBA-ja e kryesoi tabelën e medaljeve pasi i fitoi hiç më pak se 126 medalje olimpike në përgjithësi, duke e lënë mbrapa Kinën me 91 medalje.
Edhe në lojërat e kaluara në Tokio, SHBA-ja e kishte lënë mbrapa Kinën në garë për numrin e përgjithshëm të medaljeve, duke i fituar 113 në total, prej të cilave 39 të arta, krahasuar me 89 në total nga Kina dhe 38 të arta.
Kush pritej të fitonte më së shumti medalje në Paris?
Sipas parashikimit virtual të Nielsen Gracenote, i cili i mblodhi të dhënat e rezultateve nga garat e mëdha prej Olimpiadës së Tokios e këndej, pesë vendet me më së shumti medalje në Paris do të ishin si në vijim: SHBA (112 medalje në total); Kina (86); Britania (63); Franca (60) dhe Australia (54).
SHBA-ja doli e para sic u parashikua. Megjithatë, SHBA-ja dhe Kina fituan më shumë medalje të arta dhe medalje në përgjithësi.
Japonia i theu parashikimet dhe doli në vendin e tretë me 45 medalje në përgjithësi, prej të cilave 20 të arta.
Franca dhe Australia u renditën në top pesëshe, siç u parashikua.
Australia, megjithatë, doli e katërta, para Francës, falë 18 medaljeve të arta nga 53 medalje në përgjithësi që i fitoi. Franca fitoi më shumë në përgjithësi, 64, por kishte vetëm 16 të arta.
Britania fitoi më shumë medalje se në Tokio, 65 krahasuar me 64, por fitoi më pak të arta dhe u rendit e shtata në përgjithësi, mbrapa Holandës.
Në Paris, Kosova e rriti numrin e medaljeve në pesë në përgjithësi, ndërsa Shqipëria i fitoi medaljet e para në historinë e saj. Por, as Kosova e as Shqipëria nuk fituan medalje të arta këtu.
Te Kosova, kampionia olimpike nga Tokio, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, duke u bërë sportistja e parë kosovare, qoftë te djemtë apo vajzat, që i fiton dy medalje olimpike. Ndërsa xhudistja tjetër, Laura Fazliu, e fitoi medaljen e bronztë, të parën në karrierë.
Chermen Valiev dhe Islam Dudaev ia fituan Shqipërisë medaljet e para olimpike, pasi të dy i fituan të bronzta në sportin e mundjes.REL